TAP, asi nën mëngë që do të rrisë ekonominë shqiptare

349 0

Ishte pranvera e vitit 2007, kur në një tryezë të rrumbullakët në Baku të Azerbajxhanit, zyrtarë të lartë evropianë vendosën të marrin një vendim të rëndësishëm, që do të ndryshonte fatet ekonomike dhe politike të shumë vendeve.

Kishte ardhur koha që Evropa të gjente një mënyrë për t’i ikur varësisë së gazit ndaj Rusisë, duke i hapur kështu rrugë ndërtimit të një projekti multi-miliardësh, që do të furnizonte Evropën me gaz.

Atë pranverë, nisi dhe historia evropiane me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). Shqipëria ishte një nga mëtonjëset për t’iu bashkuar këtij projekti gjigand. Edhe pse vinte pak me ndroje si një vend i vogël, pozita gjeografike e bënte të shihej si një vend me potencial.

Dhe sot, kur kanë kaluar plot 9 vite që nga ai takim, Shqipëria arriti që më në fund t’i shtrijë tubat e TAP në territorin e Shqipërisë dhe t’i kthejë të gjithë sytë e Evropës nga ajo. Duke qenë se projekti është një prioritet i Bashkimit Evropian, vendet anëtare kanë nisur të nëshkruajnë kontrata duke investuar në pjesë të TAP. Së fundmi ishin norvegjezët me 200 milion Euro, por edhe Francezët më herët që do të kenë pjesën e gazjesllësit në kufirin me Greqinë. Ndërkohë që edhe vende të tjera kanë shprehur intrest për të investuar në këtë projekt.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të transportojë gazin natyral nga kufiri turko-grek përmes Shqipërisë për të mbërritur në pikën e tij lidhëse në Lecce në Itali, duke bërë që me rritjen e furnizimit me gaz të rritet edhe siguria e sektorit energjetik në Evropë.

Por le ta lemë për pak mënjanë pjesën gjeo-politike dhe të fokusohemi tek numrat që do të na sigurojë TAP. Një studim i Oxford na thotë që janë numra të mirë dhe që duhet t’i gëzohemi: që nga të ardhurat e larta që pritet të sjellë projekti, tek rritja e numrit të punësuarve e deri tek ndikimi tek kosumatori i thjeshtë. Duke qenë se çmimi i gazit është shumë herë më i lirë se ai i energjisë elektrike, i cili përdoret gjerësisht nga njerëzit për ngrohje e gatim, shpenzimet do të jenë më të ulëta, por përfitime pritet të ketë dhe industria.

Ekspertët gjithashtu pohojnë se krizës energjetike mund t’i vijë fundi pas ndërtimit të gazsjellësit. Duke qe se termocentralet do të punojnë me gaz, padyshim që TAP do t’i japë zgjidhje krizës.

“TAP është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar, që merr formë. Në 3 vitet e ardhshme, vetëm nga ky investim prodhimi i brendshëm kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit dhe ekonomia jonë, vetëm nga ky projekt, do të përfitojë 1 miliard euro në 20 vitet në vijim”, u shpreh kryeministri Edi Rama në qershor të vitit të kaluar, kur dhe nisëm zyrtarisht punimet për gazsjellësin, ndërtimi i të cilit do të vazhdojë deri në vitin 2018.

Ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit do të jetë në vitin 2017, ku sipas Oxford parashikohet që TAP të gjenerojë 57 milion Euro për Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe do të krijojë 4.200 vende pune (me kohë të plotë dhe të pjesshme).

Përllogaritja është bërë në tre shtylla kryesore (kontributi në PBB, punësimi dhe të ardhurat e gjeneruara nga taksat. Por gjithashtu dhe nga aktiviteti i drejtpërdrejtë që do të ketë TAP, por dhe faktorë të jashtëm në zinxhirin e shitjes, të cilat do të kenë efekt të drejtpërdrejtë në nxitjen eknomike të vendit.

Në total, faza e ndërtimit të projektit parashikohet të gjenerojë 157 million Euro në PBB dhe të krijojë 2,900 vende pune në vit. Përfitime të tjera do të vijnë nga shpenzimet e punonjësve me një rritje në kontributin ndaj PBB-së dhe mbështetjen me pothuajse 3,900 vende pune të tjera në vit.

Në të gjitha afatet kohore të projektit, do të krijohen rreth 20.000 vende pune, e cila është një shifër mbresëlënëse për tregun tonë të vogël. Për më tepër efektet operative janë planifikuar të vazhdojnë për 50 vjet, duke siguruar një nxitje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik.

Në total, ndikimi operacional i drejtpërdrejtë i projektit do të kontribuojë në një shumë prej afro 500 milionë Euro në PBB-në shqiptare. Qeveria shqiptare do të jetë përfituesi kryesor me të ardhura dhe kontribut të lartë në thesar, por jo vetëm, duke bërë që ekonomia të mund të ecë e vetme, pa paterica.

Por TAP ka ndërmend gjithashtu të investojë 60 milionë Euro në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë. Dhe vlera e përfitimeve nga ky investim ka të ngjarë të shkojë nga 237 milionë në 1.107 milionë Euro gjatë periudhës 20 vjeçare. Ndërkohë që studime të tjera të TAP tregojnë se vlera e vërtetë mund të jetë edhe më e lartë se kaq.

Duke qenë pjesë e këtij projekti, Shqipëria mund te gjejë çelësin për të mbyllur shumë vrima në të njëjtën kohë, duke u bërë jo vetëm një urë për Evropën, por duke gjetur zgjidhje edhe për problemet e zhvillimit ekonomik.

Jo më kot Institucionet Ndërkombëtare, që nga BERZH, FMN apo Moody në parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të këtij viti, janë pozitivë për kontributin që do të japë TAP në rritjen e ekonomisë shqiptare.

TAP shihet si një mundësi e artë për vendin tonë si nga ana ekonomike, ashtu dhe ajo politike, duke bërë që vendi të kthehet në një epiqendër të rëndësishme të gazsjellësit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor./Agroweb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.