Masa Lehtësuese Për Biznesin e Fermerëve Shqiptarë

463 0

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka informuar ndryshimet në paketën e bujqësisë, duke prezantuar një sërë masash lehtësuese për fermerët. Nismat lehtësuese të prezantuara nga Ministri Ahmetaj, përfshijnë lehtësi në vazhdën e paketës së bujqësisë, e cila u hartua dhe miratua nga qeveria shqiptare në vjeshtën e vitit 2014.

Skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më parë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese bujqësore dhe blegtorale.

“Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale, etj. Pra fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me Nipt dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim” – u shpreh Ministri.

Ndryshimet në Udhëzimin për kompensimin e fermerëve përfshin disa masa:

Lejimin e kryerjes së shitjeve me para në dorë, deri në vlerën 30,000 lekë të reja, që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjeter që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT.

Me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi, detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150.000 lekë. Pagesat për shitjet mbi 30.000 lekë deri në 150.000 lekë kryhen nëpërmjet filialeve të postës shqiptare.

Ministri i Financave u shpreh se ka kërkuar nga Posta Shqiptare që që të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve.

Rimbursimi automatik i TVSH – Eksportuesit e prodhimeve bujqësore klasifikohen si subjekte me risk zero dhe si të tillë, përfitojnë rimbursim automatikisht brenda 30 ditëve të TVSH. Pra, shuma e paguar fermerit prej 20% për normën e kompensimit për blerjen e produkteve të tij, por edhe cdo TVSH e paguar për shpenzimet e përgjithshme që një eksportues kryen në kuadër të veprimtarisë së tij, i rimbursohet brenda 30 ditëve. Kështu ky biznes ka mundësi të investojë e të zgjerojë kapacitetet e veta përpunuese dhe eksportuese.

Fatura kompjuterike – Për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, nga ajo e përdorimit të blloqeve të faturave tatimore dhe plotësimit të tyre me shkrim për cdo faturë, për këtë kategori shoqërish është parashikuar një procedure e vecantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike.

Pra, këto subjekte kanë mundësi të zgjedhin të thjeshtojnë procedurën e faturimit: nga ajo e tërheqjes së blloqeve të faturave pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, plotësimit të tyre për cdo rast me shkrim; regjistrimit të këtyre faturave të plotësuara më pas në librat e shitjes dhe blerjes.

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, cdo biznes që blen produktet e fermerëve ka mundësi të përdorë faturën kompjuterike. Për këtë mjafton të vetë-modelojnë një faturë tatimore kompjuterike me të dhënat e kërkuara dhe ta paraqesë atë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila e pajis me numër serial;

Po kështu Ministri sqaroi se janë marrë masa që në pikat doganore të ofrohet dhe të mos mungojë shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor.

Për eksportuesit e produkteve bujqësore, është përgatitur urdhri nr.8874, date 04.04.2016 për të gjithë degët doganore si dhe janë njoftuar të gjitha angjesitë doganore, për të ofruar shërbim 24 orë në dispozicion të eksportuesve të produkteve bujqësore, si dhe e bën të pa-efektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambjenteve për këto subjekte.

Gjithashtu është përfshirë përjashtimi i skanimit për produktet bujqësore ose minimizimi në raste të vecantë, apo sic quhet ndryshe kanali jeshil për këto produkte. Nga të dhënat e eksportit për periudhën 2015-2016, rezulton që ne këta 3 kapituj te vendosur ne kanal jeshil, eksportohen në 90% të deklaratave në këtë procedurë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.