AgroKapital, projekti i USAID që mundësoi financimin prej 4.7 Milion Dollarë për bujqësinë gjatë një viti

462 0

Vehip Salkurti, fermer 55 vjeçar nga Peshkopia, u ngrit mëngjesin e 18 shkurtit me një ide të qartë motivuese. Mollët e fermës së tij duhet medoemos t’i shijonte edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Donald Lu. Vehipi kish një mirënjohje për të shprehur dhe çfarë më shumë se mollët, frytit të punës së tij do ta tregonin më qartë gjithçka kish në zemër. Ai është një fermer nga ata qe i kanë duart e arta por ari, pra paratë, vështirë u mbërrin në duar.

U nis të takojë atë ditë Ambasadorin Lu në tryezën që organizohej nga USAID dhe CBS për një vjetorin e Projektit AgroKapital, projekt në mbështetje të financimit të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare, financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS. Kompania që Vehip Salkurti drejton së bashku me Z. Namik Shehu quhet KOP.FRUT.DIBER 2012. Po, emër paksa i çuditshëm, thonë të gjithë, por që në fakt i ka të gjitha brenda, bashkëpunimin, frutat, Dibrën dhe pikën e referimit 2012 për matjen e suksesit të mëtejshëm. Ekipi i CBS ndihmoi këtë biznes nëpërmjet një pakete të kombinuar kredie dhe granti, financim të cilin kompania do ta investojë në rikonstruksionin e mjediseve me standarde të larta dhe në një linjë të re moderne për përpunim frutash.

Teksa hyri në sallën e takimit, ai sistemoi shportën e mollëve dhe u ul në tryezë. Përballë tij, Ambasadori amerikan Lu dhe Ministri i Bujqësisë, Panariti. Vehipi ishte një prej 140 pjesëmarrësve të ftuar në event mes fermerëve të mbështetur nga AgroKapital, përfaqësues të Qeverisë, drejtues të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitore. Vehipi është pjesë e suksesit të AgroKapital, projekt i cili vetëm në vitin e parë të veprimtarisë së tij lehtësoi financimin e 4.7 milion dollarëve për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.

Takimi u çel me fjalimet e Ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti dhe Ambasadorit të shteteve të Bashkuara në Shqipëri Donald Lu, të cilët vlerësuan punën e bërë në zbatimin e projektit dhe garantuan vijimin e mbështetjes për fermerët dhe agropërpunuesit.

Ministri Panariti: AgroKapital, impuls i jashtëzakonshëm për financimin e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Panariti përgëzoi për punën e bërë në zbatim të projektit AgroKapital, ndërsa theksoi se: ‘Kërkohen përpjekje të mëtejshme në fushën e rritje së investimeve dhe financimeve dhe për rrjedhojë Programi AgroKapital mund të konsiderohet një instrument shumë i rëndëishëm që vjen nga kontributi shumë i vlefshëm i Shteteve të Bashkuara përmes USAID-it për të bërë të mundur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë. Fondet janë tha Ministri Panariti, por kërkohet anagazhim i sektorit bankar i cili përmes kreditimit do të bëjë të mundur nxitjen e bujqësisë dhe agrobiznesit. Këto fonde e grante kanë si qëllim të jenë katalizator i procesit të kreditimit që për hir të së vërtetët po shënon një rigjallërim pasi më parë kreditimi ka qënë shumë më i ulët. Pikërisht këto programe si AgroKapitaI i shërbejne rritjes së besimin të insitucioneve të kreditimit, bankave por dhe insitucioneve të mikrokredisë. Ky program do t’i japë impuls të jashtëzakonshëm financimit të bujqësisë dhe ajo që është më e rëndësishmja do të gjenerojë 1150 vende pune duke ndihmuar familjet në zonat rurale’.

Ministri Panariti theksoi se pak ditë më parë kishte ndarë të njëjtën përqasje me Drejtorin e Misionit të USAID, Z.Johnson lidhur me rëndësinë e fuqizimit të sektorit të serave.
Duke folur për përmbytjet e fundit që prekën jugperëndimin e Shqipërisë, Ministri Panariti ndau lajmin e gëzuar që Qeveria shqiptare ka vendosur që të mbartë kreditë e rreth 1 mijë familjeve të fermerëve të prekur nga përmbytjet, kredi që ata kanë nga institucionet e mikrokredive me një vlerë prej 1.5 milion euro.

Ambasadori i SHBA, Donald Lu: Nxisim qeverinë dhe OJF-të për reforma ligjore për ta bërë sektorin kredidhënës më transparent

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu e nisi fjalën e tij në gjuhën shqipe duke shprehur keqardhjen e madhe për familjet e shumta shqiptare që kanë humbur fermat dhe bagëtinë e tyre si rezultat i kësaj përmbytjeje të tmerrshme. Z.Lu theksoi se: “Shpresojmë që ndihma amerikane e ofruar përmes USAID-it do t’i mbështesë këto familje dhe do të ndihmojë në restaurimin e këtyre zonave të rëndësishme bujqësore. Këto përmbytje kanë dëmtuar të mbjellat, bagëtitë dhe shtëpitë por e di që nuk kanë dëmtuar vullnetin e fortë dhe shpirtin e popullit shqiptar. Jëmi të kënaqur të mbështesim AgroKapitalin përmes USAID, projekt i cili po ndihmon më shumë fermerë dhe biznese bujqësore në qasjen e tyre në skemat kombëtare të granteve të Qeverisë së Shqipërisë.

