Uji Shumë Më i Shtrenjtë! A Do të Jetë i Pijshëm?

999 0

Nesër Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë tarifat e reja të ujit. Çmimi parashikohet të rritet nga 45 lek për metër kub që është tani dhe të kapë shifrën 65 lekë/m3 për familjarët. Rritje drastike do të ketë edhe çmimi i faturimit të ujit për bizneset, nga aktualisht 135 lekë/m3 në shifrën 190 lekë/m3 për bizneset.

Projekti i propozuar nga Bashkia argumenton se Ujësjellësi ka nevoja emergjente për të ardhura, dhe se tarifat propozohen të ndryshojnë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve.

Ndërmarrja e Ujë dhe Kanalizime e Tiranës është një nga kompanitë shtetërore me normat më të larta të fitimit në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të publikuara tregojnë se të ardhurat e UKT në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë rreth 21.5 milionë euro.

Pagesat e konsumatorëve familjare përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave të ndërmarrjes. Por në Tiranë ashtu si edhe në pjesën kryesore të vendit, uji i rrjetit nuk konsumohet si i pijshëm, megjithëse faturohet si i tillë.

Pjesa më e madhe e konsumatorëve janë të detyruar të konsumojnë ujë të ambalazhuar kryesisht të furnizuar nga disa kompani prodhuese në vend. Tregu i shfrytëzimit të ujrave të ambalazhuar rregullohet me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM Nr.662) që daton në 21 Shtator 2016, sipas të dhënave të fundit të publikuara në media.

Kjo VKM përcakton çmimin prej 5 lekësh për metër kub si një tarifë për kompanitë tregtare të ujit që shfrytëzojnë ujërat mbitokësore dhe ato nëntokësore.

Qeveria ka përcaktuar që firmat tregtare për prodhimin e ujit mineral dhe ujit natyral në shishe të destinuara për konsum duhet të paguajnë 5 lekë për metër kub ujë që përdoret në rast se Uji është marrë në sipërfaqen e tokës dhe 12.3 Lekë për metër kub nëse shfrytëzohet burim uji nëntokësor.

Llogaritja është e thjeshtë! Operatorët që tregtojnë ujë të paketuar për konsum e përfitojnë ujin me 5 lekë për metër kub, ndërsa konsumatorët familjarë duhet të paguajnë 65 lekë për metër kub ujë nga ujësjellësi me origjinë rezervuarin e Bovillës.

Çmimi i ujit në Tiranë pritet të arrijë tarifat e aplikuara në qytete si Korça dhe Pogradeci. Por uji i rrjetit të këtyre qyteteve është realisht i pijshëm dhe konsumatorëve nuk i nevojitet uji i ambalazhuar.

Komentoni në kanalin Facebook të AgroWeb.org nëse rritja e tarifave të ujit duhet të shoqërohet patjetër me garantimin që uji i UKT të jetë realisht i pijshëm./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.