Përse Është I Rëndësishëm Diagnostikimi Tek Sëmundjet E Zemrës?

653 0

Sëmundjet e zemrës zënë vendin kryesor në botë për mortalitetin dhe barrën ekonomike. Mjeku kardiolog Leonidha Pepo thotë se si pasojë e arterosklerozës së mureve të enëve të gjakut dhe trombozës, sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor për vdekshmërinë e parakohshme.

Europa është ndarë në 4 rajone risku për të pasur evente kardiovaskulare në 10 vitet ardhshme, bazuar në mortalitetin nga sëmundjet kardiovaskulare. Vendet u grupuan në katër rajone sipas raportimeve të tyre më të fundit në OBSH për mortalitetin nga sëmundjet kardiovaskulare për 100,000 banorë. Popullata në Shqipëri, në bazë të këtyre raportimeve, shton më tej doktori, futet në kategorinë me risk të lartë (150 deri < 300 të sëmëurë për 100,000).

Në këto kushte, diagnostikimi i hershëm, por edhe trajtimi i duhur, bëjnë të mundur që të rritet jetëgjatësia dhe në të njëjtën kohë, të përmirësohet cilësia e jetës. “I rëndësishëm është diagnostikimi në kohën e duhur dhe me metodat e duhura, mjekimi, në mënyrë që të reduktohet sëmundshmëria dhe vdekshmëria, dhe të rritet jetëgjatësia e pacientëve. Duke përmirësuar edhe cilësinë e pacientit në të njëjtën kohë”, thekson mjeku kardiolog.

MJEKU KARDIOLOG LEONIDHA PEPO

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) zënë vendin kryesor në botë për nga mortaliteti dhe barra ekonomike. SKV, si pasojë e arterosklerozës së mureve të enëve të gjakut dhe trombozës, janë shkaku kryesor për vdekshmërinë e parakohshme dhe po bëhen gjithmonë e më të shpeshta edhe në vendet në zhvillim. Përbëjnë 53-56% të të gjitha sëmundjeve dhe 59% të vdekjeve nga të gjitha shkaqet.

Në të gjithë botën janë të prekur gati 422.7 milionë nga SKV. 17.9 milionë njerëz humbasin jetën çdo vit nga SK, që përbën 31% të vdekjeve globale, nga të cilat 85% nga infarkti i miokardit dhe insulti cerebral. Pjesa më e madhe e këtyre vdekjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Sipas një studimi të publikuar në vitin 2015, prevalenca e dislipidemive në Shqipëri është 58.6 %, e ngjashme me atë të vendeve të tjera europiane. Më tej, studimi tregon se rreth 1.4 milionë shqiptarë kanë të paktën një prej faktorëve të riskut të lartë të dislipidemisë. Hiperkolesterolemia totale (TC e” 200 mg/dL) është e lartë në 44.3% të popullsisë dhe femrat kanë një prevalencë më të lartë se sa meshkujt, por pa ndonjë ndryshim të konsiderueshëm nga ana statistikore. Prevalenca e LDL-C (e” 130 mg/dl), HDL-C (d” 40 mg/dl) dhe TG (e” 150 mg/dl) ishte 34%, 17.2% dhe 22.6 %, përkatësisht. Në studim, dislipidemia nuk lidhej me grupmoshat, BMI, arsimimin dhe të ardhurat e familjes, por lidhej me nivelin e glukozës esëll në gjak.

Hiperlipidemia është një faktor kryesor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare arterosklerotike (ASCVD), duke sjellë një shqetësim të madh për shëndetin publik. Evidenca të shumta mbështesin faktin që reduktimi i LDL-C/Lp(a) ul rrezikun e ASCVD. Lp (a) është një faktor gjenetik risku, i pavarur, për zhvillimin e ASCVD, i cili nuk ndikohet nga ndryshimi i stilit të jetesës dhe faktorët ambientalë. Globalisht, rreth 1.4 bilionë njerëz kanë nivele të larta të Lp (a) me vlerë mbi 50 mg/dl. Globalisht, rreth 1 ne 5 njerëz zhvillojnë ASCVD, si pasojë e niveleve të larta të Lp(a). Globalisht, rreth 1 në 3 njerëz kanë nivele të Lp (a) mbi 30 mg/dl.

DEPISTIMI

Përgjithësisht, dislipidemia është asimptomatike, prandaj një testim depistues është thelbësor për të identifikuar pacientët të cilëve iu nevojitet trajtim.

Depistimi për dislipideminë është gjithmonë i rekomandueshëm për pacientët me shfaqje klinike të SKV-së, në gjendjet klinike që lidhen me një risk të shtuar 10-vjeçar për SKV e” 10% dhe kurdo që merret në konsideratë depistimi për faktorët e riskut.

