“Nuk ka rrezik tek ushqimet” – Zv.ministrja e Bujqësisë për gripin e shpendëve

453 0

Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka bërë raportimin e përditshëm gjatë orëve të fundit mbi situatën e gripit të shpendëve duke thënë se nuk ka asnjë rast pozitiv.

Ermira Gjeci: Për situatën e gripit të shpendëve nuk kemi pasur asnjë rast të ri pozitiv. Po ashtu nuk kemi pasur denoncime. Në të gjithë territorin, vijon procesi i eliminimit dhe groposjes së shpendëve të ngordhur duke zbatuar rregullat e mirëqenies së kafshëve.

Vijon monitorimi i situatës me kontrolle në ferma. Nga kontrollet për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon kontrollet në të gjithë vendin dhe nuk janë konstatuar shkelje.

Po vijon bashkëpunimi me njësitë e bashkëqeverisjes vendore për ndalimin e tregtimin të gjësë së gjallë në ambiente të pamiratuara. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të ri, janë marrë masat e lëvizjes së shpendëve nga ferma në fermë. Po kryejmë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim marrjen e masave kufizuese në vend.

Jemi në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë territorin. Ushqimet në tregun tonë janë të sigurta për konsumatorin, nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe i vezëve.

Kur u pyet për pastrimin e plotë nga infeksioni, Gjeci u shpreh se ka ende kafshë të gjalla që duhet të eliminohen në kompleksin në Xhafzotaj dhe më pas të groposen, proces i cili merr 5-6 ditë kohë.

Ermira Gjeci: Ne jemi në procesin në kompleksin në Xhafzotaj që është proces i gjatë, ka kafshë ende të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që të eliminohen gradualisht dhe të groposen, në të kundërt shkaktojnë problematika.

I gjithë procesi i groposjes merr kohë, nga 5-6 ditë. Lidhur me vatrat e tjera, janë të pastruara, kanë numër të vogël të ngordhjeve por duhet të vijojnë me protokollin e dizenfektimit.

Burimi: Top Channel