Pesticidet Toksike Që Ndotin Ende Tokat Bujqësore – Rreziqet nga ekspozimi

524 0

Një studim tre vjeçar i kryer në këtë fakultet nga Profesor Aurel Nuro dhe kandidatja për doktorane Oljana Pine, që përmbledh periudhën 2014-2016, ka konfirmuar gjurmë lindani dhe DDT-je në 120 mostra produktesh të ndryshme ushqimore nga i gjithë vendi, duke filluar që nga uji i pijshëm, vera, fasulja, frutat e thata, vaji, gjalpi si dhe mishi e nënproduktet e tij.

Studimi ka konfirmuar gjurmë të lindanit dhe të DDT-së thuajse në të gjitha mostrat e analizuara, të marra në të gjithë territorin e vendit që nga Korça e deri në Kukës.

Për shkak se lindani dhe DDT-ja janë përdorur masivisht në bujqësi përgjatë viteve 60-70-80, por janë hequr nga qarkullimi që në fillim të viteve 90-të, autorët ia atribuojnë pikërisht kësaj periudhe prezencën e tanishme të këtyre kimikateve, duke e konsideruar ndotje historike ose të trashëguar.

Dy autorët e këtij studimi, ndonëse sqarojnë se nivelet e ndotësve klor-organikë ku bën pjesë edhe lindani, nuk i kalojnë nivelet e  rekomanduara në Direktivën e BE-s, sugjerojnë se këto të dhëna duhet të “shërbejnë si një alarm për institucionet përgjegjëse për të ushtruar kontrolle të vazhdueshme të tyre në ushqime sepse kjo është e lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e konsumatorëve.

Sipas tyre, “studimi i ndotësve organik dhe sidomos atyre klor-organik është një detyrim ligjor thuajse për të gjithë produktet ushqimore. Është e rëndësishme që këta ndotës klororganikë të përcaktohen në produkte ushqimore sepse ata paraqesin efekte shëndetësore për njeriun për shkak të toksicitetit të tyre të njohur”.

Rreziku nga Lindani dhe DDT-ja

Lindani në përgjithësi konsiderohet si një ndër kimikatet më të rrezikshme. Është një gama izomer me veprim insekticid të fortë. Është element kimik pa ngjyrë dhe erë karakteristike, i patretshëm në ujë dhe me qëndrueshmëri të lartë kundrejt ujit, dritës dhe ajrit. Ka veti të përhapet në shtresat tokësore me ujrat e reshjeve apo ato të përdorura për vaditje. Është i qëndrueshëm në mjedis dhe është i bioakumulueshëm në zinxhirin ushqimor si nga bimët ashtu dhe kafshët, madje dhe në mikroorganizma. Është substancë kancerogjene që mund të shkaktojë kancer të mëlçisë. Ekspozimi në nivele mesatare gjithashtu shkakton sëmundje të sistemit imunitar e të veshkave. Prekja apo marrja e një sasie fare të vogël lindani shkakton dhimbje koke, të vjella, dridhje e dobësi muskulare. Vështirësitë që i takojnë degradimit të lindanit e klasifikojnë atë në substancat që kanë qëndrueshmëri në mjedis dhe që quhen ndotës organik të qëndrueshëm (NOQ), ndërkohë shkalla e lartë e toksicitetit të tij e fut gjithashtu dhe në një grup tjetër ndotësish edhe më të rrezikshëm që janë ndotësit organik toksik (NOT).

Në Shqipëri fillimisht DDT dhe më pas lindani, ka qenë përdorur masivisht si dezinfektant dhe insekticid në bujqësi, në tejkalim të normave. Sotir Çuni, i cili ka punuar që nga viti 1966 si agronom në Libofshë të Fierit si dhe ka qenë edhe në krye të fermave të para viteve 90-të na tregon se ata nuk kishin asnjë dijeni për efektet anësore.

