250 Milion Euro për 7 vende të Ballkanit përmes ProCredit

150 0

Përveç historisë së përbashkët, ka një sektor madhor ku vendet e Ballkanit flasin të njëjtën gjuhë; bujqësia. Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë, por veçanërisht për punësimin në Ballkan. Ky sektor ka një kontribut mesatarisht 17% të prodhimit të brendshëm bruto (PPB) të këtyre vendeve. Sipas statistikave në Shqipëri dhe Kosovë, kontributi është afro një e katërta e PPB, në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë me një të pestën, në Maqedoni e Mal të Zi rreth 11% e kështu me rradhë. Të gjitha këto janë shifra shumë të larta krahasuar me kontributin e bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto të Bashkimit Europian, mesatarisht vetëm 1.7%.
Sipërmarrjet e vogla e të Mesme janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe të punësimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Janë shtylla themelore e ekonomisë së këtyre vendeve. Dhe sektori bujqësor zë një vend thelbësor.
A ka një pikë delikate? Po, mungesa e financimit. E për të lubrifikuar këtë hallkë që bën të ngecë lëvizjen ekonomike të vendeve të rajonit, vjen për herë të parë një marrëveshje gjithëpërfshirëse financimi, ku aktorët më të spikatur bankarë dhe financiarë përfshihen me një rol madhor në rritjen ekonomike, kaq vitale për rajonin.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjitha Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në shtatë vende të rajonit, përfshirë sigurisht Shqipërinë dhe sektorin e agrobiznesit të saj.
Fondi Evropian për Investimet (FEI) dhe Grupi ProCredit kanë nënshkruar marrëveshjen për rritjen e huadhënies për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla në kuadër të financimit InnovFin – BE për inovatorët, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Evropian.
Marrëveshja e re i mundëson Grupit ProCredit të ofrojë mbështetje financiare për shoqëritë dhe sipërmarrjet inovative me një total prej 250 Milion Eurosh nëpërmjet rrjetit të bankave të saj ProCredit në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni, Moldavi, Rumani dhe Serbi.
Për Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Evropian për investime, Pier Luigi Gilibert, kjo është një marrëveshje që do të nxisë dukshëm bizneset inovative në këto vende, duke shprehur bindjen se nga eksperiencat e suksesshme, pjesëtarët e Grupit ProCredit do të jenë në gjendje të mbështesin sipërmarrjet inovative dhe ato në rritje që janë në nevojë të ndihmës financiare.
"Kjo marrëveshje e huasë, e mbështetur nga Bashkimi Europian, është e hapur për SME-të në Shtetet Anëtare të BE-së si dhe vendet e Evropës Juglindore të përfshira në Programin Horizon 2020. Objektivi i saj është ndihma për nxitjen e investimeve tek shoqëritë inovative për promovimin e zhvillimit dhe krijimin e vendeve të punës” shprehet Carlos Moedas, Komisioneri Evropian për Kërkimin, Shkencën dhe Inovacionin.
ProCredit është grupi i parë bankar që nënshkruan garancinë përfshirëse InnovFin NMV për operacionet e saj në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni, Moldavi, Rumani dhe Serbi. Me zbatimin e kësaj iniciative, ProCredit garanton dinamizëm në kredidhënie, mbështetje financiare dhe kushte lehtësuese në Shqipëri dhe rajon.
Borislav Kostadinov, anëtar i bordit të menaxhimit të ProCredit Holding, e sheh këtë Marrëveshje si një instrument të rëndësishëm për të stimuluar ide dhe investime të reja nga klientët dhe në këtë mënyrë do t’u mundësojë atyre rritjen e konkurrueshmërisë. “Si ‘banka’ kryesore për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla në rajon, e dimë se teknologjia moderne, mendimi inovativ, si dhe orientimi ndaj mjedisit janë faktorët kyç për zhvillimin në të ardhmen. Kjo vlen njësoj si për klientët tanë ashtu dhe për operacionet tona si banka”, thekson z. Kostandinov.
Synimi i Garancisë InnovFin NMV është inkurajimi i bankave ose institucioneve financiare për t’u dhënë hua sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla, si edhe kompanive me më pak se 500 punonjës në nevojë për investime dhe/ose kapital qarkullues për financimin e aktiviteteve kërkimore dhe inovative, me mbështetjen financiare të BE-së.
Në kuadër të Garancisë InnovFin NMV, institucionet financiare ndërmjetëse do të marrin garanci nga Fondi Evropian i Investimeve, kundrejt një pjese të potencialit të humbjeve të tyre të shkaktuara nga financimi i borxheve. Ky fond garancie do të lehtësojë mundësinë e financimit të bizneseve innovative.
Banka ProCredit në Shqipëri historikisht është emri më familjar për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla në vend me një aktivitet të gjatë dhe me lidhje të ngushta me sipërmarrjen. ProCredit është në fazën e përcaktimit të kritereve dhe kushteve konkrete për të gjithë ata që kërkojnë financim për investimet e tyre dhe që mund të përfitojnë nga ky fond garancie. AgroWeb në bashkëpunim me këtë bankë do të publikojë të gjitha detajet për t’u ardhur në ndihmë të gjithë fermerëve dhe agropërpunuesve të cilët kërkojnë të fuqizojnë biznesin e tyre, të rrisin punësimin, prodhimin, si edhe të nxisin eksportet.
Ky injektim mbështetjeje financiare në këto shtatë vende, do të nxisë edhe bashkëpunimin ekonomik mes SME-ve përmes një nxitjeje paralele dhe të njëkohshme. Përmes kësaj nxitjeje ekonomike injektohet stabilitet. Pasi thënë shkurt; stabilitet ekonomik dhe punëeuml;sim do të thotë stabilitet politik e social, teksa vetë Bashkimi Evropian është dëshmi e kësaj formule magjike./AgroWeb.org