Volumi i Shitjeve në Artikujt Ushqimorë u Rrit me 5% në Tremujorin e Parë

384 0

Tregtia me pakicë, indeksi që mat shitjet e dyqaneve të vogla, që lidhen drejtpërdrejtë me konsumin e qytetarëve, është rritur në tremujorin e parë të këtij viti me 1,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2020 ka pësuar rritje prej 1,8%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2019”, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti i Statistikave.

Volumi i Shitjeve

Volumi i shitjeve në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, sipas INSTAT, është rritur 5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Por, referuar të dhënave nga INSTAT, volumi i shitjeve, për grupin “artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur 0,2%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me 6,1%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

INSTAT thotë se ulja e volumit të shitjeve për artikujt joushqimorë dhe hidrokarburet u ndikua nga situate e krijuar prej pandemisë së COVID-19./ATSH