Europa është ndarë në 4 rajone risku për të pasur evente kardiovaskulare në 10 vitet ardhshme, bazuar në mortalitetin nga sëmundjet kardiovaskulare. Vendet u grupuan në katër rajone sipas raportimeve të tyre më të fundit në OBSH për mortalitetin nga SKV për 100,000 banorë. Popullata në Shqipëri në bazë të këtyre raportimeve futet në kategorinë me risk të lartë (150 deri < 300 SKV për 100,000). Për këtë arsye merr një vlerë të veçantë çdo aktivitet ndërgjegjësues për parandalimin e SKV. Këshillohet një matje e rregullt gjatë gjithë jetës për nivelin e kolesterolit dhe Lp (a), duke filluar me një rekomandim të moderuar te fëmijët e vegjël deri në 2 vjeç, që kanë një histori familjare të CVD të hershme ose kolesterol të lartë të konsiderueshëm. Për fëmijët e tjerë rekomandohet që testet fillestare të kolesterolit në gjak të kryhen midis moshës 9-11 vjeç për të vlerësuar rrezikun më herët dhe për të zbuluar anomalitë e lipideve. Nëse dislipidemia identifikohet te fëmijët ose adoleshentët, ndryshimet e stilit të jetesës janë qasja e preferuar. Duke filluar nga mosha 20 vjeç duhet të bëhet një vlerësim i lipideve për të gjithë pacientët, për të vlerësuar rrezikun e CVD dhe për të përcaktuar një profil bazë të yndyrave. I rëndësishëm është diagnostikimi në kohën e duhur dhe me metodat e duhura, mjekimi, në mënyrë që të reduktohet sëmundshmëria dhe vdekshmëria, dhe të rritet jetëgjatësia e pacientëve. Duke përmirësuar edhe cilësinë e pacientit në të njëjtën kohë.

TERAPIA

Sa i takon terapisë së dislipidemive, statinat janë linja e parë e terapisë. Kohët e fundit shkenca farmaceutike ka bërë hapa galopantë me daljen në skenë të alternativave të reja të trajtimit, ku vëmendjen kryesore e ka zënë një medikament, ARN e vogël interferuese (small interfering RNA – siRNA) që inhibon sintezën e proteinës PCSK9, si target për të ulur LDL-C. Ky medikament qëndron aktiv për një kohë të gjatë, duke ofruar kështu mundësinë për dozime jofrekuente. Për më tepër dhe bazuar në mekanizmin e tyre të veprimit (MoA), terapitë siRNA janë dizenjuar për të qenë shumë selektive, duke vepruar specifikisht mbi targetin e dëshiruar dhe duke minimizuar kështu rrezikun e efekteve anësore si pasojë e veprimeve jashtë targetit. Tashmë janë publikuar informacione mbi MoA të Inclisiranit. Ky medikament, me këtë mekanizëm të veçantë veprimi, me një regjim dozimi unik dy herë në vit, ka treguar reduktime potente dhe që zgjasin të nivelit të LDL-C >50% dhe profil sigurie dhe tolerueshmërie të mirë në studimet e fazës III. Përse na nevojitet ky medikament kur mund të ndryshohet stili i jetesës dhe ka trajtime të tjera, p. sh., statinat? Shumë njerëz luftojnë që të mbajnë një stil jete të shëndetshëm dhe vetëm përmirësimet e stilit të jetës mund të mos mjaftojnë – veçanërisht për njerëzit me një risk të lartë për SKV. Veç kësaj, megjithëse terapitë aktuale janë provuar si efektive në uljen e LDL-C, shumë njerëz nuk marrin trajtimin e duhur ose të mjaftueshëm. Shumë njerëz nuk marrin terapitë e përshkruara sipas udhëzimeve. Aderenca e varfër ndaj terapive që kërkojnë administrim frekuent minon suksesin e trajtimit. Një numër i mirë pacientësh janë intolerantë ndaj statinave. Edhe kur njerëzit i marrin terapitë sipas përshkrimit, jo të gjithë arrijnë nivelin që kërkojnë të LDL-C. P. sh., në pacientët me ASCVD, kombinimi i terapive orale me doza të larta lë jashtë rreth një në gjashtë njerëz në nevojë për terapi shtesë për të ulur LDL-C e tyre në nivelet e duhura. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm çon në rezultate me të mira, në një jetë më cilësore për pacientët duke pasur parasysh se dislipidemia është e nëndiagnostikuar dhe e nëntrajtuar. Ndaj, detyrë e të gjithë specialistëve të mjekësisë është të sensibilizojnë popullsinë që të kenë dijeni për rrezikun dhe parandalimin e sëmundjeve të prekura nga yndyrat e larta./Burim: Panorama