Natyra ishte kura e shqiptarëve këtë verë, pas muajve të izolimit dhe rrjetet sociale u mbushën me “bloger” që postonin foto nga çdo cep i Shqipërisë.

Nuk munguan destinacionet popullore e ato më pak të njohura. Mund të gjeje gjithçka, mal, det, fushë, ujëvarë, pyje e bukuri natyrore pafund, që fatmirësisht Shqipërisë nuk i mungojnë. Po a ka qenë kaq e gjallë jeta në zonat rurale, ku kanë lulëzuar viteve të fundit disa “oaze” ndryshe, të njohura si agroturizme?

Historitë ndryshojnë nga njëri rast në tjetrin, në varësi të disa faktorëve si “marka” që kanë krijuar, marketimi që i kanë bërë asaj, vitet në treg, pozicionimi gjeografik.

Sigurisht viti 2020, për shkak të pandemisë, ka rezultuar sfidues për çdo biznes, por agroturizmet duket se ia kanë dalë të ecin përpara, duke ndihmuar jo vetëm biznesin e tyre, por edhe ekonominë lokale përreth.

Rastet e suksesit nuk kanë munguar, ku frekuentimi madje ka rezultuar edhe më i lartë se një vit më parë. Ashtu sikurse nuk kanë munguar ato raste, ku mbijetesa këtë vit është siguruar me vështirësi, por në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë po luftojnë për të mbajtur në këmbë atë biznes, që në të gjitha rastet ka në gjenezë dashurinë për “rrënjët”.

Fatmirësisht, agroturizmet nuk e shohin të lidhur aktivitetin e tyre vetëm me verën. Ndaj frekuentimi përtej stinës së nxehtë, në vjeshtë apo në dimër, është një shpresë më shumë për të rikuperuar diçka nga humbja që u shkaktua në fillim të pandemisë. Por kjo mbetet për t’u parë.

Markat” e forta, 30% më shumë vizitorë se një vit më parë 

Ka një kontrast të fortë në atë që pritej pas daljes nga izolimi dhe asaj çka rezultoi në muajt e verës. Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave”, që ndodhet në Fishtë të Lezhës, është krejtësisht i befasuar nga interesi i madh i vizitorëve. Pritshmëritë në muajin qershor ishin për një ecuri të vakët, duke pasur parasysh pandeminë, por në fakt realiteti rezultoi ndryshe.

“Frekuentimi në agroturizmin tonë ka rezultuar 30% më i lartë sesa një vit më parë. Nga muaji qershor e në vazhdim, ne kemi pasur rritje në raport me shifrat që kishim në vitin 2019. Gushti ishte një muaj spektakolar, por edhe korriku ishte shumë mirë.

Gjatë gjithë sezonit kemi pasur punë. Na ka favorizuar fakti që kemi hapësira të mjaftueshme për të ulur vizitorët jashtë, madje e kemi zgjeruar kapacitetin.

Sigurisht që pandemia na dha një lloj goditje në fillim, pasi për dy muaj ishim mbyllur. Dhe me keqardhje them që ajo periudhë na prishi edhe ekuilibrin me fermerët, me të cilët kishim marrëveshje, kryesisht me ata të mishit” – pohon Prenga.

Ai thekson se pavarësisht përshtatjes gjatë asaj kohe, për të shitur produkte natyrale nëpërmjet porosive në Tiranë, Durrës e zonat përreth, për mishin ishte disi e vështirë.

“Rritja e frekuentimit na shërbeu që, deri diku, të ishim korrektë me fermerët me të cilët kemi një marrëdhënie për një kohë të gjatë dhe u kishim dalë garant për prodhimin që u kishim kërkuar. Mendoj se kemi rikuperuar atë që humbëm gjatë kohës së izolimit. Kemi shtuar edhe stafin e punonjësve duke arritur në 80” – tregon ai.

Gushti, muaji më i mirë, efekti pozitiv i turizmit patriotik 

Mastershef Fundim Gjepali e priste këtë vit të ishte më i vakët për shkak të pandemisë, por mendon se tani në finale, turizmi patriotik ka luajtur rolin kryesor në mbijetesën e këtij sektori. “Agroturizëm Gjepali”, i ngritur në Gjepalaj në zonën e Shijakut, edhe pse në vitin e dytë të aktivitetit, duket se ka krijuar emrin e tij të mirë dhe sidomos pjesa e shqiptarëve të Kosovës e kanë zgjedhur në masë.

