Puka e Përjetësisë, Zbulohet Kërpudha e Rrallë

716 0

Zbulimi i të ashtuquajturës ‘kërpudha e përjetësisë’ në pyjet e dendura të Iballës ka kthyer të gjithë vëmendjen drejt Pukës. Kërpudha Reishi e njohur ndryshe si ‘kërpudha e përjetësisë’ është një nga varietetet lokale të kërpudhave që rritet në natyrën e virgjër të maleve të Pukës.

Kjo kërpudhë nuk është e ngrënshme por shumë e kërkuar nga industria farmaceutike dhe pritet të kthehet në një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët e zonës.

Gjin Vukaj, një ish punonjës pyjor që jeton në Iballë në shpatet veriore të Maleve të Pukës i tha AgroWeb.org se ai i zbuloi kërpudhat e përjetësisë krejt rastësisht.

Vukaj ishte në kërkim për kërpudha të ngrënshme kur vuri re një specie të ndryshme kërpudhash të strukura nën trungjet e pemëve, të cilat ai nuk i kishte vënë re kurrë më parë.

Gjin Vukaj bëri një kërkim mbi këto kërpudha dhe ndau mendime me shumë ekspertë të bimëve mjekësore me të cilët arriti në konkluzionin se bëhej fjalë për kërpudhën e rrallë Reishi, së cilës i thuren lavde për aftësinë për të kuruar një sërë sëmundjesh.

“Mësova se këto kërpudha mund të shiten për 250-300 Euro/kg. Më pas mendova se kjo mund të ofrojë shumë të ardhura për fshatarët e zonës. Megjithatë shumë prej tyre nuk i dinë vlerat e kërpudhave Reishi, ndaj i injorojnë,” Vukaj tha.

Të dhënat e AgroWeb.org konfirmojnë se kërpudhat Reishi i përkasin familjes së kërpudhave Polyporaceae, të cilat mund të përpunohen dhe shiten në formën e çajit, kapsulave ose lëngjeve. Vlera ekonomike e tyre është shumë e lartë.

Kërpudhat Reishi janë përdorur në mjekësinë popullore që 4000 vjet më parë, veçanërisht në Kinë. Ato nuk janë të ngrënshme në formën e tyre të plotë dhe shija e tyre është e hidhur. Zakonisht këto kërpudha grihen dhe bëhen pluhur që tretet në ujë.

AgroWeb.org komunikoi me disa kompani që mbledhin barishte dhe bimë mjekësore të cilat janë duke analizuar kërkesën Evropiane për kërpudhën e egër Reishi nga Shqipëria dhe kanë kontaktuar me disa kompani Kineze, vendi i të cilave i di shumë mirë vlerat e kërpudhave Reishi.

Kërpudhat Reishi përdoren për të forcuar sistemin imunitar, luftuar infeksionet dhe virozat, problemet me mushkëritë, zemrën, tensionin e gjakut, veshkat, mëlçinë dhe kolesterolin e lartë.

AgroWeb.org raporton se këto kërpudha përdoren edhe në trajtimin e simptomave të HIV/AIDS, sëmundjes së lartësive, pagjumësisë, ulçerës, helmimit dhe herpesit. Kërpudhat Reishi përmbajnë kimikate që mesa duket kanë efekte pozitive kundër aktivitetit të disa tumorëve dhe për një sistem të fortë imunitar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.