Spitalet Shqiptare Përballuan Fluksin, Por Prirja e COVID-19 Mbetet Shqetësuese

380 0

Shqipëria ka hyrë në muajin e shtatë të pandemisë së COVID-19 me një prirje shqetësuese të rasteve të reja dhe numrit të të shtruarve në spitale. Sidoqoftë ajo që vihet re është se deri më tani sistemi spitalor ka mundur ta përballojë fluksin.

Spitalet kanë mundur t’u shërbejnë qindra pacientëve ndërkohë që është arritur të mbahet e ulët përqindjen e vdekjeve – që mbetet diçka më pak se 3 për qind e të infektuarve.

Të dhënat 

Të dhënat e raportuara nga ministria e Shëndetësisë, dhe përpunuar nga Euronews Albania, tregojnë se muajin e fundit situata vijoi të përkeqësohej për sa i përket përhapjes së infeksionit. U vu re rritje e mesatares së rasteve ditore nga 114 në 147, – kjo për rrjedhojë edhe të rritjes së testimeve, mesatarisht nga 515 në 850 në ditë.

Megjithëse pati fluks në rritje, spitalet sidoqoftë ia dolën mbanë të mbajnë pothuajse të njëjtën prirje të ulët të vdekshmërisë si muajin paraardhës (1670 të shëruar, 120 të vdekur muajin korrik-gusht; 3000 të shëruar, 125 vdekje muajin gusht-shtator).

Nga ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një raport përmbledhës për 6-mujorin e pandemisë. Nuk ka shifra të qarta se sa ka qenë numri i përgjithshëm i pacientëve të trajtuar nga COVID-19 në spitale. Sa prej të shëruarve të raportuar kanë qenë pacientë të shtruar në spitale dhe sa me trajtim shtëpiak.

Raportimet Ditore 

Megjithatë nga raportimet ditore të ministrisë mund të kuptohet dinamika dhe prirja që ka pandemia.

Përballë situatës që po has Shqipëria dy muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur të bëjnë gati decentralizimin e shërbimit spitalor për pacientët me COVID-19 duke ia kaluar shërbimin edhe spitaleve rajonale në mënyrë që të shmangen lëvizjet dhe flukset shtesë drejt Tiranës.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar disa herë për investime në aparatura dhe infrastrukturën spitalore të rretheve, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian ka mundësuar gjithashtu disa donacione.

Kapaciteti hospitalizues i të sëmurëve me COVID-19 thuhet të jetë 500 shtretër, ndërkohë që deri më sot numri më i lartë i të shtruarve është raportuar të ketë qenë 199 (8 shtator, 24 prej së cilëve në terapi intensive)./Euronews Albania