Ananasi – Sekretet e frutit simbol të verës

1.2k 0

Jeni në kërkim të një fruti të ëmbël, plot shije dhe vlera shëndetësore? Ananasi është zgjedhja fantastike. Gjëmbaç nga jashtë dhe super i shijshëm nga brënda, ananasi është një frut që mund ta gjesh kudo dhe prej të cilit mund të përfitoni vlera të jashtëzakonshme duke qenë se ananasi përmirëson shëndetin e frymëmarrjes, ndihmon në rënien në peshë, forcon kockat dhe shumë më tepër. Ananasi është një nga zgjedhjet më të përsosura të frutave gjatë stinës së verës falë vetive speciale që ofron.

Ananasi është një burim i pasur i një përbërësi të njohur si bromelen, që ofron shumë vlera shëndetësore, duke parandaluar tumoret, ulur inflamacionin, zgjeruar funksionet imunitare dhe përmirëson shëndetin e stomakut. Sezoni i ananasit është nga muaji Mars deri në Korrik, por atë mund ta gjeni gjatë gjithë vitit në çdo treg.

Në Shqipëri, ananasi importohet kryesisht nga magazinat e mëdha të Italisë dhe Greqisë të cilat furnizohen direkt nga plantacionet e Filipineve, Brazilit dhe Kosta Rikës, që janë prodhuesit më të mëdhenj në botë. Çmimi i një kilogrami ananas në Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës arrin 200 Lekë, çmim i cili ka pësuar ulje të konsiderueshme vitet e fundit si pasojë e rritjes së kërkesës për këtë frut nga konsumatorët shqiptarë. Nga të dhënat e tregut, ananasi është fruti i dytë ekzotik më i konsumuar në Shqipëri pas bananeve.

Në të shkuarën, ananasi konsiderohej një simbol pasurie dhe fisnikërie. Kristofer Kolombi dhe ekipi i tij besohet të kenë qenë të paktët evropianë që kanë zbuluar ananasin në udhëtimin e tyre të dytë në Karaibe në vitin 1493. Kolombi me shokë u marrosën pas shijes së ëmbël të ananasit dhe e importuan atë duke e kultivuar në zonat më të nxehta. Ananasi u kthye në simbol të pasurisë, sepse asokohe në vitet 1600 kultivimi i tij në Evropë ishte i pamundur. Vetëm fisnikët e pasur dhe elita e vendeve Evropiane mund të shfrytëzonin vlerat e këtij fruti të brishtë, por të shtrenjtë. Vetëm nga shekulli i 17-të, ananasi u bë një frut i përballueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Fakte interesante mbi Ananasin

Nuk ka asnjë arsye që mund t’ju mbajë larg ananasit, një prej frutave më të pazakontë tropikalë. Po çfarë dini për të? Zakonisht, ananasi ka nevojë për dy vjet që të arrijë përmasat ideale. Ananasi që ne konsumojmë është në variantin më të vogël, por duhet të dini që ky frut rritet edhe më shumë në madhësi. Ananasi ofron shumë vlera shëndetësore. Është i pasur me ushqyes, vitamina dhe minerale përfshirë bakër, kalium, kalcium, magnez, mangan, vitaminë C, vitamina B6, beta karoten dhe folat, por edhe fibër të patretshme dhe të tretshme dhe bromelen. 100 gram ananas i freskët përmban 50 kalori, 86% ujë dhe 13% karbohidrate. Ananasi pothuaj nuk ka yndyrë dhe proteina.

Vlerat shëndetësore të Ananasit

Konsumimi i frutave dhe perimeve të të gjitha llojeve kanë ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut ndaj shumë sëmundjeve që shkaktohen nga stili i jetesës. Shumë studime kanë treguar që konsumimi i këtyre perimeve dhe frutave, përfshirë ananasin zvogëlojnë rrezikun e obezitetit, sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Për më tepër këto ushqime promovojnë shëndet të mirë, flokë të bukur, rënie në peshë dhe shumë energji. Shumica e vlerave shëndetësore të ananasit janë falë përbërësit bromelen.

Ananasi është burim i shkëlqyer i karbohidrateve të mira. Karbohidratet tek ananasi janë kryesisht në formën e sheqerit, fruktozës, sukrozës dhe glukozës. Ananasi përmban edhe fibër. Një filxhan (165 gramë) ananas përmban 21.7 gramë karbohidrate dhe 2.3 gramë fibër. Kjo do të thotë që në çdo filxhan gjenden 19.4 gramë të karbohidrateve të tretshme.
Vitamina dhe Minerale. Ananasi është një burim i pasur me vitamina dhe minerale. Një filxhan me ananas përmban 132 % të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C dhe 76% mangan.
Falë përbërësit bromelen, lëngu i ananasit sugjerohet për marinimin e mishit, por edhe për të zbutur atë dhe shpërbërë proteinat e tij.

Ananasi përmirëson funksionet imunitare dhe ul inflamacionin. Sistemi imunitar ka një rol mbrojtës së trupit kundër sëmundjeve. Ai lufton mikroorganizmat e dëmshëm dhe përmirëson dëmet e shkaktuara prej tyre.

Ananasi forcon kockat. Ananasi ndihmon të kesh kocka të forta. Edhe pse ananasi nuk ka sasi të mëdha kalciumi, ai është i mbushur me sasi të mëdha mangani, një mineral i nevojshëm për forcimin e kockave dhe indeve lidhore.

Ananasi stimulon tretjen. Konsumi i dozës së rekomenduar ditore të ananasit ofron mbrojtje kundër një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh si: diarea, konstipacioni, irritimi I zorrëve, trashjen e gjakut, arterioskleroza dhe tensioni i lartë i gjakut.

Ananasi ul tensionin e gjakut. Tensioni i lartë i gjakut ndodh kur arteriet përballen me një forcë të madhe gjatë qarkullimit të tij. Ananasi është një burim i jashtëzakonshëm i mineraleve të nevojshme që ndihmojnë për të mbajtur tensionin e gjakut nën kontroll. Ndaj hani ananas për të pasur një zemër të shëndetshme dhe qarkullim të mirë të gjakut.

Ananasi shton pjellorinë. Dietat e pasura me antioksidantë përmirësojnë pjellorinë. Ananasi përmban një sërë vitaminash dhe mineralesh të dobishme siç janë beta-karotene, vitaminë C, bakër, zink, dhe folat. Shumë prej këtyre elementëve bëjnë meshkujt dhe femrat më pjellorë.

Si të bleni ananas të freskët? Kur të zgjidhni ananasin duhet të mbani mend dy gjëra. Në lëvozhga është me ngjyrë të verdhë ose ari, atëherë fruti është i pjekur. Nëse fruri është i prishur atëherë lëvozhga është e rrudhur. /AgroWeb.org/