Glikoja e Mrekullueshme e Pjeprit Në Kushtet e Shtëpisë

442 0

Pjepri është nga ato fruta të cilave e ke të pamundur t’u rezistosh.

Pjepri veç shijimit gjatë verës, ka edhe mënyrat për t’u ruajtur më gjatë për konsum si reçeli apo glikoja, në ditët e vjeshtës dhe dimrit.

Me disa rekomandime të AgroWeb.org do të mësoni se si ta shfrytëzoni mirësinë e pjeprit në përgatitjen e një reçeli të shijshëm që do të mund ta konsumoni gjithë shije.

Shqiptarët janë të marrosur pas pjeprit dhe me plot të drejtë. Pjeprin e konsumojnë në mëngjes, drekë, për zemër dhe në darkë, ndaj përse mos ta bëjmë reçel.

AgroWeb.org ju rekomandon të përdorni pjepër të pjekur mirë por jo tepër të ëmbël. Qëndroni larg pjeprit që është tejet i ëmbël ose është tepër i pjekur.

Do ju nevojiten:

2 pjepra të mëdhenj
1 gotë me lëng të freskët limoni
2 deri në 3 gota me sheqer pluhur
2 lugë çaji me gjalpë pa kripë
2 qese pektinë

Përgatitja

Prijeni pjeprin në gjysmë dhe hiqni farat. Qërojeni dhe prijeni në copa të cilat më pas hidhini në një enë me grykë të gjerë dhe shtypini me lugë druri. Derdhni lëngjet e tepërta dhe mbushni tre gota me tul pjepri. Hidhini në një tenxhere të madhe, shtoni lëngun e limonit, sheqerin, dy lugë me gjalpë dhe nëse dëshironi një shije vërtet të mirë, shtoni një lugë çaji me kripë të mirë deti.

Vendoseni tenxheren në zjarr mesatar dhe gatuajini përbërësit duke i përzierë ngadalë deri sa sheqeri të jetë shkrirë. Rriteni temperaturën dhe vazhdoni gatimin dhe përzierjen deri sa e gjithë masa të ziejë. Hidhni pektinën dhe lëreni të gjithë masën të ziejë për një minutë.

Pektinën mund ta gjeni në paketime të vogla në shumicën e dyqaneve. Atë duhet ta përdorni për t’i dhënë më shumë trashësi reçelit. Rezultati është pothuajse i njëjtë edhe në rastet kur ju vendosni të shmangni pektinën në reçelin që po gatuani.

Hiqni tenxheren dhe largoni shkumën e formuar në sipërfaqe me një lugë druri. Përzijeni për 5 minuta në mënyrë të vazhdueshme që të mos lejoni zhytjen e copave të frutave.

Reçelin më pas hidheni në kavanozë të sterilizuar. Mbulojeni grykën e kavanozit me një napë të pastër. Mbylleni kapakun mirë dhe fort.

Kavanozët më pas vendosini në një kazan ose tenxhere të gjërë të mbushur me ujë dhe lërini të ziejnë për 10 minuta me kapak të mbyllur.

Hiqeni enën nga zjarri, hiqeni kapakun dhe lërini kavanozët të qëndrojnë në ujë për të paktën 5 minuta.

Hiqini kavanozët me kujdes duke i mbështjellë me peshqir dhe lërini të ftohen. Pasi të jenë ftohur futini në frigorifer.

E gjithë kjo proçedurë shërben për të rritur jetëgjatësinë e reçelit të pjeprit për më shumë se një vit në kushte frigoriferike./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.