Rriten importet nga Italia, Gjermania dhe Kina, bien eksportet me Kosovën

512 0

Në Dhjetor 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u rritur me 22,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 4,5 %, në krahasim me Nëntor 2016.

Referuar raportit të INSTAT, importet e mallrave në Dhjetor 2016 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 4,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 12,1 %, në krahasim me Nëtor 2016. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, krahasuar me Dhjetor 2015 dhe duke u rritur me 26,5 %, në krahasim me Nëtor 2016

Në vitin 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 243 mld lekë, duke u rritur me 0,1 % krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 579 mld lekë, duke u rritur me 6,3 % krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 335 mld lekë, duke u rritur me 11,3 % krahasuar me 2015. Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Rritja vjetore e eksporteve prej 22,5 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +8,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +5,0 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -1,0 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2016 eksportet jane rritur me 0,1 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me +6,8 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me 1,8 pikë përqindje, “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar negativisht në ndryshimin vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,4 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,2 pikë përqindje. Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve: Rritja vjetore e importeve prej 4,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2,6 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +1,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,5 pikë përqindje”.

Gjatë vitit 2016 importet jane rritur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me +2,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +2,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1,6 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar negativisht në ndryshimin vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,9 pikë përqindje. Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere Në muajin Dhjetor 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetor 2015 janë: Kosova me (26,8 %), Spanja me (16,2 %) dhe Kina me (190,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me (-2,9 %), Bullgaria me (-18,7 %) dhe Hungaria me (-7,1 %). Në muajin Dhjetor 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Dhjetor 2015 janë: Italia me (4,8 %), Gjermania me (37,9 %) dhe Spanja me (10,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia me (-18,8 %), Serbia me (-13,2 %) dhe Spanja me (-14,7 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 66,3 %, të gjithë tregtisë. Në Dhjetor 2016, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 64,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,4 %), Gjermania (8,7 %), Kina (8,3 %) dhe Greqia (6,7 %). Gjatë vitit 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (7,4 %), Greqia me (17,2 %) dhe Gjermania me (9,4 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova me (-20,6 %), Malta me (-28,5 %) dhe Spanja me (-36,6 %).

Gjatë vitit 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (2,8 %), Gjermania me (51,2 %) dhe Kina me (8,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Serbia me (-12,9 %), Franca me (-4,8 %) dhe Rusia me (-9,4 %). Shkëmbimet tregtare, për vitin 2016, me vendet e BE zënë 67,5 % të gjithë tregtisë. Në vitin 2016, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 63,2 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,8 %), Gjermania (7,7 %), Kina (7,1 %) dhe Greqia (6,9 %)./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.