“E kemi përdorur dhe me shumë tepricë madje: deri në 3 kv/hektar për dezinfektim dhe 1 kv/hektarë për prodhim. Nuk diskutoheshin fare efektet anësore. Gëzoheshim që kishim prodhime të mbara, por nuk e dinim që po merrnim në qafë shëndetin tonë. Ndërkohë që nga fundi i viteve 80-të filluam të përdornim lindanin që prodhohej tek ish-kimikatja në Durrës, i cili ishte shumë më i fortë. Lindani që prodhohej në Shqipëri ishte shumë i mirë për prodhimin, por shumë edhe më i keq për shëndetin,” shpjegon agronomi, të cilit sot i duket absurde që askush nuk u kishte dhënë informacion për efektet anësore.

Efekteve e shumta anësore bëri që OBSH dhe FAO të ndalojnë përdorimin e tyre. U vërtetua se përdorimi i këtyre pesticideve, të cilët i rezistojnë degradimit dhe transportohen lehtësisht nëpërmjet ajrit, ujit apo gjallesave të tjera edhe në vende që nuk janë prodhuar e përdorur asnjëherë duke e kontaminuar atë. Në këtë situatë UNEP ndërmori hapat për përgatitjen e një instrumenti ligjor ndërkombëtar, me efekt detyrues, i cili do të përcaktonte rrugën “për një të ardhme pa ndotës Organikë të Qëndrueshëm”. Si rezultat i kësaj përpjekje, SHBA, së bashku me 90 shtete të tjera dhe me komunitetin Europian nënshkruanin në maj të 2001 në Stokholm të Suedisë një marrëveshje. Sipas traktatit, që njihet si “Konventa e Stokholmit”, shtetet ranë dakord të reduktonin ose të eliminonin prodhimin, përdorimin ose çlirimin e 12 ndotësve organikë. Në këtë listë bën pjesë edhe lindani, ndërsa DDT ishte ndaluar disa vite më parë. Shqipëria e ka ratifikuar “konventën e Stokholmit” në gusht të 2004-ës. Në përmbushje të detyrimeve që i lindën nga Konventa e Stokholmit, në vitin 2006, qeveria shqiptare hartoi një strategji kombëtare për heqjen nga përdorimi dhe eliminimin e ndotësve organikë të qëndrueshëm.

Aurel Nuro, profesor i asociuar në Departamentin e Kimisë te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i cili që prej vitit 2004 merret me studimin e ndotësve klor-organikë, na shpjegon se më e keqja e lindanit dhe DDT-së, të përdorur me shumicë në Shqipëri, qëndron tek fakti se pas shpërbërjes krijojnë formula të reja që janë shumë më toksike se sa formula mëmë.

“Sigurisht që prania e tyre ka ardhur në rënie krahasuar me 10-vite më parë, por kjo rënie ndonjëherë nuk ndikon për mirë, pasi në disa raste fitohen produkte që kanë shkallë toksiciteti më të lartë,” shpjegoi Nuro.

“Lindani dhe DDT edhe kur shkatërrohen çojnë në metabolit apo produkte degradimi, njëri prej të cilëve është DDE, që është shumë më i qëndrueshëm si dhe 10-50 herë më toksik se molekula mëmë DDT. Po ashtu, lindani kthehet në derivatet e klor acetik dhe për ta ilustruar ndikimin që ka po përdor shprehjen e një shkencëtari që ka thënë “se që kur u zbulua klori filloi t’i shkurtohej jeta njeriut”, pasi janë gjithmonë agresivë,” shtoi ai.

Sipas Nuros, Lindani dhe DDT-ja janë që të dyja molekula të mëdha, molekula që kanë klore dhe po t’i mbledhim të gjitha, dalin molekula të mëdha pak polare gjë që i bën të treten mirë në yndyrna ku edhe shfaqin probleme.

“Të dyja përdoren si insekticide, por në varësi të sasisë mund të vrasin çdo gjë. Janë jo-selektivë dhe kanë spektër të gjerë veprimi!,” tha ai.

Për kimistin Aurel Nuro, ndonëse nuk mund të përcaktohet se pas sa kohësh mund të japin efekt, është e sigurt që e komplikojnë shëndetin, pasi kjo është edhe arsyeja se përse këto preparate studiohen.

