Zgjerohet Gama e Prodhimeve Bujqësore Bio në Vend

459 0

Shqipëria ka pozicion gjeografik dhe kushte klimaterike shumë të favorshme për prodhimin e produkteve bujqësore organike.

Produktet bujqësore Shqiptare arrijnë të konkurrojnë denjësisht në tregjet ndërkombëtare dhe janë mjaft të kërkuara nga konsumatorët.

Produktet Të Certifikuara Bio

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, krahas prodhimeve bio që dominojnë në Shqipëri siç janë, bimët aromatike dhe mjekësore; gështenjat, të cilat prej shumë vitesh eksportohen në disa vende europiane për cilësitë bio që kanë, apo dhe luleshtrydhet e shafrani, janë edhe kultura të tjera të certifikuara bio si: vreshtat, perimet dhe frutat e pyllit.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë për këtë vit janë në rishikim për t’u aprovuar si prodhim bio rreth 3,2 hektarë të mbjellë me dardhë, 13,3 hektarë ullinj (36 hektarë janë të certifikuara si bio) dhe 207 hektarë luleshtrydhe, që janë ende në proces verifikimi.

Në total sipërfaqja e mbjellë me prodhime organike bio në të gjithë vendin, ka një rritje prej 62% në fund të vitit 2018.

Zhvillimi i Bujqësisë Organike në Shqipëri

Kushtet për zhvillimin e bujqësisë organike ndryshojnë shumë midis BE-së dhe Shqipërisë.

Për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë organike janë të nevojshme rekomandime të politikave mbi atë se si mund të nxitet një zhvillim plotësues dhe i qëndrueshëm i bujqësisë organike.

Sipas ekspertëve në Shqipëri, qeveria po orienton politika për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë organike.

Bujqësia organike në Shqipëri ka përjetuar një rritje të dukshme vitet e fundit, me një regjistër në rritje të fermave organike.

Bujqësia organike promovohet në bazë të përfitimeve të shumëfishta që ofron: ushqim më të shëndetshëm, përmirësim të mjedisit bujqësor dhe një kontribut në ekonominë rurale./Burimi: ATSH