Ballkani ekonomik projektohet në Londër

371 0

“Tani është momenti për të investuar në rajonin tonë jo dhe aq perfekt. Po të prisni derisa të bëhet perfekt, ndoshta do të jetë shumë vonë”. Me këto fjalë Kryeministri shqiptar Edi Rama i është drejtuar investitorëve të huaj që t’i hedhin sytë drejt rajonit dhe në mënyrë të veçantë drejt Shqipërisë, si një vend me potencial të pashfrytëzuar, të cilin vendet e tjera “perfekte” nuk e kanë.

Prezent në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor të mbajtur nga BERZH në Londër, Rama së bashku me liderët e tjerë nga rajoni dhe investitorë të huaj diskutuan gjerë e gjatë rreth sfidave dhe mundësive për investime.

Ecuria e reformave, siguria fiskale dhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishin disa prej temave kryesore që u hodhën në diskutimin nga liderët ballkanas. “Integrimi rajonal përmes korridoreve rrugore, gazsjellësve, si dhe zgjerimi në sektorin e prodhimit mbeten në krye të axhendës sonë të përbashkët”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Samit.

Kryeministri Rama së bashku më liderër e tjerë të Ballkanit Perëndimor në Samitin e BERZH në Londër.

Ndërkohë që për Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç është me rëndësi të veçantë edhe stabiliteti në rajon. “Stabiliteti dhe reformat ekonomike janë thelbësore për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Vuçic ndërsa e vuri theksin tek bashkëpunimi me projekte të përbashkëta, si ajo e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë. “Eshtë autostrada e paqes. Një mënyrë e shkëlqyer për të lidhur shqiptarët dhe serbët”, tha Vuçic.

Një tjetër mënyrë me të cilën do të lidhen shqiptarët me rajonin, do të jetë ajo përmes linjës së interkoneksionit Maqedoni-Shqipëri. Kjo linjë pritet të rrisë kapacitetet transmetuese të energjisë elektrike ndërkufitare të Shqipërisë, duke e lejuar atë të ketë një qasje më të madhe në tregun rajonal të energjisë elektrike. Në bazë të marrëveshjes, e cila i hapi rrugën investimit prej 49 milionë euro (12 milion euro grant nga BE-ja dhe 37 milionë euro kredi nga BERZH) do të ndërtohet një linjë e transmetimit të energjisë prej 400 kV nga Shqipëria në Maqedoni.

Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor prodhojnë energji nga linjiti, i njohur ndryshe si qymyri kaf, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kryesisht fokusohet në hidro-energji. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të vazhdojnë punën në krijimin e një tregu rajonal të energjisë.

Në Ballkan, siç pohoi dhe Presidenti i BERZH Suma Chakrabarti, nuk mungojnë talentet, as dhuntitë prej sipërmarrësish. “Por ajo që mungon është kualifikimi”, nënvizoi Chakrabarti në fjalën e tij. Çka na bën shumë pas konkurues.
Pikërisht sipas ekspertëve të BERZH, arsyeja kryesore që qëndron pas hendekut të mirëqenies është dështimi i vazhdueshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë konkurues.

Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dhe një as nën mëngë duke u ofruar investitorëve një sërë alternativash tërheqëse. Perspektiva afatgjatë e Bashkimit Europian është një vlerë e shtuar dhe një cilësi unike e gjithë rajonit, në krahasim me tregjet e tjera në zhvillim.

Kjo perspektivë ndihmon gjithashtu në ndërmarrjen e reformave të orientuara tek tregu dhe standardet Evropiane. Qëndrueshmëria afatgjatë makro-ekonomike, vendndodhja strategjike, ekonomitë e shumëllojshme, regjimet e favorshme të taksave dhe kostot e ulëta të punës të kombinuara me një popullësi të arsimuar janë disa prej karakteristikave kryesore të rajonit, të cilat sipas ekspertëve të BERZH duhen vënë në punë për të tërhequr më shumë investitorë.

Burimi i rritjes ekonomike në të ardhmen do të varet shumë te integrimin tregëtar brenda rajonit dhe me gjithë botën; te shfrytëzimi i burimeve rajonale energjitike, përmirësimi i infrastrukturës së transportit dhe inovacioni në teknologji.
Sidoqoftë, rajoni përballet me sfida afatgjatë; siç janë ngadalësimi i mundshëm i reformave, rreziqet që vijnë nga destabiliteti financiar, trendet jo të favorshme demografike dhe ndryshimet klimatike.

Nëse qeveritë e rajonit mbeten të përkushtuara ndaj reformave dhe bashkëpunimit rajonal, këto sfida mund të zbuten, në mos kapërcehen. Kërkesa kryesore për të arritur pjesën tjetër të Bashkimit Evropian është rritja e investimeve në rajon. Ballkani Perëndimor ka një sërë veçorish kryesore për investitorët, të cilat përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme në atë që kryeminstri Rama e përshkruan si “një rajon jo dhe aq perfekt”.