2015, Rekord Historik Nxehtësie…deri në 2016!

183 0

Në këto ditë të acarta të një dimri të egër që ka përfshirë Shqipërinë, si edhe një pjesë të mirë të Evropës, vjen një prej lajmeve historike edhe pse krejt i kundërt për nga niveli i temperaturës.
Tashmë është zyrtare! Prej mesit të shekullit të 19, në të gjitha rekordet historike, toka nuk ka parë vit më të nxehtë se 2015-a. Lajmi më i fundit u njoftua nga Agjensisa Amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) dhe NASA në një raport të përbashkët një ditë më parë, bazuar në të dhënat e temperaturave të sipërfaqes globale që prej vitit 1880. Lajmi për vitin më të nxehtë u pasua edhe nga të dhëna të pavarura nga Qendra Britanike Hardley Center, e cila i referohet të dhënave të vetë kësa qendre për rekordet globale të temperaturës.

Temperaturat globale të matura për vitin 2015 thyen rekordin e mëparshëm të mbajtur në vitin 2014 me 0.13 gradë Celsius. Vetëm një herë më parë në vitin 1998 ndodhi që dukuria të thyente rekordin që ishte vendosur më parë dhe në këto përmasa.

“Ndryshimet klimatike janë sfida e gjeneratës tonë, dhe puna e palodhur e NASA-s për këtë shqetësim të rëndësishëm ndikon te të gjithë qytetarët” u shpreh administratori i NASA-a Charles Bolden në deklaratën e publikuar. “ Njoftimi i sotëm jo vetëm përforcon rëndësinë thelbësore të programit të vëzhgimit të Tokës nga NASA, por është një pikë kulmore e të dhënave që detyron vendmimmarësit dhe hartuesit e politikave të ngrihen dhe të vëzhgojnë me kujdes situatën- është koha e duhur për të vepruar mbi klimën.”

Temperaturat e përgjithshme të sipërfaqes së tokës janë rritur mesatarisht me 1.0 gradë Celsius që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, një ndryshim ky i cili i dedikohet rritjes së nivelit të dioksidit të karbonit në atmosferë edhe nga pasoja të tjera të dorës së njeriut.

Rritja më e madhe e temperaturave ndodhi 35 vitet e fundit, me 15 nga 16 vitet më të nxehtë të rregjistruar në histori që nga viti 2001. Viti i kaluar ishte hera e parë që temperaturat mesatare globale ishin 1 gradë më të larta se mestarja e viteve 1880-1899.

Fenomeni i njohur si El Ninjo ose La Ninja të cilat ose ngrohin ose freskojnë Oqeanin Paqësor mund të ndikojnë në luhatjet afat-shkurtra të temperaturave mesatare globale. Efekti ngrohës El Ninjo veproi gjatë pjesës më të madhe të vitit 2015.

Analizat e NASA-s përfshijnë matje të temperaturave të sipërfaqes së tokës nga 6300 stacione të studimit të motit, matje të temperaturave të sipërfaqeve të deteve dhe matjet e temperaturave të Stacioneve të Kërkimit të Antarktikut. Këto matje janë analizuar duke përdorur një algoritëm që studion variacionin e hapësirave të stacioneve përreth globit dhe efektet e ngrohjes urbane, që mund të shtrembërojnë rezultatin nëse nuk merren parasysh. Rezultatet e këtyre matjeve janë vlerësime të diferencës së temperaturës mesatare globale të krahasuar me një bazë të matur në rangun e viteve 1951-1980.

Shqipëria, ashtu si shumë vende të globit, përjetoi gjatë 2015-tës temperatura ekstremisht të nxehta, që thyen rekorde historike veçanërisht në Korrik. Sipas të dhënave që Meteoalb dha për AgroWeb, vera 2015, krahasuar me verën tipike të Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë e nxehtë. Ajo krahasohet me verën e vitit 2003, 2007 dhe 2012 të cilat janë të klasifikuara si në rajon ashtu dhe në Europë si vera shumë të nxehta. Konkretisht, në vitet 2003, 2007 dhe 2012 janë shënuar temperatura maksimale ditore mbi 41°C ndërkohë që vera e 2015-tës shënoi temperatura ditore mbi 42 °C, vlera këto të matura në hije, sipas standarteve botërore të matjeve meteorologjike. Në terrene të zhveshura nga bimësia apo në sipërfaqe të asfaltuara, temperaturat janë ngjitur disa gradë mbi 42°C.

Sipas ekspertëve, një El Ninjo shumë i fortë që ndikoi në Oqeanin Paqësor mund të ketë ndikuar sigurisht në këtë situatë , por pjesa më e madhe e ngrohjes vitin që sapo lamë pas mendoshet se është shkaktuar nga njerëzimi dhe çlirimi i gazeve serë , si dioksidi i karbonit apo metani, nga djegia e lëndëve fosile si qymyri, gazi natyror, nafta.

Në Paris në Dhjetor 2015, rreth 200 kombe arritën një Marrëveshje për Klimën. U cilësua – Pika historike e kthesës së njerëzimit. e cila u përshëndet gjerësisht si “historike, e qëndrueshme dhe ambicioze”. Vendeve të zhvilluara, por edhe atyre në zhvillim u është kërkuar të ulin sasinë e gazrave që lëshojnë në atmosferë drejt niveleve më të sigurta, me një impakt në ngrohjen globale në kufizimin e rritjes së temperaturave deri në 2 gradë Celcius me synim arritjen deri në 1,5 gradë Celcius. Vendet e varfëra do të financohen për t’u ndihmuar në reduktimin e gazrave dhe në përballjen me pasojat e motit ekstrem. Vendet e prekura nga shkatërrimet natyrore janë të parat që do të përfitojnë ndihmën urgjente.

Sipas NY Times, fenomeni El Ninjo ka vijuar të jetë i fortë edhe në 2016 , duke rritur probabilitetin se edhe ky vit, edhe një herë, do të shënojë rekord përsa i përket temperaturave. 2015 ishte një vit i nxehtë. 2016 ka shumë gjasa të jetë edhe më i nxehtë!/AgroWeb.org/