Banka e Shqipërisë – Mikrofinancimi rritet me 12%

465 0

Shërbimet financiare të kursim-kreditit janë rritur me ritme të larta në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shoqëritë e kursim-kreditit, në fund të muajit qershor zotëronin një total aktivesh në shumën e 7.6 miliardë lekëve, në rritje me afro 12% që nga fillimi i vitit.

Ndonëse me një peshë shumë modeste në sistemin financiar, aktiviteti i shoqërive të kursim-kreditit ku kryeson FED Invest është i përqendruar në zonat rurale të vendit dhe është i orientuar kryesisht te bujqësia. Vlerësohet se numri i individëve të anëtarësuar në shoqëritë e kursim-kreditit është më shumë se 40 mijë, të shpërndarë në mbi 1100 fshatra në të gjithë vendin.

Kreditimi mikro përmes FED Invest ka rezultuar si formula më e suksesshme për të çuar shërbimet financiare në zonat rurale dhe periferike.

Në pjesën më të madhe, asetet e këtij sektori konsistojnë në hua të dhëna për anëtarët e shoqërive të kursim-kreditit. Rreth 150 mijë kredi bujqësore janë dhënë në 25 vitet e fundit nga Fed Invest për fermerët shqiptarë. Ky institucionfinancon aktivitetet bujqësore dhe blegtorale të banorëve të fshatit, duke iu ardhur në ndihmë atyre për të zgjeruar fermat apo vreshtat e ngritura.

Aktualisht janë më shumë se 40 mijë anëtarë pjesë e FED Invest dhe interesi për të qenë pjesë e këtij institucioni rritet vit pas viti. Përmes FED Invest fermerë pothuaj nga gjithë Shqipëria përfitojnë kredi me një kosto sa më të ulët dhe në një kohë sa më të shkurtër.

Rritja e Depozitave

Ndërkohë rritja e depozitave dhe zgjerimi i aktivitetit të këtij sektori është nxitur ndjeshëm nga përfshirja e shoqërive në skemën e sigurimit të depozitave, që u bë efektive në fillim të këtij viti.

Aktualisht FED Invest është i pranishëm në 1080 fshatra dhe 18 zyra rajonale me identitet të njësuar shërbimi, të cilat përdorin procedura të standardizuara operacionale përmes një teknologjie të centralizuar të informacionit, shkruan ATSH.

Për më tepër objektivat e tij në këtë vit janë më  të larta, pasi ato  synojnë një hop cilësor dhe sasior në aktivitetin e institucionit ku: do të mbulohen 40 % e zonave rurale në vend, do të ketë rritje të numrit të anëtarëve me 20%, rritje të portofolit të kredisë dhe të depozitave me 15 % dhe rritje në totalin e aktiviteteve mbi 20%.

Këto objektiva do të mundësohen dukepërmirësuar drejtimin dhe rritjen e rolit të të zgjedhurve duke mbështetur dhe financuar agro-bizneset në të gjithë zinxhirin e vlerës. Kjo vjen duke përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme infrastrukturën teknologjike me produkte të reja bankare, duke rritur kapacitetet njerëzore, fuqizuar administrimin e riskut dhe zgjerimin e partenerëve strategjikë. Burimi ATSH

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.