Dyshimet për mpiksje gjaku, Agjencia Europiane e Barnave jep vendimin mbi AstraZeneca

298 0

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka hedhur poshtë çdo dyshim mbi efikasitetin e vaksinës “AstraZeneca”, pavarësisht se shumë vende pezulluan përdorimin e saj.

EMA deklaroi të martën se përfitimet nga vaksina “AstraZeneca” janë më të mëdha se rreziqet që vijnë prej saj. Deklarata erdhi pasi vende të shumta europiane ndërprenë përdorimin pas disa rasteve të mpiksjes së gjakut tek pacientët.

Drejtoresha ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke, deklaroi se nuk ka të dhëna se rastet në fjalë, të cilat sipas saj janë “shumë të rralla”, janë shkaktuar nga vaksina, edhe pse ekspertët e konsiderojnë si mundësi.

Cooke tha se besimi tek siguria e vaksinave është parësor dhe se agjencia po analizon çdo rast të dyshimtë.

Sinkron Emer Cooke, drejtoreshë ekzekutive e EMA:

“Ndërsa hetimi është në zhvillim, aktualisht mund të themi me bindje të fortë se përfitimet nga vaksina e “AstraZeneca” në parandalimin e COVID-19, duke marrë parasysh shtrimin në spital dhe vdekjet, janë më të mëdha se këto rreziqe”.

Rezultatet e zbulimeve nga analizat do të diskutohen në një mbledhje të EMA-së ditën e enjte, pas të cilës rezultatet do të bëhen publike.

Suedia dhe Letonia vendosën të martën pezullimin e përdorimit të vaksinës, duke e çuar mbi një duzinë numrin e vendeve të BE-së që kanë ndërmarrë një hap të tillë, pas verifikimit të trombozës tek pacientët që ishin injektuar me “AstraZeneca”.

Vende të tjera që më herët ndërmorën këtë hap janë Franca, Gjermania, Italia, Austria, Bullgaria, Danimarka, Irlanda, Holanda, Rumania, Sllovenia dhe Spanja./Burimi: EuroNews