Kjo është një recetë pak larg asaj tradicionale të lazanjës së famshme. Receta e mëposhtme e këshilluar nga AgroWeb.org përmban mishin e shijshëm e të shëndetshëm të pulës, salcë të freskët domate dhe erëza aromatike.
Lazanja Me Mish Pule, Erëza Dhe Krem Djathi
Një arsye tjetër përse kjo recetë rekomandohet për amvisat është se nuk ka shumë mund dhe nuk ha shumë kohë.
Përbërësit:
1 lugë gjelle vaj ulliri
2 fileto pule të prera në copa
1 qepë të grirë hollë
1 thelb hudhër të prerë hollë
Gjysmë luge rigon të thatë
Një majë luge çaji spec djegës pluhur
1 lugë e gjysmë salcë domate
400 gramë domate të prera në copa të vogla
4 peta lazanje
Përbërësit për salcën e djathit:
20 gramë gjalpë të butë
20 gramë miell shumë-përdorimësh
200 ml qumësht të skremuar
80 gramë djathë kaçkavall të grirë
Gjysmë luge çaji mustardë.
Përgatitja:
Ndizeni furrën në 180-200 gradë dhe ndërkohë vendosni një tigan në zjarr.
Ngroheni vajin e ullirit dhe më pas kaurdisni copat e mishit të pulës.
Pas kaurdisjes lërini mënjanë dhe vazhdoni me tiganisjen e qepës dhe hudhrës për 5 minuta.
Shtoni rigonin, specin djegës, domatet dhe salcën e tyre dhe më pas kur të ketë avulluar pak uji shtoni pulën.
Lërini të ziejnë së bashku për pesë minuta dhe hiqeni nga zjarri.
Për salcën, rekomandohet që të shkrini gjalpin në një tigan të pastër dhe më pas shtoni miellin.
Gradualisht shtoni qumështin duke e përzier vazhdimisht që të shmangni kokrrizat.
Kur qulli të ketë marrë valë hiqeni nga zjarri dhe sipër tij shtoni djathin kaçkavall dhe mustardën.
Në tavë shtroni petat e lazanjës dhe mbushjen. Vendosni dy petat e mbetura dhe sipër tyre, salcën e djathit.
Futeni tavën në furrë dhe piqeni për 20 minuta ose deri sa sipërfaqja e lazanjës të marrë ngjyrë të artë.
Lazanjën mund ta ruani në ngrirje për 1-3 muaj ose në frigorifer për disa ditë./AgroWeb.org