6,5 Milionë Euro Grant “ Thirrja ende Hapur për Fermerët

209 0

Fermerët e Korçës janë ‘kampionët’ e Skemës së grantit SARED, përsa i përket aplikimeve të dorëzuara deri më tani për mundësi financimi për investimet e tyre. Thirrja është ende hapur, ndaj fermerët e zonave të tjera duhet të nxitojnë, për të kapur këtë mundësi të artë për rritjen e biznesit të tyre. Përmes programit Gjermano-Danez prej 6.5 milion Euro grant për fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptarë, të implementuar nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, synimi është nxitja e sektorit bujqësor në zonat malore të pafavorizuara.

Vetëm pak javë nga prezantimi, projekti u mirëprit nga fermerët dhe agro-përpunuesit e gjashtë qarqeve të përfshira në skemë: Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat.

Për investimet në nivel ferme, madhesia bazë e grantit është 65% ndërsa për grumbulluesit dhe agro-përpunuesit (investimet jashtë ferme) madhesia bazë e grantit është 50 %.

Në kuadër të skemës së granteve, fermerët që synojnë të zgjerojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën në fermat e tyre, do të mund të përfitojnë mbështetje për investime deri në 3,5 milion lekë. Ndërsa agro-përpunuesit që merren me grumbullimin, përpunimin, magazinimin dhe shitjen e produkteve bujqësore do të mund të përfitojnë mbështetje për investime deri në 10 milion Lek. Fermerët e agro-përpunuesit mund të aplikojnë për grante deri 75% e vlerës së investimit.

‘Brenda muajit të parë të thirrjes së parë, përveç 12 aplikimeve nga qarku i Korçës, janë në përpunim dhe pritet që në dy javet e ardhshme të paraqiten katër aplikime nga Elbasani dy nga Berati, tre nga Kukësi dhe tre nga Dibra’, tha në një intervistë për agroweb, z. Roland Çela, Zëvendës Drejtori i programit SARED/GIZ.

’Thirrja e parë është hapur më 17 prill 2015 dhe do të qëndrojë e hapur deri me 31 korrik 2015. Në muajin gusht nuk do të pranohen aplikime. Thirrja e dytë, kur të interesuarit mund të fillojnë të paraqesin aplikimet e tyre, do të hapet më 1 Shtator dhe do të qëndrojë hapur për 5 muaj, deri me 31 Janar 2016. Ky periodicitet thirrjesh do të vazhdojë deri në Dhjetor 2017 ose Janar 2018‘, thotë Z.Çela.

Të 12 aplikimet e paraqitura ne qarkun e Korçës janë bërë nga fermerë të frutikulturës të ndihmuar edhe nga konsulentë biznesi, për të modernizuar prodhimin e tyre në ferme me mekanikën perkatëse bujqësore. Sipas informacioneve që kemi, thekson ai, edhe nga aplikimet qe priten nga qarqet e tjera, pjesa më e madhe e tyre parashikohet të bëhen nga fermerë dhe, sipas vleresimit te koordinatoreve, vetëm tre ose katër do te jene nga agropërpunues.

Por, pas testit në thirrjen e parë, a mund të ketë adaptime në skema dhe aktivitete për rritje të përthithjes së fondeve? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Z.Çela thotë se: Ne muajin gusht nuk do të pranohen aplikime pasi gjatë këtij muaji do të reflektohen ndryshimet në kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin vërtetues, të cilat po sugjerohen nga grupet e interesit gjatë fushatës informuese të thirrjes së parë. Këto ndryshime do të diskutohen me Ministrinë e Bujqësisë dhe aktoret përkatës dhe, nëse këto sugjerime do të pranohen nga vendimarrësit (GIZ dhe Ministria e Bujqësisë) ato do të reflektohen në udhëzuesin për aplikuesit dhe përfituesit potencialë do të informohen respektivisht nëpërmjet kanaleve të ndryshme ku ndër më kryesorët do të jenë zyrat rajonale të Drejtorive të Bujqësisë dhe të SARED, website i Ministrisë së Bujqësisë dhe mjete të tjera të komunkimit. Kjo bëhet me qëllim që të gjithë përfituesit potencialë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me transparencë pra qe të vendosen ne të njëjtin start. Parimi i trajtimit të barabartë dhe parimi i transparencës janë shumë të rëndësishëm për GIZ-in në zbatimin e skemës së granteve.

Sektorët e mbështetur me grante nga SARED

 

Burimi: Udhëzuesi për Aplikantët

Objektivat dhe Pritshmëritë

Objektivi i përgjithshëm i SARED është që të rrisë të ardhurat për të gjithë ata që përfshihen në hallkat e sektorit bujqësor me të paktën 20%, dhe të reduktojë papunësinë në rajonet e përfshira në program. Në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera, sektori i bujqësisë është i dominuar nga burrat edhe pse kontributi i grave është i njëjtë me atë të burrave. Ndaj SARED do t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje për të siguruar mundësi për gratë. Në përputhje me strategjinë e Isard, objektivi është që të paktën 15% e përfituesve të drejtpërdrejtë të jenë gra. SARED gjithashtu do të krijojë lidhje me sektorin financiar dhe të përmirësojë kapacitetet e përfituesve që të kenë akses në fonde për investimet e tyre aktuale dhe të ardhshme.

Për më shumë informacion klikoni këtu