KE: Shqipëria 3.7% rritje ekonomike këtë vit

321 0

Komisioni Europian projekton një rritje prej 3.7% për Shqipërinë gjatë vitit 2021, dhe 4.6% gjatë vitit 2022, në raportin lidhur me zhvillimet ekonomike në vendet kandidate përgjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas.

Në raport, Shqipëria renditet mes vendeve të goditura nga pandemia për shkak të dëmit të shkaktuar në turizëm, ndërsa theksohet ecuria e mirë e sektorit agro-bujqësor.

“Në termat e prodhimit pati një rritje pozitive në tremujorin e tretë në sektorin e bujqësisë, manifakturës, ndërtimit, pasurive të patundshme dhe shërbimeve publike, ndërsa industria e minierave mbetet e kontraktuar”, thuhet në raport.

Sipas raportit, pritet që papunësia të ulet në 12.8% gjatë këtij viti, nga 14.1% që rezultoi në 2020-n, ndërsa pagat do të rriten me 3.8%, që është vlera më e lartë e 5 viteve të fundit.

“Efektet e recesionit në tregun e punës mbetën të limituara, ndërsa në tremujorin e tretë rikuperimi i ekonomisë solli një ndikim pozitiv në indikatorët e këtij tregu”, vijon raporti.

Borxhi publik u rrit në 79.9% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të 2020-s, ndërsa ndihma e qeverisë për asistencën sociale u shtua me 16% më shumë se planifikimi për shkak të situatës së pandemisë, raporton Komisioni Evropian./Burimi:Atsh