Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi se, në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, prodhimi bujqësor vendas vijon trendin e rritjes dhe të eksporteve, ndërsa çmimet e shitjes janë të stabilizuara.
Gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e së hënës, ministri Çuçi tha se, “asgjë nuk ka ndodhur me prodhim bujqësor deri tani në Shqipëri. Sektori ka vazhduar një trend të rritës së prodhimit dhe të eksporteve bujqësore. Sot bujqësia jo vetëm që përmbush nevojat e tregut vendas me prodhime bujqësore, por madje po eksporton, në kushtet e masave të mbrojtjes nga COVID-19”.
“Prodhimi vendas nuk është penguar nga masat, ne kemi strategjinë tonë për të rritur prodhimin bujqësor nga viti në vit dhe jemi fokusuar për të rritur prodhimin e produkteve të freskëta dhe ato të përpunuara”, tha ai.
Ministri shpjegoi se, aktualisht kemi disa kontrata me sipërmarrjen agropërpunuese dhe po i mbështesim ato me skemat e IPARD II.” Strategjia jonë është për të mbështetur rritjen e prodhimit vendas bujqësor”, theksoi ministri.
Sipas tij, eksportet bujqësore “Made in Albania” vijojnë në të gjitha vendet që ka pasur eksporte para shfaqjes së COVID-19, ndërsa përmendi shtetet e hartës gjeografike të eksporteve nga vendet e Rajonit dhe BE-së, që nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Itali, Kroaci, Poloni, Gjermani, Ukrainë, Lituani, Suedi etj.
I pyetur mbi ecurinë e çmimeve të shitjes së prodhimeve bujqësore në tregjet e vendit, ministri vuri në dukje se, në fillimet e shfaqjes së masave ndaj COVID-19, pati disa raste abuzimi nga tregtarët e pandërgjegjshëm për disa nga prodhimet më të kërkuara nga konsumatorët.
Por deklaroi Çuçi, situate është në kontroll dhe nuk ka asnjë ndryshim në çmime. Çmimet janë sipas konjukturës që ka vetë tregu për prodhimet e sezonit./Burimi:ATSH