11 Hidrocentrale Për Ta Shuar Valbonën Nga Harta

649 0

‘Është një nga vendet më mahnitëse të botës, që kam pasur fatin ta shoh, t’i ndjej e t’i thith ajrin e pastër, të mbushem me frymë e t’i shijoj gjithçka të mrekullueshme që ka.’ Me këto fjalë të përzgjedhura, Larissa Olenicoff, një publiciste ruse, përshkruan Luginën e Valbonës, pas eksperiencës së saj në këtë vend. Ajo shkruan për udhëtimet e saj në të gjithë botën dhe këtë javë ka vendosur të shkruajë për këtë luginë dhe jo pa arsye.

‘Çfarëdo udhëtimi të keni ndërmend të bëni, aktiv, shplodhës, romantik, reflektiv, apo edhe të gjitha bashkë nëse doni, të jeni të sigurt se nuk do të zhgënjeheni. Ajri i freskët në ato lartësi s’ka të paguar ashtu si trofta e famshme aq e shijshme që peshkojnë nga lumi Valbona. Ka rreth 200 km shtigje udhëtimi që mund t’i eksplorosh përreth Parkut Kombëtar, ose për ata që janë në kërkim të rehatisë dhe relaksit, edhe sikur thjesht të udhëtoni me makinë deri në fund të rrugës, do t’ju ikë mendja nga kjo mrekulli.’

Por Larissa ka rastisur të dëgjojë e të jetë personalisht dëshmitare e një lajmi të keq, të cilin e përshkruan kështu:

‘Por ja ku po ju them edhe një lajm të keq. Ky vend kaq special, i cili ka mbetur ende i virgjër ndryshe nga nga shumë vende të bukura natyrore në rajon, edhe falë të qenurit i izoluar dhe në fakt edhe falë rrugëve copë-copë që ka pasur, është në rrezik. Edhe pse personalisht jam mirënjohëse për rrugën e re nga Bajram Curri, që e bëri më të lehtë për mua si turiste ta vizitoj, por edhe si mjet për nxitjen e ekonomisë, kjo rrugë po sjell edhe plot gjëra negative. Kryesisht kompani negative, të cilat nuk duan t’ia dijnë për natyrën e aq më pak për ta përdorur atë në favor.

Sapo hyn në park, nuk mund të të rrëshkasë pa vënë re disa makineri të stërmëdha që gërmojnë për diçka që dihet se do ta shesin me çmim më të lartë dhe fatkeqësisht, gjithçka do të bëhet keq e më keq.’

Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Kombëtar prej 1996 dhe pritet të shndërrohet në asetin më të rëndësishëm turistik në vend, si pjesë e një parku gjigant që do të bashkojë kurorën e Alpeve me Kosovën e Malin e Zi.

Por përgjatë lumit që i jep emrin Parkut, do të ndërtohen 11 hidrocentrale. Një prej tyre, më i madhi është Hidrocentrali i Dragobisë. Kompania ndërtuese pretendon se ka marrë miratimin e banorëve të zonës duke treguar një listë. Por banorët thonë se lista është e manipuluar, madje në të ka emra të personave që kanë vdekur prej kohësh.

Hidrocentralet e tjerë do të ndërtohen jo vetëm përgjatë lumit, por edhe në përrenjtë e Valbonës.

Lugina e Valbonës
“Valbona nuk është e jona, ne jemi shërbëtorë të saj, kur s’ka pasur shtet fare e kemi mbrojtur me gjak se do ishte e Serbisë sot. Lumi është palca e luginës së Valbonës, më duket banale ndërtimi i hidrocentraleve këtu, përfitimet janë individuale nuk janë të zonës, është shumë më dinjitoze t’i rishohin vendimet nuk është turp”, thotë njëri prej banorëve në një intervistë televizive.

Kundër ndërtimit të Hidrocentraleve në Valbonë janë edhe turistët, madje edhe ata turistë që bukuria e zonës i shndërroi në banorë të saj.

Një kompani turistike me bazë në Britaninë e Madhe i ka dërguar në fillim të këtij muaji një kërkesë Kryeministrit Rama, që të ndalë ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë.

‘Ne jemi një kompani e fokusuar në Malin e Zi por edhe më gjerë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kemi punuar me partnerë turizmi në Veri të Shqipërisë për disa vite rresht. Klientët tanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë takuar mikpritësit vendas, janë mahnitur gjatë eksperiencës së tyre, duke rrëfyer mbi mjedisin natyror spektakolar si dhe kulturën aq unike e autentike. Në fakt, Majat e Ballkanit dhe shtigjet që shtrihen përgjatë zonave të thella të Thethit dhe Valbonës, kanë marrë një famë ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira në botë për pasionantët e ngjitjes në male.
Së fundmi kemi dëgjuar për planet e zhvillimit të një projekti hidrocentralesh në Valbonë. Duke vëzhguar disi më në detaje, jemi thellësisht të shqetësuar për këtë propozim. Ekzistojnë shumë pak zona vërtet të paprekura, vërtet të egra natyrore që kanë mbetur në Evropë. Valbona është një ndër këto të pakta vende.

Pasojat e pritshme të një zhvillimi hidroenergjetik do të ishin shkatërruese për mjedisin, për komunitetet lokale, për trashëgiminë e tyre kulturore dhe për industrinë e turizmit në rajon.

Në botën e sotme, ajo çka po vlerësohet gjithnjë e më shumë janë ato vende të cilat nuk po e ekzagjerojnë me zhvillimin dhe që ruajnë ende gjallë trashëgiminë e tyre kulturore dhe natyrore.

Ne, me gjithë respektin, ju inkurajojmë të rishqyrtoni këtë propozim, për të ruajtur kulturën autentike dhe mjedis ende të pacënuar, në të mirë të së ardhmes së vendit tuaj.’

Edhe banorët e Luginës së Valbonës, Çeremit dhe Gashit kanë nisur një fushatë të gjerë sensibilizuese. Ata kanë hartuar një peticion dhe madje i kanë drejtuar një letër Kryeministrit, duke i kërkuar atij të kryesojë betejën për të ndaluar zhvillimin e parqeve hidroenergjitike në zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Ky është thelbi i asaj që ata thonë:

‘Ndërtimi i qoftë edhe një prej këtyre projekteve (Kaskada e Dragobisë) do të shkatërronte totalisht shpatin lindor të Malit të Kollatës duke ndërtuar një tunel 3 metra të gjerë. Kallata është pjesë e majave më të larta, një prej destinacioneve më të lakmuara për të apasionuarit pas lartësive.

Kjo do të shkatërronte gjithashtu Luginën e Çeremit, duke dëmtuar të gjithë qarkullimin e lumit. Do të shkatërronte shpatin jugor të Malit të Gjarprit, e po ashtu edhe fermat e banorëve, tokat dhe shtëpitë. Do të ishte fundi i eko-turizmit, i cili është tërësisht i bazuar në ofrimin bujar të natyrës së virgjër. Shtegu i Çeremit është gjithashtu pjesë e asaj që në botë njihet si “Majat e Ballkanit’, e që çdo vit sjell qindra turistë në këtë zonë. Ky plan do të ishte fundi i gjithçkaje.’ /AgroWeb.org