Pandemia, Paralajmërimi për të Rinjtë nën Moshën 30 Vjeç

182 0

Autoritetet e shëndetësisë në kontinent po përpiqen të tërheqin vëmendjen e të rinjve nën 30 vjeç, duke i paralajmëruar se pandemia nuk është një lojë dhe ata duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të ndihmojnë në ndalimin e virusit. Kjo vjen në një kohë kur rastet mes të rinjve vazhdojnë të rriten.

Spanja është bërë tashmë vendi i parë i Evropës Perëndimore që ka regjistruar më shumë se 500 mijë raste të koronavirusit dhe autoritetet kanë kërkuar më shumë vigjilencë mes të rinjve. Ky muaj, do të jetë i rëndësishëm veçanërisht për shkak se nxënësit do të rikthehen në shkolla pas gjashtë muajsh mungesë atje.

Masat Mbrojtëse

Sipas shifrave zyrtare, 25 për qind e rasteve të reja janë pikasur tek njerëz të moshës nga 15 deri në 29 vjec ndërsa ata të moshës nga 15 deri në 59 vjeç zënë 71 për qind të rasteve të reja. Të martën, ministria e shëndetësisë lançoi një fushatë të re që synon ti kujtojë popullatës, veçanërisht të rinjve, rëndësinë e larjes së duarve, mbajtjes së maskës dhe distancës sociale.

Në Francë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar javën e shkuar një rritje shqetësuese të transmetimit të virusit, kryesisht mes të rinjve dhe një dështim të tyre për të aplikuar masat mbrojtëse.

Edhe në Irlandë, të rinjtë po luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e infektimeve duke ndezur paralajmërime për rihapjen e kampuseve. universitare.

Personat më të ekspozuar

Sipas të dhënave, më të predispozuar për tu prekur nga koronavirusi dhe për të ekspozuar të tjerët ndaj infektimit, janë personat e moshës nga 15 deri në 24 vjeç.

Në Itali, ministri i shëndetësisë Roberto Speranza, i ka kërkuar të rinjve të ndihmojnë në vënien nën kontroll të koronavirusit ndërkohë që mosha mesatare e të infektuarve të rinj ka rënë në 32 gjatë 30 ditëve të shkuara.

Edhe në Gjermani, numri më i madh i të infektuarve të rinj janë nën moshën 30 vjeç. Ka shqetësim të veçantë në Berlin ku qarkullimi i virusit mes 20 deri 24 vjeçarëve është i lartë./Top Channel