Shqipëria së shpejti me një Bursë Bujqësore

351 0

Një Bursë Bujqësore që do të jetë mbrojtësi më i mirë i interesave të fermerëve, si edhe i konsumatorëve që blejnë në pikën fundore. Kështu e ka cilësuar Ministri i bujqësisë Edmond Panariti platformën e re që do të jetë online së shpejti dhe e aksesueshme nga kushdo. Gjatë prezantimit të kësaj platforme Ministri Panariti tha se çmimi i dakordësuar mes prodhuesit e grumbulluesit, do të vendoset me ankand

“Nuk do të lejojmë më, që të spekulohet në kurriz të fermerëve dhe prodhuesve. Siç ka dhe tregtarë të ndershëm, ka edhe nga ata spekulantë, por ne nuk do të lejojmë që të ketë prodhim nën kosto, prodhim që t’i dalë fermerit me humbje”, tha Ministri Panariti, gjatë prezantimit të projekt-platformës për Bursen Bujqësore.

Ministri Panariti e prezantoi sot këtë mekanizëm, në prani të Drejtorëve të Bujqësisë ne qarqe, përfaqësues të shoqatave të fermerëve, por edhe të grumbulluesve të produkteve bujqësore, si dhe të eksportuesve. Ministri deklaroi se, kjo platformë, ky projekt, i cili do të nisë të funksionojë sapo të plotësohet i tëri dhe që në të duhet të përfshihen edhe institucione të tjera, do të vendosë çmimin fillestar, si një mekanizëm që shërben për dakordësimin e çmimit mes palëve.

“Prodhuesit negociojnë me grumbulluesit për një periudhë të caktuar, që mund të jetë njëditore, dyditore, një javore etj. Do të përcaktojnë ato, që unë i konsideroj si çmime të dakordësuara mbi bazën e ankandit, që do të jenë çmimet e referencës. Kuptohet, këto do të jenë çmime që nuk mund të jenë kurrë poshtë kostos së prodhimit. Qëllimi jonë kryesor është mbrojtja e fermerit nga humbja. Të gjithë duhet të jenë në rolin fito-fito dhe nuk ka pse, apo s’duhet të ndodhë që dikush fiton, ndërsa fermeri vetëm humb. Ne nuk do ta lejojmë këtë dhe ky mekanizëm, i cili do të nisë zbatimin së shpejti, do t’i mbrojë fermerët”, theksoi Ministri i Bujqësisë, sipas të cilit, “çmimi referencial është vetëm hapi i parë drejt Bursës Bujqësore që do të jetë edhe mekanizmi rregullator i tregut bujqësor në të ardhmen. Ky çmim do të orientojë fermerët në çmimet e shitjes, blerjes dhe eksportet”.

Por, për Ministrin e Bujqësisë, një faktor shumë i rëndësishëm është edhe mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin. “Kjo është në interes jo vetëm të prodhuesit dhe të grumbulluesit, por edhe të konsumatorit. Edhe konsumatori duhet të ketë një transparencë në çmimet e shitjes me shumicë, në mënyrë që kur të kalojë malli bujqësor tek dora e tretë, të ketë një çmim preferencial. Çdo konsumator duhet ta dijë dhe nëpërmjet kësaj platforme mund të orientohet, se sa është sot në Lushnjë apo në një rreth tjetër çmimi i një produkti dhe ai të mos e blejë atë në një treg apo tezgë me 10 fishin e çmimit”, theksoi Ministri Panariti.

Pas prezantimit të strukturës së platformës, fermerë, grumbullues, eksportues dhe krerë të Bujqësisë në qarqe, hodhen idetë e tyre për disa shtime zërash, detajesh apo edhe ndryshime, me qëllim që platforma të jetë sa më atraktive dhe më e pasur me informacione, gjë që u ra dakord për t’u shtuar në mënutë e saj.

Që nga momenti i përfundimit të saj, platforma do të jetë online për çdokënd që ka interes të marrë informacion për çmimet e produkteve bujqësore./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.