Çmimet rriten me ritme më të ngadalta se në Europë, shtrenjtohet transporti

336 0

Shqipëria ka shënuar dy muajt e fundit rritje më të ngadaltë të çmimeve në raport me vendet e tjera të Europës, ndryshe nga viti i kaluar, kur ishte ndër 4-5 vendet me shtrenjtim më të lartë të mallrave të shportës konsumatore.

Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2021 është 1,4 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,3 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 2,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,5 %, “Shëndeti” 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,8 % dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,1 %.

Në muajin Mars 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,8 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,1 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 1,3 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u ulën me 0,6 %, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % dhe “Shëndeti” me 0,1 %.

Rritja e çmimeve në mars është nën mesataren e Bashkimit Europian.

Në mars, Shqipëria ishte e 12-a për rritjen e çmimeve në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, por lë pas edhe 15 shtete të tjera.

Publikimi i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit bëhet nga ana INSTAT që nga janari 2017 duke dhënë kështu një panoramë të qartë të lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane dhe duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve, në ndryshim nga Indeksi i Çmimeve të  Konsumit që mat vetëm inflacionin zyrtar në Shqipëri.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit)./Burimi:Monitor