COVID-19: Importet Nga Rrugët Detare Nuk Do Të Ndalojnë

603 0

Aktiviteti tregtar në portet e vendit, e sidomos në atë të Durrësit, ka vijuar normalisht edhe në këto ditë të emergjencës globale, që ka krijuar pandemia Covid 19.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu, tha se çdo ditë po vijnë tragete me kamionë e mallra në Porte.

Ai garantoi se askush nuk duhet të ketë frikë për furnizime të mjaftueshme ushqimore.

Ndreu tha se, në fund të javës një anije u shkarkua me 5 mijë ton grurë, ndërkohë një anije tjetër po shkarkon edhe 8 mijë tonë të tjera.

Edhe dy anije të tjera po ngarkohen me grurë jashtë porteve të Durrësit dhe pritet të zbarkojnë këto ditë.

Ai shtoi se me të njëjtin normalitet vijon edhe furnizimi me mallra të tjerë, sidomos ushqime.

Çdo ditë vijnë, sipas tij, nga 40-50 kamionë me ushqime nga poret e Barit dhe Ankonës.

Ndreu tha se nuk duhet të ketë shqetësime rreth ushqimeve pasi furnizimet kanë vijuar me të njëjtin ritëm çdo ditë.

Edhe furnizimet nga brenda vendit kanë qenë normale. Kamionë me prodhime të stinës nga zonat prodhuese të vendit si Korça dhe Lushnja, Fieri etj kanë vijuar normalisht.

Aktualisht fermerët po shesin nga prodhimet e stinës të tilla si sallatë, spinaq, qepë dhe hudhër e njomë etj.

Fermerët nga fshati Verri në zonën e Fierit pohuan se shumë shpejt del kungulli dhe trangulli i ri. Ata lajmërojnë se mbjelljet kanë vijuar normalisht.

Në të gjithë botën, aktivitet e bizneseve janë kufizuar, por aktivitetet që kanë të bëjnë me prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore nuk do të ndalojnë askund.

Epidemiologët kanë pohuar se, zonat rurale nuk janë shumë të kërcënuara nga epidemia.

Bujqësia shqiptare është edhe më pak e kërcënuar për shkak se prodhimi është i organizuar me ferma të vogla familjare./Burimi:Monitor