Si më Bëri Shqipëria të Jem Ambientaliste

388 0

Përpara se të zhvendosesha në Shqipëri, nuk e kisha kuptuar kurrë sa shumë gjëra i kisha marrë për të mirëqena.

Andej nga vij, ose andej ku kam jetuar, ngrohja e apartamenteve bëhet me sistem qendror, furnizimi me ujë të ngrohtë e të ftohtë është i pandërprerë 24/7 dhe mungesat në elektricitet janë tepër të rralla.

Ndaj mund ta imagjinoni befasinë time kur erdha në Shqipëri dhe vura re se shumica e gjërave që i kisha marrë për të mirëqena, këtu në fakt ishin një luks i mirëfilltë.

Së fundmi, pata një bisedë interesante me një mikun tim ambientalist.

Teksa po diskutonim mbi jetesën time mbi 3 vjeçare në Shqipëri, ai më befasoi kur më tha se stili im i jetesës në Shqipëri ishte ai i një personi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ambientit.

Mos vallë kjo do të thoshte se zhvendosja në Shqipëri më kishte bërë më miqësore me mjedisin?

Të qenit miqësorë me mjedisin ose ambientalist do të thotë të zbatosh një stil jetese që i bën mirë mjedisit.

Ka të bëjë me disa hapa të vegjël drejt krijimit të një planeti më të mirë dhe ruajtjes së tij për brezat e ardhshëm.

Më poshtë do të gjeni pesë shembuj të disa praktikave miqësore për mjedisin që zbulova në stillin tim shqiptar të jetesës.

Nëse edhe ju e mendoni veten si të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit mos hezitoni të ndani komentet tuaja me AgroWeb.org.

1. Dush i shpejtë

Më lejoni t’ia nis me praktikën më pak të preferuar në ndihmë të mjedisit, të cilën m’u desh ta zbatoja kur erdha në Shqipëri.

Më duhet të jem e sinqertë, nuk e bëra nga dëshira e mirë, por nga nevoja.

Duke qenë se shumica e shtëpive në Shqipëri përmbushin nevojat për ujë falë depozitave dhe nga boileri, sasia e ujit të ngrohtë është e kufizuar.

Mua më pëlqen të bëj qëndroj në dush për një kohë të gjatë, por në Shqipëri kjo është e pamundur duke qenë se një boiler përmban pak a shumë 40-50 litra ujë në temperaturë të ngrohtë.

Rrjedhimisht përballesh me dy alternativa:

1) nëse e lë ujin të rrjedhë dushi do të zgjasë për 10 minuta dhe me shumë gjasë do të shpërlahesh me ujë të ftohtë (kjo më ka ndodhur në më shumë se një rast)

2) duhet të mbyllësh rubinetin ndërsa fërkohesh me larës. Mund të them me krenari që unë jam mjeshtre e rutinës 20 minutëshe të pastrimit.

Por kur kthehem në shtëpi, në vendin ku uji rrjedh me bolllëk dhe nuk ikën kurrë, unë nuk e lë të rrjedhë kot as kur laj dhëmbët, enët ose kur bëj dush.

A e dinit se nëse e lini rubinetin hapur kur lani dhëmbët harxhoni më shumë se 6 litra ujë në minutë?

2. Jetë në lëvizje

Tirana është një qytet i vogël dhe mua më shijon shumë fakti që shumica e vendeve që unë frekuentoj janë kaq pranë.

Nuk ka nevojë të marrësh një automjet, mund të ecësh lehtësisht.

Kjo e ndihmon mjedisin, por edhe i shërben organizmit.

Në rregull, ecja ime me siguri nuk e ndihmon situatën e ndotjes në qytet, duke qenë se shumica e banorëve të Tiranës e përdorin makinën edhe nëse u duhet të dalin tek bar-kafeja e lagjes.

Megjithatë mua më pëlqen të mendoj se edhe një njeri mund të bëjë ndryshim ndaj sugjeroj që shumë prej lexuesve të ndjekin shembullin tim e të lëvizin më shumë në këmbë.

3. Blej dhe konsumoj prodhime vendase

Kjo praktikë më pëlqen shumë. Shqipëria është një vend i bekuar ku rritet një shumëllojshmëri frutash dhe perimesh.

Blerja e prodhimeve vendase, zvogëlon ndikimin mjedisor të prodhimit dhe transportit të ushqimeve.

Kur njerëzit blejnë prodhime të rritura në zonën e tyre, ato shmangin nevojën për transport që rrjedhimisht ul numrin e automjeteve në rrugë dhe ndotjen që ato shkaktojnë.

Për më tepër, frutat dhe perimet e fermerëve vendas janë të ekspozuar ndaj më pak kimikateve në krahasim me produktet komerçiale.

E njëjta gjë vlen edhe për produktet shtazore që duhen blerë nga shitës të besuar vendas.

4. Prodho më pak plehra

Një nga gjërat më fantastike të të jetuarit në Shqipëri është fakti që kam qasje të pakufizuar ndaj vajit të ullirit, që është i preferuari im.

Ne zakonisht, blejmë sasi të mëdha të vajit të ullirit nga prodhues të vegjël dhe më pas mbushim me të shishet e riciklueshme të qelqit.

Heqja dorë nga shishet plastike është padyshim një hap i madh për mbrojtjen e mjedisit.

Ne e ndjekim këtë rutinë edhe kur blejmë mjaltë ose qumësht, madje edhe kur blejmë fruta nga shitësit vendas përdorim çanta cope rezistente dhe jo qese plastike.

5. Përdor më pak elektricitet

Energjia elektrike në Shqipëri kushton. Më pëlqen fakti që njerëzit në Shqipëri po kërkojnë mënyra të tjera për të ulur shpenzimet e tyre për energji.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara ose vendet e Bashkimit Evropian, në Shqipëri, njerëzit i thajnë rrobat e lara në ballkon ose në nderëse rrobash dhe nuk përdorin makineri përkatëse tharëse.

Shumica e shtëpive që unë kam vizituar përdorin llampat që kursejnë elektricitet ose janë të pajisur me panelë diellorë.

Kini kujdes të mos i lini pajisjet në prizë edhe kur nuk janë në gjendje pune sepse kështu do të kurseni të paktën 10% të faturës së energjisë.

Për më shumë informacion se si të kurseni me faturën e energjisë, lexoni këtë artikull./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.