Fiskalizimi/ Tatimet sqarojnë çfarë duhet të bëjnë fermerët dhe prodhuesit bujqësorë

433 0

Në vijim të interesimit të vazhdueshëm të fermerëve dhe prodhuesve të tjerë bujqësorë lidhur me procedurat standarte të faturimit në kuadër të procesit të fiskalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e gjen me vend të sqarojë të gjithë subjektet e interesuar për sa vijon:

Me anën e ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” nuk ka ndryshuar detyrimi ligjor për të lëshuar faturën që legjitimon një furnizim malli apo shërbimi por vetëm modalitetet e lëshimit të faturës.

Shprehimisht, gërma a), e pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” parashikon se, nuk mbartin detyrimin të lëshojnë faturë për furnizimin e mallrave apo shërbimeve, prodhuesit bujqësorë, që janë ose jo subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë;

Lidhur me këto lloj furnizimesh, pika 2, e nenit 7, të ligjit parashikon se, tatimpaguesit, subjekte të TVSH-së ose të tatimit mbi fitimin, apo të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për biznesin e vogël, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, detyrohen të lëshojnë faturë si pranues të mallrave apo shërbimeve të furnizuara kur: blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë, që janë subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Edhe pas fillimit të efekteve të plota të dispozitave të fiskalizimit, në rastin e grumbullimit dhe blerjes së produkteve bujqësore të tregtuara nga fermerët, fatura do të hartohet dhe fiskalizohet nga grumbulluesi blerës i produkteve bujqësore në harmoni edhe me kuadrin rregullues të fushës dhe sqarueset që DPT ka nxjerrë për këtë qëllim./Burimi:Monitor