Gati Rritja e Çmimit të Ujit. Sa Do Paguani?

539 0

Propozohet zyrtarisht rritja e çmimit të ujit. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e mërkurë të javës së ardhshme për të miratuar tarifat e reja të propozuara të ujit të pijshëm.

Çmimi parashikohet të rritet nga 45 lek për metër kub që është tani dhe të kapë shifrën 65 lekë/m3 për familjarët. Rritje drastike do të ketë edhe çmimi I faturimit të ujit për bizneset, nga aktualisht 135 lekë/m3 në shifrën 190 lekë/m3 për bizneset.

Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore të aplikuar nga UKT. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe parashikohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj.

Projekti i propozuar nga Bashkia argumenton se Ujësjellësi ka nevoja emergjente për të ardhura, dhe se tarifat propozohen të ndryshojnë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve.

Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projekt-vendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lek/m3.

Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë.

“Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil të Bashkia Tiranë, popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi me shërbimin e ujit është 85% për Bashkinë Tirana e madhe ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacionin e paraqitur për mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Jeni pro apo kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm? Shkruani mendimet tuaja në kanalin Facebook të AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.