Hapet aplikimi për financim nga skemat kombëtare për bujqësinë

433 0

Skemat kombëtare të investimeve me grante me masë përfitimi pothuajse të njëjta me ato të BE-së startojnë më 9 Mars 2015. Ndryshe nga vitet e mëparshme, për vitin 2015 kjo mbështetje financiare për fermerët dhe agrobizneset do të bazohet në rajonizimin e aktiviteteve sipas hartës bujqësore. Kjo do të thotë se në zona të caktuara do të mbështetet financiarisht prodhimet që për shkak të klimës dhe kushteve të zonës janë më prioritare dhe më produktive për atë rajon.

Sipas Udhëzimit të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave, prioritet do të kenë të rinjtë si edhe fermerët që janë pjesë e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB). Periudha e aplikimit do të zgjasë deri në 03 Prill 2015 dhe për informim të detajuar fermerët e agro-përpunuesit duhet të interesohen pranë zyrave e bujqësisë së Qarkut ose Rrethit përkatës ose pranë Zyrave të konsulencës që ofrojnë mbështetje për aplikimet për grante e kredi.

Skemat kryesore të mbështetjes financiare janë:

  1. Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt, për:
    • Ngritje dhe/ose rikonstruksion ambjentesh për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
    • Ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambjenteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, midhjes dhe peshkut;
    • Linja për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim), tharje dhe/ose përpunim, si dhe mjete të specializuara transporti të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimë medicinale, produkteve të akuakulturës;
    • Mbështetje për energjinë e rinovueshme;
    • Hapje lerash.
  2. Ndërtim të serave për kultivimin e perimeve, prodhim fidanësh dhe produkte të tjera bujqësore në masën 60% të vlerës së investimit, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1 200 000 (njëmilion e dyqind mijë) lekë/dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 2 dynymë dhe jo më shumë se 2 ha.
  3. Mbështetja e investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit.

Skemat e tjera i përkasin rritjes së prodhimit përmes konkurueshmërisë për të gjithë sektorët bujqësorë dhe blegtoralë.

Sërish edhe këtë vit vijon aplikimi për skemat e suksesshme së mbështetjes së masës së interest të kredisë.

Mbështetje për ngrohjen e serrave me biomasë – pilotim në Berat

Një risi e këtij viti është skema e mbështetjes financiare për Instalimin e sistemit të ngrohjes me biomasë (peletë), në serrat me ngrohje qendrore në vlerën, jo më shumë se 1 800 000 (një milion e tetëqind mijë) lekë/dynymi. Kjo skemë do të pilotohet vetëm për Qarkun e Beratit ndërsa dokumentacioni duhet të dorëzohet në AZHBR-Qendër, brenda datës 15 Mars 2015.

Në Eventin e një vjetorit të projektit AgroKapital financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS zonja Suela Popa, Drejtore e AZHBR-së, theksoi se përthithja e fondeve të BE përmes IPARD-like dhe fondeve të Skemave kombëtare në mbështetje të fermerëve nuk është në nivelin e duhur ndërsa kërkoi nga bankat mundësinë e kreditimit të fermerëve me një normë interesi të favorshme, e cila mbulohet pjesërisht nga fondet e granteve.

Situata e nivelit të ulët të përthithjes së fondeve evropiane apo kombëtare për bujqësinë është cilësuar si alarmante nga Kryeministri Edi Rama (link), ndërsa gjithmonë e më shumë po i kushtohet vëmendje mbështetjes së fermerëve për plotësimin e dokumentacionit të aplikimit, shpesh një proces paksa i vështirë për fermerët.

Agroweb.org ju ve në dispozicion Udhëzuesin e plotë për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të cilin mund ta shkarkoni i duke klikuar këtu.

Më poshtë Harta e rajonizimit të produkteve bujqësore për çdo qark e qytet:


 Burimi: Udhëzuesi për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural