Dimri i Madh – Ekspertët kanë paralajmëruar se janari do të jetë muaji më i vështirë

370 0

Dimri, ndonëse erdhi me vonesë, po rezulton i ashpër, si për të kompensuar kohën që ia mori moti me diell.

Po aq shpejt po përkeqësohen edhe zhvillimet në vend, duke paralajmëruar për muaj “të acartë”, deri sa dielli të fillojë të ngrohë sërish, për shqiptaret të mbyllur brenda kufijve e të izoluar si kurrë më parë në këto 30 vjet.

Situata me pandeminë duket se po shkon drejt përkeqësimit e kulmi përvijohet i frikshëm.

Ekspertët kanë paralajmëruar se janari do të jetë muaji më i vështirë, pasi do të bëhen bashkë disa faktorë, si udhëtimet apo grumbullimet për festa, që përkojnë me një periudhë që sezonalisht është më e keqja për virozat.

Situata pritet të shtojë dhe më shumë numrin e fataliteteve dhe nëse lihet e lirë, nuk pritet të shihen përmirësime përpara fundit të marsit.

Në kahun tjetër, qeveria duket e vendosur që të mos e luftojë pandeminë, përmes mbylljeve dhe kufizimeve, sikurse bëri në muajt mars-prill.

Pasojat fatale që dha karantina e parë në ekonomi – e që në tremujorin e dytë shpunë në një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 10.2% – kanë bërë që qeveria të zgjedhë ekonominë përpara shëndetit.

Një mbyllje e rekomanduar nga Komiteti i Ekspertëve për Festat e Nëntorit nuk u pranua dhe sinjalet janë që edhe për pushimet e fundvitit, nuk do të ketë kufizime të rrepta.

Ndryshe po ndodh me pjesën më të madhe të vendeve të Europës, që shtuan kufizimet sapo vala e dytë e virusit nisi të përshpejtohej, në mënyrë që të vinin nën kontroll përhapjen e pandemisë dhe të mos rëndonin sistemet shëndetësore.

Për të amortizuar efektet në ekonomi të një karantine të dytë, Bashkimi Europian dhe shtetet e tij anëtare po shtojnë sërish stimujt dhe paketat mbështetëse për bizneset dhe individët.

Tek ne, keqmenaxhimi fiskal është një faktor kyç që ia ka ngushtuar shumë qeverisë marzhin e manovrës për të mbështetur ekonominë, e duket sikur kjo ka anuar nga zgjidhja drastike për ta çuar vendin drejt të ashtuquajturit “imunitet të tufës”.

Këtë strategji, në fakt, ka guxuar ta ndjekë vetëm Suedia, një shtet me standarde të larta të jetesës dhe veçanërisht e dalluar, si për sjelljen qytetare, ashtu dhe sistemin e institucioneve shëndetësore.

Borxhi publik në vend ka arritur 80% të PBB-së në gjashtëmujorin e parë të vitit, më i larti në rajon dhe në nivele që konsiderohen të paqëndrueshme.

Përtej kësaj, përpara një viti zgjedhor, qeveria nuk po heq dorë nga shpenzimet jo të domosdoshme, përkundrejt këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ky i fundit paralajmëroi qeverinë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare, në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave, si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre.

FMN vlerëson se ka një rrezik të lartë që qeverisë t’i mbarojnë amortizatorët fiskalë. Kjo do të shtonte vështirësitë e financimit dhe që vendi të mos kishte burimet e nevojshme për të zvogëluar goditjet. Në një skenar negativ, borxhi mund të shkojë vitet e ardhshme deri në 88% të PBB-së, duke detyruar më pas një korrektim të fortë fiskal, që në një rreth vicioz, të çojë në më shumë taksa e më pak shpenzime.

Teksa qeveria sot po rri e po bën sehir që virusi të ikë me ngrohjen e motit dhe ekonomia të shërohet vetë, një tjetër rrebesh i ra mbi kokë ditët e fundit.

Vrasja e një të riu të pafajshëm nga policia, e veçanërisht mungesa e transparencës për ngjarjen, mosinformimi i saktë i publikut në kufijtë e tentativës për mashtrim për ngjarjen që Kinshasa ka ndodhur, shërbyen si një katalizator për shpërthimin e pakënaqësive të një brezi, që deri tani kishte protestuar në heshtje përmes braktisjes së vendit.

Përballë pasojave afatgjata që ky emigrim do t’i sillte ekonomisë, “zgjimi” i tyre është një sinjal pozitiv se do të kërkojnë të ardhmen këtu.

Dhe kërkesa e llogaridhënies është opozita dhe presioni më i mirë që mund t’i bëhet çdo qeverie, e cila guxon të luajë me të ardhmen e tyre.

Është e vërtetë që muajt në vijim pritet të jenë të vështirë, por, po aq e vërtetë është se gjithmonë, ky vend, i cili ka kaluar shumë, pritet të dalë më i fortë, qytetarët më të ndërgjegjshëm që të mos pranojnë t’u nëpërkëmben të drejtat e tyre dhe qeveritë më të përgjegjshme, që të mos keqmenaxhojnë burimet njerëzore dhe financiare të një vendi që Zoti e ka bërë të begatë./Burimi:Monitor