Po Vijnë Të Kuqet Domate Shqiptare

1k 0

Francezët i quajnë “Molla e Dashurisë”, Italianët “Molla e artë”, shqiptarët dhe gjithë bota e njohin si domate, edhe pse shkodranët ndikuar mbase edhe nga Italia ende i thonë ‘molla t’arta’. Pavarësisht emërtimit, domatja është një nga frutat më të rëndësishme të tryezës tonë. Po, po domatja është frut! Madje ajo bën pjesë në të njëjtën familje me luleshtrydhet dhe frutat e pyllit. Në aspektin botanik edhe pse nuk është e ëmbël, domatja jo vetëm që është frut, por edhe nga më të mirët për vlerat ushqimore. Domaten e gjejmë në forma dhe ngjyra të ndryshme, domate qershi, domate të verdha, domate në formë dardhe, domate jeshile etj. Ato mund t’i gjejmë të kuqe, rozë, të verdha, portokalli, vjollcë, kafe apo edhe të zeza. Domatja është e pasur me pigmentin karotenoid shumëngjyrësh të njohur si lycopene edhe nëse fruti vetë nuk është me ngjyrë të kuqe.

Domatet shqiptare më të kërkuarat

Domatet janë një ndër produktet më të mira të Prillit. Domatet e serrave me ngrohje diellore të Divjakës dhe Kutallisë (Berat) janë të parat që pritet të dalin në treg. Domatet shqiptare shkojnë kudo, deri ne Rusi. Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksportoi gjatë 2014-tës 52 mijë ton perime, nga të cilat 34 mijë ton domate. Edhe vlera më e madhe i takon eksportit të domateve me rreth 1.49 miliard lekë krahasuar me 800 milion lekë gjatë vitit 2013.

Interes në rritje për perimet e freskëta Made in Albania po tregojnë tregjet lindore, si Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Hungaria. Por sipas Ministrisë së Bujqësisë, edhe Gjermania, Italia, Hollanda e Franca janë tepër të interesuara për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, por edhe perime të tjera, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka në ekonominë tonë.

Tregu i Bashkimit Evropian paguan shumë më mirë sesa tregjet rajonale për njësi prodhimi. Mjafton të përmendet një e dhënë; nëse ne shesim 1 kg domate në tregjet rajonale me 0.3 Euro, në tregun gjerman kemi arritur ta shesim me 1.29 Euro. Po kështu edhe në tregjet e tjera të Danimarkës, të Zvicrës, etj.

Në 6 mujorin e parë të 2015, rritje të ndjeshme të prodhimit kemi pasur për perimet në sera. Kështu psh për qarkun e Fierit janë prodhuar 12,700 tonë domate në atë 6 mujor, krahasuar me 10,900 tonë si prodhim vjetor të një viti më parë. Në qarkun e Beratit janë prodhuar 25,000 tonë domate si gjashtëmujor, kundrejt 21,000 tonë prodhim domate të një viti më parë.

Vlerat e domates

Domatet janë të njohura për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve. Vetë pigmenti karotenoid është sipas shkencëtarëve tepër i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Domatet janë një burim i jashtëzakonshëm i Vitaminës C dhe Vitaminës K. Ajo është bujare në përmbajtjen e potasit, magnezit, fibrave, vitaminës A, B6, folatit, Vitaminës E, fosforit, kromit, proteinave, zinkut dhe hekurit. Duke qenë se në botë gjenden qindra varitete domatesh, konsumatorët kanë qenë të mendimit se domatet organike mund të kenë më shumë vlera antioksidante se ato tradicionale. E vërteta sipas shkencëtarëve është që mënyra e rritjes së domates, organike apo e zakonshme, nuk ka fort rëndësi kur vjen puna tek aftësitë antioksiduese të domates.Por vetitë e domates nuk mbarojnë këtu. Domatet të bëjnë mirë për zemrën, ulin kolesterolin dhe trigliceridet. Studime të shumta kanë treguar që domatja është e shkëlqyer në mbrojtjen e zemrës, jo vetëm prej vlerave antioksidante por edhe për faktin që rregullon yndyrnat në qarkullimin e gjakut. Ndër të tjera, përdorimi i domates është provuar të ketë një ndikim pozitiv në disa sëmundje neurologjike siç është Alzheimer. Prisni se ka më tepër. Domatja redukton edhe rreziqet e obezitetit.

Prodhimi i domates

Niveli i prodhimit të domates në botë arrin deri në 130 milionë ton në vit. Vendi me prodhimtarinë më të madhe të domates është Kina që kontributon me 34 milionë ton, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, India dhe Italia. Por megjithëse të vegjël, shtoni edhe Shqipërinë në listë./AgroWeb.org/