Por, tha ambasadori Lu, ka ende shumë biznese që kanë ende nevojë për më shumë akses në kapital që të rriten. Dimë gjithashtu se nevojiten reforma ligjore për ta bërë sektorin kredidhënës më transparent. Ne nxisim qeverinë dhe sektorin e OJF-ve të fokusohet në këto reforma. Falenderoj CBS për punën e tyre të jashtëzakonshme me fermerët si dhe institucionet financiare që janë sot me ne për dallimin e potencialit në rritje në këtë sector”, tha z.Lu

LORES dhe AGROWEB – produktet më të reja të 2015-tës

Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, theksoi se si suksesi i “AgroKapital” i detyrohet përdorimit të zgjidhjeve të reja për ngritjen e një komunikimi të ri mes agrobiznesit dhe instrumenteve e institucioneve financiare.
“Ekzistenca e këtij programi bazohet veçanërisht në rritjen e kërkesës së agrobizneseve për mbështetje me financime. Përmes mbështetjes sonë, 5.4 milionë dollarë u injektuan në ekonominë bujqësore shqiptare”, tha Jaço. “Programi parashikon të lehtësojë 14.8 milionë dollarë financime për agrobizneset shqiptare, të stimulojë rritjen e xhiros së sipërmarrjeve me 28 milionë dollarë dhe të gjenerojë 1,150 vende të reja pune.”

AgroKapital mbështeti në vitin e parë të veprimtarisë 25 fermerë e agrobiznese për aplikimet në fondet IPARD-like të BE-së, nga të cilët 21 u shpallën fitues, duke arritur 85% sukses në cilësinë e procesit. Ky projekt lehtësoi gjithashtu financimin për afërsisht 20% të aplikantëve të suksesshëm në Skemën kombëtare të subvencionit të qeverisë.

Zoti Jaço prezantoi edhe dy produkte të reja për vitin 2015 të projektit AgroKapital. LORES , sistemi i parë i automatizuar i referimit të kredive që lidh bankat me agjentët e referimit dhe portalin informativ AGROWEB.ORG,  që synon të jetë faqja kryesore e bujqësisë dhe mjedisit në Shqipëri.

Duke vlerësuar pikërisht këto dy produkte inovative, Drejtori i Divizionit Retail ne Intesa Sanpaolo Bank, Alberto Prestopino tha se pikërisht inovacioni është thelbi i zhvillimit edhe në sektorin bujqësor. Kjo tryezë tha ai, është një platform gjithpërfshirëse shumë e rëndësishme ku të gjithë aktorët dhe faktorët janë së bashku për t’i dhënë zgjidhje konkrete çështjes së financimit të bujqësisë shqiptare. Të njëjtim mendim ndau edhe znj. Adela Leka, Zëdhënëse e Bordit Drejtues të ProCredit, bankë e cila bashkë me Intesa SanPaolo janë dy bankat më me eksperincë me produktet e tyre për bujqësinë.

Suela Popa, Drejtoresha e AZHBR-së, (agjensia e pagesave) e vuri theksin te niveli jo i duhur i përthithjes e fondeve të BE përmes IPARD-like dhe fondeve të Skemave kombëtare në mbështetje të femrerëve. Znj.Popa kërkoi nga bankat mundësinë e kreditimit të fermerëve me një normë interesi të favorshme, që më pas mbulohet pjesërisht nga fondet e granteve. Ajo vlerësoi planet e biznesit dhe dokumentacionet e aplikimit ardhur nga fermerët e asistuar nga CBS përmes projektit AgroKapital, të cilat, tha ajo, kanë një nivel më të lartë krahasuar me aplikimet e tjera. Znj Popa bëri të ditur se së shpejti do të vihet në zbatim projekti 2KR për dhënien e kredive pa interes për fermerët veçanërisht për investimet në mbrojtje të mjedisit dhe riciklim.

Përfaqësuesit e agrobizneseve veç problemeve me financimin dhe me proçeset e kreditimit bankar shprehën shqetësim për pengesat që u vijnë nga bllokimi i lejeve të ndërtimit nga Qeveria, duke kërkuar mbështetje edhe nga AgroKapital për këtë çështje.

Për Vehipin mbyllja e takimit ishte një emocion më vete. Vrapoi aty ku kish lënë shportën. Priti me ankth daljen e Ambasadorit Donald Lu, truproja e të cilit parandjeu qetësisht se s’kish asgje “të rrezikshme” në shportën e tij veç mollëve. “Thank you” e thënë nga goja e një fermeri të suksesshëm teksa i dhuronte frytin e punës Ambasadorit Lu ishte mirënjohja që s’kish nevojë për asnjë koment më shumë. Donald Lu u përgjigj Faleminderit.

Z. Vehip Salkurti, kultivues mollësh nga Peshkopia, i mbështetur nga AgroKapital, i jep Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z.Donald Lu një shportë me mollë në shenjë falenderimi për mbështetjen e vazhdueshme