Bujqësia drejt marrjes së fondit europian 71 Milion Euro

364 0

Një dritë jeshile për financimin e fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare. Qeveria shqiptare ka dorëzuar zyrtarisht pranë Komisionit Europian aplikimin për akreditimin e Strukturës Operative për menaxhimin e grantit prej 71 milionë euro për mbështetjen e bujqësise dhe zhvillimit rural, në kuadër të programit IPARD 2014-2020.

Akreditimi i Strukturës Operative për fondet e IPARD-it në Shqiperi është dorëzuar dhe pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, DG AGRI. Etapa më e rëndesishme është në Nëntor të ketij viti kur pritet ardhja e auditoreve nga Brukseli per aprovimin ose jo te akreditimit. Nëse vërehet se kjo strukturë ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe aprovohet, fondi i BE-së bëhet i aksesueshem.

Çfarë është ky fond dhe kur pritet të nisin aplikimet?

Marrëveshja për dhënien e këtij fondi është nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bujqësisë dhe Zvillimit Rural (DG-Agri), Jersy Plewa. Është fondi më i madh i grantit dhënë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar dhe mbështetur fermerët dhe bizneset e zonave rurale në vend, sipas deklaratës së dhënë nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti menjëherë pas takimit. Bazuar në dokumentacionin e siguruar nga AgroWeb mbi detajet e Marrëveshjes, vlera e fondit për vitin e parë është 13 Milion Euro duke pësuar një rritje në vitet 2019-2020 në 16 Milion Euro në vit.

Sipas këtij programi, femerët dhe agro-përpunuesit mund të përfitojnë fonde nga 10 mijë në 2 Milion euro. Sipas Ministrisë së Financave, në përfundim të këtij programi parashikohet të mbështeten afërsisht 2055 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune. Zbatimi i programit parashikohet të fillojë në vitin 2017.

Sa financim do të injektohet në bujqësi?

Pjesa e “luanit” duket se do t’i takoje fermerëve për Investime në fermat bujqësore, pasuar nga investimet për përpunimin dhe tregëtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit, investimet në diversifikimin e fermave dhe në asistencë teknike. Skema e granteve IPARD bashkëfinancohet nga BE 75% (71 Milion Euro) dhe nga Qeveria shqiptare 25% (23 Milion Euro) me një vlerë të përgjithshme të mbështetjes financiare prej rreth 94 Milion Euro përgjatë viteve 2016-2020. Duke pasur parasysh që fondet e BE-së mbulojnë 50-70% të investimeve, injektimi total në bujqësinë shqiptare pritet të jetë rreth 180 Milion Euro.

Ky program ka si synim të mbështetesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizik ose juridik, mikrobizneset dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojtura dhe vreshtave. Gjithashtu, programi synon të mbështesë investimet në akuakulturë, turizëm natyror dhe rural dhe prodhim të energjisë së rinovueshme.

BE apel Shqipërisë – Kujdes me fondet!

“Bashkimi Evropian ka një procedurë shumë strikte, që bën të mundur që paratë të kthehen mbrapsht nëse shtetet anëtare nuk i menaxhojnë siç duhet dhe nuk kontrollojnë shpenzimet e tyre. i njëjti princip rigoroz për fondet e BE-së vlen edhe për vendet kandidate, si anëtarë të ardhshëm të familjes sonë Evropiane”, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin në takimin e nivelit të lartë të mbajtur para pk akohësh në Tiranë për parandalimin dhe identifikimin e parregullsive dhe korrupsionin me fondet IPA për zhvillimin rural.

“Ky është një investim shumë i madh, i cili po të përdoret mirë, mund të çojë drejt një ndryshimi të thellë në strukturën e ekonomisë bujqësore dhe në cilësinë e ushqimit në Shqipëri. Ne i inkurajojmë fermerët dhe agrobizneset në Shqipëri që të jenë të vetëdijshëm dhe proaktivë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e madhe që po ju ofrohet”, vuri në dukje ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin në fjalën e saj.

“Këto janë para të vërteta që i shkojnë prodhimit dhe përpunimit bujqësor”, tha Shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe i Informacionit në Delegacionin e BE-së Jan Rudolph në tryezën e rrumbullakët “Mbështetje për të ardhmen e bujqësisë shqiptare” të zhvilluar pak kohë më parë nga USAID dhe CBS. Kjo mbështetje e gjerë e BE-së sipas Rudolph do të përmirësojë jetët e shumë njerëzve dhe do të përdoret për ta çuar më tej vendin përpara, si dhe për ta ngritur më në fund në një nivel të ri. Sektori bujqësor shihet si tejet i rëndësishëm nga BE për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri dhe do të ketë një vend të veçantë në negociatat e ardhshme të zgjerimit.

Financimi i bujqësisë mbetet i kufizuar, krahasuar me nevojën e sektorit si dhe me financimin e bujqësisë në vendet e tjera në rajon, thuhet në raportin e IPA-s. Për më tepër, masat mbështetëse kombëtare japin më shumë mbështetje financiare me grante për prodhuesit aktualë sesa për promovimin e konkurrencës dhe lehtësimin e kredimarrjeve. Kapacitetet administrative mbeten të ulta dhe BE rekomandon që Shqipëria duhet të zgjerojë kapacitetet administrative në mënyrë që të jetë në gjendje të përafrojë legjislacionin dhe politikat e saj me kërkesat e Bashkimit Europian./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.