COVID- 19, Ndikimi Dhe Pasojat Tek Niveli i Tregtisë së Shqipërisë në 2020

574 0

Vëllimi tregtar i Shqipërisë gjatë vitit 2020 pësoi një rënie me gati 7.5 përqind, ose me 571 milion euro më pak se viti 2019, ndikuar nga efekti i pandemisë COVID 19. Të dhënat e Institutit shqiptar të Statistikave, INSTAT, tregojnë se rënia erdhi si pasojë e tkurrjes si të eksporteve ashtu dhe të importeve, të cilat pas goditjes së parë që morën gjatë muajit Prill, kur jo vetëm vendi, por dhe partnerët e tjerë tregtarë njohën mbylljen e plotë, nisën të rigjallërohen me një tendencë të vazhdueshme drejt përmirësimit, pavarësisht disa luhatjeve.

Në fund të vitit, ekportet ishin në nivelin e gati 272 miliard lekëve ose 2,198 miliard eurove (me kursin aktual të këmbimit), duke rregjistruar një rënie prej 9 përqind krahasuar me vitin 2019, e barabartë me 217 milion euro.

Sipas INSTAT-it, grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë: “Tekstile dhe këpucë”, ose industria e fasonëve me -5,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,2 pikë përqindje.

Në ndërkohë sektorë të tjerë njohën rritje vjetore: grupi “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje dhe grupi “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me +0,5 pikë përqindje.

Totali i importeve përgjatë vitit 2020 ishte mbi 605 miliard lekë (4,893 mld euro) duke u ulur me 6.8 përqind, ose 354 milion euro më pak. S

ipas të dhënave të INSTAT-it, grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë”me -1,8 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje.

Ndërsa ndikim pozitiv ka patur grupi “Produkte kimike dhe plastike”, me +0,4 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me +0,1 pikë përqindje.

Bashkimi europian vijoi të mbetet destinacioni kryesor për shkëmbimet tregtare të Shqipërisë, duke zënë 63.1 përqind të të gjithë tregtisë, që në vlerë është e barabartë me 4,477 miliard euro. Megjithatë krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie me 5 pikë përqindje.

Eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 74,7 përqind të totalit të produkteve shqiptare të shitura jashtë vendit, me një vlerë prej 1,642 miliard euro.

Ndërsa importet nga vendet e BE-së zënë 58,0 përqind të totalit të produkteve që hynë në tregun vendas, ose e barabartë me 2,835 miliard euro.

Italia u rikonfirmua sërish si partneri kryesor i Shqipërisë me 31.4 përqind të totalit të vëllimit tregtar, ndonëse me një rënie prej 3 pikësh përqindje.

Eksportet me Italinë ranë me 13.7 përqind, duke zbritur në 998,5 milion euro nga 1,157 miliard eurosh në 2019.

Ndërsa importet nga Italia zbritën në 1,122 miliard euro (-7.4 përqind) nga 1,327 miliard euro të një viti më parë.

Në total shkëmbimet tregtare me Italinë u tkurrën me 363.5 milion euro, e barabartë me 63.6 përqind të të gjithë rënies së vëllimit tregtar përgjatë vitit 2020./Burimi: Zeri i Amerikes