“Mendonim që situata këtë vit do të ishte katastrofike, por them se do të mbijetojmë.

Gushti ka qenë një muaj i mirë dhe me rritje, ndërsa qershori ishte disi i dobët, pasi sapo ishin hequr masat kufizuese. Kam vënë re se turizmi patriotik na ka siguruar mbështetjen e nevojshme, qoftë turistët nga Kosova, me frekuentim të konsiderueshëm, ashtu edhe emigrantët, të cilët kanë ardhur nga jashtë, por më të pakët në numër” – tregon Gjepali.

Pavarësisht zymtësisë që ka sjellë në përgjithësi, në çdo sektor të ekonomisë, pandemia, mastershef Fundimi thotë se ajo ishte provë për një sektor që po rritet e zhvillohet në një terren të ri, siç është agroturizmi. Kalimi i kësaj prove me sukses tregon se e ardhmja do të jetë shumë më mirë.

“Në Shqipëri ka shumë agroturizme dhe mendoj se një pjesë e mirë që ndodhen afër me qendrat e mëdha do t’ia dalë ta kalojë më lehtë këtë situatë. Nga informacionet që kam, pjesa e agroturizmeve të thella ka pasur pak probleme dhe ndoshta do ta kenë më të vështirë. Në tërësi, pjesa e Shqipërisë së Mesme, ku dhe dendësia e popullatës është më e madhe, ka qenë më mirë sesa pritshmëria” – pohon ai.

Një paketë e veçantë e qeverisë, që mbështeste agroturizmet, por vendoste edhe kushte për certifikimin e tyre, sanksiononte ngritjen e strukturave akomoduese. Agroturizëm Gjepali ka pjesën e hotelit të integruar, por duket se ecuria e tij, në raport me restorantin, ka qenë e dobët.

Investimet në bujtina kanë vazhduar, rasti i Roshnikut në Berat 

Në Roshnik, një fshat afër Beratit, tre vëllezërit Fiska i kanë dhënë jetë “Alpeta Agroturizëm”, ngritur pranë shtëpisë së tyre të vjetër, e kthyer në bujtinë. Ky agroturizëm ka marrë së fundmi formën finale, duke u plotësuar me të gjithë elementet, por rrugëtimi që ka nisur nga viti 1992, në themel ka pasur vreshtarinë.

“Investimi ynë nisi nga viti 1992-1993, kur u mbollën vreshtat e para, pasi babai ishte me profesion agronom dhe ushqente një dashuri të madhe për tokën dhe autoktonen.

Në vitet ’94-’95 nisëm të prodhonim për herë të parë verë dhe raki për shitje, në një kantinë modeste dhe vit pas viti, u munduam të përmirësonim prodhimin dhe të rrisnim sasinë e cilësinë e asaj që ofronim.

Na ka ndihmuar fakti që jemi afër me Beratin, një atraksion turistik që ngjall kureshtje dhe kjo ka bërë që të kemi më shumë vizitorë. Gjithsesi, ata që na vizitonin në hapat e parë ishim miq e shokë, që donin të degustonin pijet në kantinën tonë.

Të paktën 10 vite më parë, kjo ndodhte” – na tregon Petrit Fiska, një nga tre vëllezërit që kanë nën menaxhim agroturizmin. Në vitin 2014, aplikojnë pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe falë një fondi të fituar, arrijnë që të bëjnë rikonstruksionin e kantinës.

Kjo rriti interesin e vizitorëve, që donin të shihnin nga afër prodhimin e verës dhe ta shijonin atë. Përveç njohësve të verës, po shtoheshin gjithmonë e më shumë grupet e turistëve të huaj, të cilët pasi vizitonin Beratin, i drejtoheshin Roshnikut.

Kishte ardhur koha që vëllezërit Fiska të mendonin për diçka më atraktive dhe që u përshtatej kërkesave të turistëve dhe vendosën të integronin më shumë shërbime./Marrë me shkurtime nga Monitor