Financimi i Fermave Shqiptare – Çelës Për Rritje Ekonomike

545 0

Bujqësia shqiptare, për një zhvillim të suksesshëm, duhet të financohet. Financimi i bujqësisë redukton me katër herë më shumë varfërinë, duke gjeneruar rritje ekonomike dhe punësim. Por financimi është çështje e vështirë për bujqësinë. Ky sektor që punëson 50% të fuqisë punëtore, përfiton vetëm 4% nga totali i financimeve.

Gramos Osmani, Drejtor i Kredive Bujqësore pranë Bankës Intesa San Paolo, pohon nivelin e lartë të ekonomisë ‘informale’ në Shqipëri. ‘Përgjithësisht ne nuk gjejmë shumë të dhëna të fermës për të analizuar një agrobiznes. Kjo situatë e bën të vështirë, në mos të pamundur për bankat, që të financojnë një biznes’, thotë ai.

Për këtë arsye, USAID ka punuar për një inisiativë të quajtur ‘Blloku i Fermerit’ që ka si qëllim të ndihmojë fermerët të shënojnë të dhënat e punës së tyre të fermës, në mënyrë që t’i përdorin më pas për çështje të agrobiznesit apo për të pasur mundësi financimi.

Ky proces është shumë i njohur në botë, por i panjohur në zonat rurale të Shqipërisë. Ilir Pilku, Drejtor i Agrobizneseve në CBS (Creative Business Solutions) mendon se, nësepërdoret siç duhet, Blloku i Fermerit mund të bëhët një mjet shumë i rëndësishëm në mbështetje të financimit të agrobizneseve, përmirësimit të aktivitetit të biznesit të tyre dhe mundesine e permbushjes se standarteve per çertifikim.

Ky Bllok erdhi si nevojë e kërkesës në rritje të institucioneve financiare për regjistrim të të dhënave të aktivitetit të fermave. Ai u realizua nga CBS (Creative Business Solutions) në bashkëpunim me AAC-Lushnja, mbështetur nga USAID/Albania.

Në një ditë të nxehtë me diell, rreth 30 fermerë nga zona e Kutallisë (Goriçan, Drenovicë dhe Samaticë), kultivues të perimeve në sera u njohën me Bllokun e Fermerit.

Përfaqësues të AAC Lushnja, të cilët prezantuan për fermerët rëndësinë dhe përmbajtjen që duhet të ketë Blloku i Fermerit, e vlerësuan atë si një hap të sigurtë zhvillimi, ku financimi dhe kreditimi për fermerët nuk do konsiderohet më si ‘mollë e ndaluar’.

Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Catherine Johnson (në të djathtë) tha se Blloku Fermerit është një nismë e çmuar e cila sjell një rrugë të re zhvillimi për fermat shqiptare. Foto: AAC-Lushnja

‘Duke nisur nga inventarizimi i detajuar i të gjitha aseteve dhe pajisjeve të fermës, bilanci i biznesit, struktura e fermës, llogaritja e shpenzimeve mbi të gjitha zërat, shënimi i pesticideve që përdoren, të gjitha në një sistem të vetëm, përbëjnë garancinë që fermerëve t’u hapen dyert e financimit nga institucionet bankare apo autoritetet financiare të huaja dhe vendas’ u shpreh Luto Gugaj, përfaqësues i AAC Lushnjes gjatë prezantimit.

Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr. Catherine Johnson shprehu mirënjohjen ndaj grupit të punës që hartoi Bllokun e Fermerit, si një nismë e çmuar e cila hap një rrugë të re zhvillimi për fermat shqiptare.

“Ky projekt i realizuar me kujdes dhe profesionalizëm do t’u shërbejë fermerëve për të menaxhuar në mënyrë të rregullt, në mënyrë më të mirë dhe më me efikasitet biznesin e tyre. Dhe jo vetëm kaq, plotësimi i Bllokut të Fermerit do të ndihmojë fermerët në krijimin e një marrëdhënie serioze bashkëpunimi me institucionet bankare apo autoritetet financiare në çdo rast kur ata do të kërkojnë lehtësim financiar në formën e një granti apo kredie. Është një hap i mirë për të nisur rrugën drejt suksesit” u shpreh ajo gjatë bisedës së saj me fermerët.

Gramos Osmani, përfaqësues i Bankës Intesa San Paolo, e nënvizoi si tejet thelbësor Bllokun e Fermerit dhe u shpreh i gatshëm për trajnimin e fermerëve. Foto: AAC-Lushnja

Rëndësinë e mbajtjes së shënimeve në një biznes bujqësor, e nënvizoi si tejet thelbësor edhe Gramos Osmani, Drejtor i Kredive Bujqësore pranë Bankës Intesa San Paolo, i cili u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me fermerët për të asistuar në trajnimin e tyre mbi këtë proces.

“Falenderojmë Misionin e USAID për këtë projekt. Blloku i Fermerit nuk u vjen në ndihmë vetëm fermerëve por edhe sistemit bankar, si e vetmja mënyrë me të cilën, bizneset bujqësore mund të nisin të bashkëpunojnë me bankat për përfitimin e kreditimeve. Ne jemi dhe mbetemi të hapur për t’iu përgjigjur çdo ndihme të fermerëve në krijimin e këtij sistemi të dhënash, duke ofruar edhe trajnime për ta” u shpreh Osmani.

Fermerët shprehën bindjen se problemet e tyre për financim do të përmirësohen. ‘Shpesh kemi hasur vështirësi në gjetjen e të dhënave të biznesit, të cilat i kemi mbajtur në mënyrë të çregullt. Duke pasur këtë sistemim të të dhënave, bësojmë se do ta kemi më të lehtë të marrim financim nga insitucionet financiare’ thotë Hekuran Goga, një prej fermerëve të zonës.

Një grup fermerësh do të nisin menjëherë procesin e trajnimit. Ata do të marrin informacionin dhe asistencën e duhur se si të hedhin të dhënat në Bllokun e Fermerit. ‘E ku i dihet, mbase një ditë do të bëhem menaxher financiar’ thotë buzagaz një prej fermerëve në takim./AgroWeb.org 

jë grup fermerësh do të nisin menjëherë procesin e trajnimit dhe do të marrin informacionin dhe asistencën e duhur se si të hedhin të dhënat në Bllokun e Fermerit. Foto: AAC-Lushnja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.