Mikrofinancimi – Zgjidhje për Fermerët

415 0

Procedura të thjeshta dhe të shpejta aplikimi, kohë e shkurtër e procesimit dhe aprovimit të kredisë si dhe kushte më fleksibël për segmentin e klientëve me të ardhura jo shumë të mëdha. Hyrje në Mikrofinancë.

Burimi kryesor i financimit, veçanërisht për një sektor në rritje të ekonomisë, bujqësinë. Rritja e sektorit dhe në të njëjtën kohë rritja e kërkesës për produkte cilësore kërkon investime të vazhdueshme në teknologji.

Është pak por e sigurt, teknologjia sot nuk mund të paguhet me shkëmbime produktesh. Zgjidhja është financimi. Aksesi në financim është një nga problemet kryesore, veçanërisht për fermerët e vegjël, të ardhurat e të cilëve varen tërësisht nga aktiviteti bujqësor.

Mikrofinanca është zgjidhja për këtë segment fermerësh. Është mjeti që i ndihmon të kalojnë nga bujqësia informale, duke i dhënë një dorë ndihmëse për t’u rritur e zhvilluar më tej. Ky sektor luan një rol aktiv në edukimin e klientëve informalë mbi botën e financave dhe shërbimeve financiare në të cilat mund të kenë akses. Në Shqipëri, ku penetrimi i shërbimeve financiare është më i ulëti në rajon, kjo është mënyra më e sigurt për të edukuar sektorin informal dhe për ta prezantuar atë më tej një botën e shërbimeve më të sofistikuara bankare.

Institucionet financiare që kërkojnë të shtrijnë aktivitetin e tyre në zonat rurale hasin sfida dhe pengesa të shumta, si infrastruktura e dobët, kërkesa e shpërndarë, risqet e çmimit dhe të interesit si dhe vlefshmërinë dhe pranieshmërinë e kolateralit.

Por jo i gjithë financimi rural shkon në bujqësi dhe jo i gjithë financimi bujqësor është financim rural. Financimi rural lidhet me shërbimet e ofruara në zonat rurale ndaj personave me nivele të ndryshme të ardhurash, ndërsa financimi bujqësor lidhet me investimet në këtë sektor, prej prodhimit në shitje. Pak dihet për nevojat financiare të individëve të cilët kërkojnë financime në këto zona, përvec se kërkesa për financime mund të jetë më e madhe se oferta. Zhvillimet dhe përmirësimet në teknologji e bëjnë thelbësor prezencën e institucioneve të mikrofinancës në këto zona. Po aq thelbësore është dhe analizimi dhe njohja e thellë e nevojave konkrete financiare të klientëve, në mënyrë që t’u shërbehet sa më mirë.

Në botë, një shifër prej rreth 500 milionë fermash të vogla, apo 2.5 miliard persona varen deri në një masë të caktuar nga prodhimtaria bujqësore. Ky segment përbën dhe target grupin më të madh të institucioneve të mikrofinancës.

Mikrofinanca në Shqipëri

Ndërkohë që gjatë këtyre viteve të fundit, në Shqipëri sektori i mikrofinancës ka përjetuar një rritje të qëndrueshme. Institucionet e mikrofinancës kanë kredituar më shumë se 350.000 sipërmarrës të vegjël dhe familje në të gjithë Shqipërinë duke injektuar në ekonominë kombëtare mbi 1 miliard Dollarë. Sipas Znj. Herjola Spahiu, Kryetare e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, gjatë vitit 2013, tregu i mikrofinancës mbajti të njëjtin dinamikë rritje si në vitet e mëparshme. U rrit me 5.6% të portofolit të kredive dhe numrit të klientëve të shërbyer. Znj. Spahiu pohon se niveli i kredituar gjatë këtij viti nga institucionet e mikrofinancës në vend ishte 16 miliard Lekë.

“Prioriteti ynë janë zonat rurale dhe të thella. 100% e territorit mbulohet së paku nga një prej institucioneve tona. Një nga prioritetet tona ka qenë fuqizimi i sipërmarrjeve të grave. Shpresojmë dhe besojmë që këtë vit të mbështesim edhe më shumë sipërmarrje të tyre. Për çdo kredi të re hapen mesatarisht 1.4 vende të reja pune. Nisur nga konteksti i krizës ekonomike dhe rëndësisë që ka sipërmarrja private në vend (95% e sipërmarrjeve kanë 1 deri në 4 punonjës), mikrofinanca është realisht një shtyllë e zhvillimit ekonomik në vend”, shprehet Zana Konini nga Unioni Shqiptar i Kursim Kreditit.

Rëndësinë e institucioneve mikrofinanciare e vlerësoi dhe drejtori i Departamentit të Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Z. Deniz Derralla, i cili siguroi mbështetje maksimale të Bankës Qendrore për këto institucione.

Mikrofinanca në Shqipëri fokusohet në sektorin bujqësor dhe ofron produkte kredie të dedikuara dhe të adaptuara ndaj karakteristikave dhe specifikave të këtij sektori, si sezonaliteti i prodhimit, apo cikli i biznesit.

Ky sektor shtrihet në më shumë se 10% të popullsisë rurale nëpërmjet dhënies së kredive ndaj fermave të kategorizuara si mikro apo të vogla. Znj. Spahiu përmend si një nga avantazhet e sektorit të mikrofinancës ofrimin e shërbimit të kredidhënies apo depozitave në një segment të popullsisë që jeton në zona të thella të vendit dhe nuk mund të arrihet nga institucionet më të mëdha financiare. Sipas Znj. Spahiu një tjetër avantazh i institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri është modeli i biznesit, i ndërtuar në mënyrë të atillë që të arrijë kompanitë e vogla, bizneset familjare apo fermerët. Ky segment që nuk është në fokus të tregut financiar është një prej faktorëve kryesorë që ndikon në rritjen ekonomike të vendit.

Sfidat e sektorit

Megjithatë, edhe pse ka shënuar rritje të vazhdueshme ky sektor përballet me sfida të shumta. Institucionet financiare që punojnë në sektorin bujqësor hasin limitime dhe vështirësi që lidhen kryesisht me natyrën informale të tij.

Znj. Spahiu përmend disa prej limitimeve. Përmirësimi i legjislacionit apo modelit të taksave të aplikueshme, në mënyrë që kuadri rregullativ të pasqyrojë realisht dimensionin social të këtij aktiviteti është një prej tyre. Nevoja e financimit të ekonomisë lokale mbetet gjithashtu një sfidë e madhe për shkak të problemeve të shumta që lidhen me pronësinë dhe nivelin e ekonomisë informale./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.