Në vitin 2019, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, janë 82.235 lekë.
Sipas anketës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), totali i shpenzimeve për konsum është 63,5 miliardë lekë në muaj për 771.600 familje.
“Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2019, është 5,6% më i lartë se në vitin 2018. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, është 1,4 %”, thuhet në anketën e INSTAT.
Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2019, e ka shënuar grupi “transport” me 5,5%, krahasuar me vitin 2018, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në grupin “argëtim dhe kulturë” me 54,3%, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupet “pushime familjare brenda vendit dhe paketa turistike jashtë vendit”./ATSH