7 Miliardë Lekë Në Mbështetje Të Fermerëve – Kriteret E Përfitimit

441 0

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adreson një fond prej 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote në një intervistë për ATSH-në, bëri të ditur se, “këtë vit Skema Kombëtare mbulon sektorët ruralë, që nuk financohen nga IPARD-i, duke evituar kështu mbivendosjen e financimit.

Skema është orientuar drejt, mbi bazën e nevojave që kanë sektorët dhe i vjen në mbështetje drejtpërdrejt fermerëve”.

“Bletarët përfitojnë 10 mijë lekë për çdo koshere bletësh. Gjithashtu mbështetje përfiton edhe blegtoria, që është një sektor shumë i rëndësishëm në Shqipëri dhe nuk ka atë ritëm rritje që ka marrë bujqësia”, u shpreh Kote.

Fermerët që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore, përfitojnë 2 milionë lekë për hektarë të mbjellë me këto kultura, pasi siç thekson ai, “bimët mjekësore nuk mbështeten nga programi IPARD, ndaj ndërhyn Skema Kombëtare”.

Bimët mjekësore janë një sektor i rëndësishëm që siguron punësim dhe të ardhura të konsiderueshme nga eksporti, i cili vitet e fundit po shkon i përpunuar dhe jo thjesht vetëm si bimë mjekësore.

Po Bujqësia Organike dhe Bizneset e Agroturizmi?

Bujqësia organike dhe bizneset e agroturizmit po kthehen në një binom më të sigurt, në kthimin e investimeve në raport me investimet në sektorë të tjerë rural.

Sipas kritereve që qeveria ka miratuar për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore organike janë një vlerë e shtuar dhe fitimprurëse për zhvillimin rural në tërësi./Burimi: ATSh