Bllokohen 53 Tonelata Mish Importi Nga Brazili Të Infektuara me Salmonelë

711 0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka identifikuar dy ngarkesa me 53.1 ton mish importi i cili rezultonte i kontaminuar me salmonela typhimurium.

Këto ngarkesa me origjinë nga Brazili ishin të destinuara për tregun shqiptar. AKU nuk cilëson llojin e mishit të tentuar të zbarkojë dhe të shitet në vend, nëse kemi të bëjmë me mish pule apo mish viçi.

Ky identifikim është një veprim i radhës i AKU në kuadër të kontrollit të sigurisë ushqimore në importin e çdo ngarkese të produkteve shtazore në Shqipëri.

Veç këtyre dy rasteve, gjatë vitit 2018 AKU ka identifikuar dhe kthyer mbrapsht në destinacionin e origjinës edhe 78. 1 ton mish në kuadër të kontrolleve të cdo ngarkese me mish të importuar nga Brazili.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kontrollon dhe realizon analizat e çdo ngarkese mishi nga Brazili për të garantuar në mënyrë të plotë sigurinë ushqimore të produktit që importohen.

Nga Janari 2018 e deri më sot janë analizuar mostrat e 178 ngarkesave, në total 4700 ton (mish derri, mish gjedhi, dhe mish pule) nga të cilat kanë dalë jo konform 5 ngarkesa, 130 ton prej tyre.

AKU dhe Ministria e Bujqësisë po kryejnë hetim të detajuar për itinerarin e këtyre kontenierëve dhe nga ana tjetër garanton se siguria e produkteve të importuara, që qarkullojnë në tregun shqiptar është e plotë.

AgroWeb.org ka zhvilluar vëzhgime mbi shumë dyqane, markete e supermarkete në zona të ndryshme të Tiranës.

Rezultati ishte i njëjtë: Të gjitha produktet e mishit të importuar të ekspozuar në banak, krahas mishit të vendit të cilat janë me stampat përkatëse, nuk kanë asnjë informacion përcjellës mbi origjinën e tyre.

Krahë pule, gjoks e kofshë pule, mish viçi, lope, fileto apo kotoleta etj, të gjitha të ekspozuara në ambjentet e posaçme frigoriferike por pa asnjë etiketë apo informacion përcjellës mbi vendin e origjinës së tyre.

Një gjë është e sigurtë, në rast se do të ishin produkte vendase ato do të ishin me siguri të stampuara me etiketat përkatëse.

Shitësit e dyqaneve apo supermarketeve, të pyetur mbi origjinën e mishit me prejardhje të paspecifikuar nuk dinë si të përgjigjen.

Pyetjes së AgroWeb.org se cila është prejardhja e këtyre produkteve-të zënë ngushtë e paksa në siklet, ata i përgjigjen gjithë dyshime edhe vetë – “Janë të freskëta, sot i kemi nxjerrë!”./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.