Vrima e Ozonit drejt mbylljes tërësore?

523 0

Vrima e Ozonit është pothuajse e para gjë, që shqiptarët lidhin me çështjet e mjedisit apo me ndryshimet klimatike. Kryesisht duke e përdorur si shaka, sa herë dikush ndot mjedisin, madje shpesh pëdoret edhe pa e ditur se ku qëndron thelbi i problemit.

Si rregull, në gazetari, aq më shumë në Shqipëri, lajmi i keq është lajm i mirë. Por ky është një nga ato raste që shpjegon të kundërtën. Kemi lajme të mira që, siç thuhet ‘përbëjnë lajm’.

Gati tri dekada pasi botërisht u ndaluan kimikatet që po shkatërronin shtresën mbrojtëse të ozonit, shkencëtarët thonë se më në fund ka shenja që kjo shtresë e atmosferës po shkon drejt riparimit.

Madje sipas ekspertëve, shtresa e ozonit do të "shërohet" plotësisht deri në vitin 2050.

Gjetjet e reja, botuar në revistën Science, tregojnë se madhësia mesatare e vrimës së ozonit çdo shtator është zvogluar për më shumë se 1.7 milionë milje katrorë që nga viti 2000.

Përmirësimi i dedikohet kryesisht suksesit të Protokollit të Montrealit në vitin1987, i cili ndaloi përdorimin e Klorofluorokarboneve (CFC) në produktet kryesisht kozmetike, si llak sprucues apo edhe në gazin e frigoriferëve.

Vrima e ozonit u zbulua fillimisht nga të dhënat e viteve 50-80 nga shkencëtarë të Studimive Britanike të Antarktidës.

Duke përdorur të dhëna nga matësit e motit, satelitët dhe stimulues të ndryshëm, ata arritën në përfundimin se hollimi i kësaj shtrese kishte arritur të shtrihej në një sipërfaqe prej 4 milion km katrorë. Ata zbuluan se më shumë se gjysma e këtij hollimi kishte ardhur si pasojë e reduktimit të klorit në atmosferë.

Po Shqipëria?

Statistikat botërore Index Mundi tregojnë se përdorimi i substancave shteruese të ozonit nga zero që ishtin në vitin 1991, u rritën menjëherë në 40 ton ODP (Potenciali Shterues i Ozonit)

Viti 2001 ishte viti më i keq me 70.7 ton ODP, niveli më i lartë që prej 1991-it.

Përsa i përket vetëm substancave klorofluorokarbon-ike (CFC) konsumi i Shqipërisë në vitin 1995 ishte 40.3 ton ODP me një ritje në 68.8 gjatë vitit 2001.

Në vitin 2005, Qeveria shqiptare me Vendim të Këshillit të Ministrave, miratoi vendimin mbi listën e pajisjeve dhe produkteve me substanca ozon-holluese, prodhimi dhe importi i të cilave u ndalua, si edhe mbi rregullat dhe procedurat për pajisjet ekzistuese që përmbanin këto substanca.

Në vitin 2007 konsumi i CFC-ve ra deri në rreth 4 ODP ton.

Planifikimi për vitin 2009 ishte reduktimi i këtyre substancave nga 4.08 ton në 2.2 ton.

Masat e ndërmarra në përputhje me Protokollin e Montrealit, u realizuan plotësisht duke e reduktuar këtë vlerë nga 4.08 në zero.

Mbyllja e Vrimës së Ozonit dhe politikat mjedisore të Shqipërisë

AgroWeb kërkoi edhe mendimin e ekspertëve shqiptarë. I pyetur për këtë, zoti Edvin Pacara, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politikat Mjedisore tha se:

"Mbyllja e vrimës së ozonit nga vendimi për eliminimin e CFC-ve tregon se kur ka vullnet politik dhe merret parasysh shkenca, mund të zgjidhen e parandolhen edhe probleme që prekin të gjithë rruzullin tokësor. E njëjta gjë vlen edhe për Republikën e Shqipërisë.

Nëse politika tregon vullnet të mirë për të mirën e vendit, dhe dëgjon rekomandimet e shkencës dhe ekspertëve, Shqipëria do të kishte energji më të lirë, duke dëmtuar më pak mjedisin e shëndetin. Ashtu si një marrëveshje ligjore mes shteteve zhduku CFC-të dhe po mbyll vrimën e ozonit, ashtu dhe një marrëveshje e brendshme e shteteve, si mes tyre në shkallë botërore, do të frenonte apo dhe të ndalonte ndryshimet klimatike që tani po hyjnë në fazën e moskthimit mbrapa", tha zoti Pacara për AgroWeb.

Çfarë janë CFC-të?

Klorofluorokarbonet janë substanca kimike të prodhuara nga njeriu në lëngje ose gaze. Ato përmbajnë karbon, fluor dhe klor. CFC-të nuk ndodhin natyrshëm dhe janë prodhuar gjithmonë nga njerëzit. Ato nuk janë toksike dhe nuk ndezin flakë, edhe pse kanë ndikim të konsiderueshëm në atmosferë. Ato janë përdorur zakonisht si një përbërës i shkumave me sprucim, lëngjeve ngrirëse dhe në kondicionerë apo frigoriferë.

Klorofluorokarbonet kanë dy efekte të mëdha në atmosferë. I pari është efekti i gazeve serë dhe së dyti është se ata kanë aftësinë për të shkatërruar dhjetëra mijëra molekula të ozonit, duke holluar shtresën e tij.

Shtresa e ozonit mbron Tokën nga rrezet e dëmshme ultraviolet të diellit (UV-B), të cilat mund të shkaktojnë kancerin e lëkurës dhe dëme fiziologjike te kafshët dhe bimët. Vrima e ozonit mbi Antarktidë shfaqet çdo vit dhe është zakonisht më e madhe gjatë muajit tetor.

Sa i përket Shqipërisë, gjatë vitit 2009 vendi ynë ka përmbushur plotësisht detyrimet e veta ndaj Protokollit të Montrealit.

Mbyllja e vrimës së ozonit është sigurisht një lajm shumë i mirë për botën, ose siç u shpreh me entuziazëm një prej shkencëtarëve; ‘Ne morë një vendim të gjithë bashkë, e gjithë bota, të zhdukim këto molekula të dëmshme. Në tashmë po shpëtojmë prej tyre dhe po shohim planetin të na përgjigjet. "/AgroWeb.org/