Cila Është Kura Që Po Përdorin Spitalet Covid në Shqipëri

380 0

Në gjithë historinë me trajtimin e Covid-19 në vend ka një lajm të mirë: Shqipëria ka ende një nivel mesatar vdekjesh në Evropë.

Qeveria është treguar e kujdesshme në mbështetjen e spitaleve e të mjekëve: ka pajisur mjekët me veshje mbrojtëse, i ka paguar shtesë për punën e tyre, i ka furnizuar me mjete dhe me ilaçe.

Shumë dhurime nga jashtë sidomos, në respiratorë dhe pajisje, kanë ndihmuar gjithashtu.

Në Spitalin nr 2.

Por merita kryesore për këtë nivel të ulët vdekjesh u takon mjekëve: ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme edhe pse nuk kanë qenë gjithmonë të vlerësuar për këtë gjë.

Në emisionin ‘Me pak fjalë’, foli një nga mjekët që ka punuar pa pushim ditë e natë prej gati 8 muajsh, doktor Arben Tanka nga Spitali i Mushkërive ‘Shefqet Ndroqi’, i njohur si spitali Covid 2.

Mjeku pneumolog Tanka sqaroi trajtimet mjekësore që marrin aktualisht pacientët me Covid, shtruar në spital. Ai deklaroi se Shqipëria përdor të njëjtin trajtim që përdorin spitalet në gjithë botën:

“Jemi në trajtimin mjekësor të covid-it njësoj me 98 për qind të spitaleve të Covid-19 në botë sepse bëjmë suportin me antibiotikë, suportin me oksigjenim, me ventilimin invaziv ose joinvaziv, për antikoagulim – kritere këto të përcaktuara qartë. Spitalet e tjera, 2 për qind, bëjnë kërkime shkencore, vetëm ato kanë trajtime të veçanta si remdesiviri ose preparate të tjera, që për momentin janë eksperimentale”, tha doktori.

Pacientët me Simptoma të Rënduara 

Z. Tanka theksoi se është shumë e rëndësishme që pacientët me simptoma të rënduara nga Covid-19 të shkojnë në spital sa më herët:

“Është qasje e gabuar që qytetarët nuk vijnë në spital. Sa më shpejt tek mjeku, aq më të mëdha janë shanset për të shpëtuar. Nuk duhet neglizhuar”, u shpreh pneumologu.

Mjeku shprehu mirënjohje për gjithë kolegët e tij që prej muajsh po sakrifikojnë duke qëndruar larg familjeve dhe qëndruar me orare të zgjatura në punë:

“Po mundohemi maksimalisht të qëndrojmë në krye të detyrës, me gjithë ngarkesën e madhe fizike. Është një luftë e vërtetë brenda dy spitaleve Covid. Lodhja jonë më e madhe është emociale”, përfundoi z. Tanka./EuroNews Albania