Pijet Energjike Dhe Ato Të Sheqerosura – Nisma Ligjore Në Kuvend Për Kufizimin E Tregtimit Në Shqipëri

883 0

Në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet nisma ligjore për kufizimin e pijeve energjike dhe pijeve të gazuara me sheqer.

Në datë 22 Tetor 2018, Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë së bashku me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutuan dhe votuan unanimisht nismën e deputetit E. Braçe për ndryshime të forta ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve sidomos më të rinjve.

Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Spiropali në një shënim në media sociale deklaron:

‘Larg pijet energjike nga fëmijët.Nuk të bëjnë me krahë, por shkaktojnë ankth, migrenë, pagjumësi e turlilloj pasojash të dëmshme tek fëmijët’.

Nisma ligjore përcakton kufizimin e tregëtimit dhe konsumit të pijeve energjike për fëmijët deri në 18 vjeç.

Kufizimin e reklamës për pijet energjike dhe pijet e gazuara me sheqer të shtuar.

Ndëshkimin e çdo individi madhor që ofron si shoqëruese pije energjike për fëmijë deri në 18 vjeç

Vendet e zhvilluara ka kohë që i mbitaksojnë. Po Shqipëria?

Sasia e sheqerit në një kanaçe tipike 330ml me kola përmban 35 g sheqer, 7 lugë çaji të plota.

Sasia maksimale e rekomanduar në një ditë ditë të plotë për moshën mbi 11 vjeç është 30 g sheqer.

Me vetëm një kola keni tejkaluar sasinë ditore dhe merrni rrugën për shtim të peshës.

Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë vihet re një konsum i madh i pijeve të gazuara që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri. Këto pije janë shumë të dëmshme veçanërisht për fëmijët dhe shkaktojnë mbipeshë.

Po ashtu konsumimi i pijeve me kafeinë që premtojnë “energji” është rritur ndjeshëm në 15 vitet e fundit.

Situata me pijet energjike

Sipas studimeve, pijet energjike përbëjnë 20% të produkteve ushqimore që gjenden në treg.

Me rritjen e pranisë së tyre në treg, po aq i lartë është edhe rreziku helmatisës nga taurina ose mbidoza nga kafeina.

Përbërësit kryesorë të një pije energjike janë taurina, kafeina, etj.

Prodhuesit e këtyre pijeve energjike shënjestrojnë konsumatorët e rinj që kërkojnë më shumë adrenalinë.

Të rinjtë dhe adoleshentët janë veçanërisht të joshur nga pijet energjike, për shkak të reklamës, por edhe nga mungesa e njohurive për rreziqet që vijnë nga këto pije.

Ajo që duhet të dimë është që një nga elementët që shkaktojnë shqetësim është taurina.

Kjo substancë që gjendet në lëngjet me kafeinë dhe sheqer është një amino acid në trajtë të lirë që gjendet tek ushqimet, por që prodhohet edhe nga vetë trupi.

Efektet anësore të taurinës

Studimet tregojnë që pijet energjike ndikojnë në shumë sëmundje duke nisur nga tensioni i lartë i gjakut, ishemia dhe ataku në zemër. Vendet Skandinave e kanë ndaluar tërësisht konsumimin e këtyre pijeve.

Ajo që duhet të dini është doza ditore e taurinës duhet të jetë nga 100 deri në 500 miligramë.

Disa pije energjike përmbajnë edhe 1000 miligramë taurinë të prodhuar në mënyrë sintetike.

Disa njerëz pijnë të paktën 8 kanaçe në ditë që përkthehet në 8000 miligramë Taurinë. Një sasi kaq e madhe ka të njëjtin efekt si droga.

Ekspertët rekomandojnë që të shmangni krejtësisht pijet energjike, të famshme për nivelin e lartë të kafeinës dhe sheqerit.

Qëndroni larg tyre, sepse pretendimet për një gjallëri të menjëhershme janë të pavend./AgroWeb.org