Vala e re e pandemisë: A mjafton imunizimi natyror e nga vaksina i popullatës?

455 0

Pandemia Covid-19 do të jetë një sfidë e gjatë për sistemet shëndetësore dhe shëndetin e popullatës në vend. Mutacionet e reja shpesh më rezistente si varianti Delta, mungesa e antitrupave te një pjesë e popullatës që e ka kaluar virusin dhe ekspozimi i atyre që nuk e kanë kaluar, po e vënë vendin nën thundrën e një vale tjetër të pandemisë.

Pas një qetësimi në qershor-korrik 2021, ku numri i rasteve të reja thuajse shkoi drejt zeros, infektimet u rikthyen në gusht, me mbi 900 raste të reja pozitive në ditë.

Alban Ylli, ekspert i Shëndetit Publik, pjesë e Komitetit të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, tha se imunizimi i popullsisë me 70% nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar një valë tjetër. Ai parashikon një valë të tretë të njëjtë me dy të kaluarat, për shkak të përhapjes së variantit të ri Delta dhe rikthimin e virusit tek personat që e kanë kaluar një herë. Por mjekët që merren me trajtimin e të sëmurëve me Covid-19, pohojnë se, pavarësisht përhapjes, pasojat nuk do të jenë aq të rënda në shëndet sa në valët e tjera.

Në klinikën e specializuar të trajtimit të mushkërive “Hektor Çoçoli” në Tiranë, e njohur si Dispanseria, mjekët thanë se, për shumicën e të sëmurëve, aktualisht simptomat e virusit janë më të lehta dhe nuk po shkaktohet prekje masive e mushkërive si në dimrin 2020-2021.

Mjeku Luan Dyrmishi tha se rastet e infektimeve me Covid-19 që kërkojnë trajtim janë shtuar, por sipas tij nuk janë aq të rënda sa dy valët e kaluara. Vala e tretë po tregon edhe raste të riinfektimit edhe te personat që janë imunizuar në mënyrë natyrore, pasi e kanë kaluar virusin, por edhe tek ata persona që kanë bërë vaksinën. Dallimi është se, rastet e riinfektimeve dhe tek personat që kanë bërë vaksinën janë shumë të lehta dhe simptomat ngjajnë me një grip të lehtë.

Mjekët parashikojnë se vala e tretë do të ketë ndikime më të lehta në vdekshmëri te popullsia, teksa vaksinimi po vijon dhe një pjesë e popullatës, sidomos në Tiranë, është imunizuar. Sipas tyre vaksinimi mbetet një element i rëndësishëm për parandalimin e pandemisë, teksa këshillojnë përdorimin e maskave, të cilat ndihmojë edhe frenimin e virozave të stinës.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,340,339 doza të vaksinës ndaj Covid-19, prej tyre 575,342 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat. Duke iu referuar të dhënave zyrtare në vendin tonë janë infektuar 140 mijë persona, por kjo shifër besohet të jetë gati pesë herë më e lartë, për shkak se shumica kanë zgjedhur të marrin diagnozë radiologjike, ose të mjekohen pa bërë tampon.

Ekspertët e Shëndetit Publik besojnë se 30% e popullsisë është ende e paimunizuar dhe kjo është e mjaftueshme për një valë tjetër pandemike. Për nga aspekti i menaxhimit, kjo valë do të jetë më e lehtë për sistemet shëndetësore pasi infrastruktura është ngritur, stafet mjekësore janë më të trajnuara, protokollet e mjekimit kanë përparuar dhe popullata është më e informuar.

Në aspektin ekonomik, vala e tretë e Covid-19, do të ketë ndikim të tërthortë. Masat e rrepta kufizuese nuk do të kthehen më, por bizneset do të vuajnë rentabilitetin e fuqisë punëtore, ku shumë persona do të duhet të shkëputen nga angazhimet e punës si pasojë e infektimeve. Pandemia do të mbajë frenat mbi konsumin normal, pasi popullata do të priret të kursejë, ose të kanalizojë, një pjesë të shpenzimeve për shëndetin, siç ka ndodhur vitin e fundit./Burimi: Monitor

Valë më e lehtë

Ekspertët e Shëndetit Publik besojnë se 30% e popullsisë është ende e paimunizuar dhe kjo është e mjaftueshme për një valë tjetër pandemike. Për nga aspekti i menaxhimit, kjo valë do të jetë më e lehtë për sistemet shëndetësore pasi infrastruktura është ngritur, stafet mjekësore janë më të trajnuara, protokollet e mjekimit kanë përparuar dhe popullata është më e informuar.