“Janë prokancerogjen shumë efektivë, kanë qëndrueshmëri shumë të lartë, shkaktojnë deformime gjenetike që mund të çojnë në tumore, ndikojnë tek gjëndrat endokrine, shkaktojnë probleme në riprodhim,” shpjegon Nuho.

Sipas Nuros është e paqartë se çfarë sasie lindani mund të shkaktoi sëmundje tumorale.

“Deri më tani nuk dihet as sa është sasia dhe as sa është koha që duhet të ekspozohen. Ka raste kur persona kanë punuar brenda fabrikës së lindanit dhe kanë jetuar më shumë se 90 vite, siç ka raste që persona të tjerë janë ekspozuar në ndotje minimale dhe kanë bërë kancer,” shtoi ai.

Në qershor të vitit 2015, Organizata botërore e Shëndetësisë, lëshoi një njoftim për shtyp sipas të cilës ekspozimet ndaj lindane dhe DDT shkaktojnë kancer. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) e OBSH-së, e klasifikoi lindanin, i cili është përdorur gjerësisht për kontrollin e insekteve, në grupin 1 (pra që ka prova dhe të dhëna të mjaftueshme. Vlerësimi bazohet zakonisht në studime epidemiologjike që tregojnë zhvillimin e kancerit tek njerëzit e ekspozuar), si kancerogjen ndaj njerëzve. Po në të njëjtin njoftim për shtyp IARC e klasifikonte DDT si ndoshta kancerogjen (grupi 2 A) ndaj njerëzve, bazuar në dëshmitë se DDT shkakton kancer në kafshët eksperimentale, por ka dëshmi të kufizuara për ndikimet që ka tek njerëzit.

Sipas njoftimit të OBSH-së, grupi i 26 ekspertëve nga 13 vende të ndryshme, ka arritur në përfundimin këto kimikate janë të lidhur në mënyrë specifike me limfomën non-Hodgkin, kancerin e testikujve dhe kancerin e mëlçisë. Ekspozimi ndaj lindanit mund të rrisë rrezikun e prekjes nga non-Hodgkin me 60%, sipas studimeve të kryera në Kanada dhe në SHBA.

Shahin Kadare, hispatolog onkolog, i cili merret me diagnostikim mikrospik të tumoreve na shpjegon se ndonëse ata janë kancerogjenë të njohur në mbarë botën, në vendin tonë është e vështirë të bësh një studim për efektet që mund të kenë shkaktuar në shëndet.

“Kur isha në fillore, aty nga vitet 50-të, mbaj mend që na vinin në rresht dhe para se të futeshim në shkollë na e bënin kokën me DDT kundër morrave pasi asokohe kishte shumë parazitë,” kujton Kadare.

“Dua të them që në vendin tonë është e vështirë të bësh një studim për të përcaktuar se çfarë efektesh në popullatë, pasi përdorimi i tyre ishte kaq i përgjithshëm, saqë nuk i ka shpëtuar askush. E ndërsa për të bërë një studim dhe efektet e mundshme, duhet të krahasosh një x popullatë që ka qenë e ekspozuar me atë që nuk ka qenë e ekspozuar. Dihet që janë kancerogjenë, por ne nuk kemi studime,” shtoi ai.

Ndonëse teorikisht në Shqipëri ndikimi në mjedis dhe në shëndet i këtyre pesticideve ka qenë i njohur nuk ka pasur një sistem monitorimi ose të mbledhjes së të dhënave për të përcaktuar këtë ndikim.

Një studim i bërë nga UNEP, si dhe në kuadër të një studimi të ISHP në fillim të viteve 2000 në dy mostra të qumështit të lopëve pranë zonës së Porto Romanos kishin prani të beta izomerëve HCH deri në 100 herë më të lartë se sa lejohet në vendet e BE-së. Sipas ekspertëve, qumështi i kësaj zone i cili shitej në qytetin e Durrësit, nuk mund të përdorej për konsum, pasi ishte i rrezikshëm për shëndetin./Burimi:Panorama