Verë në Dimër?

886 0

Eshtë rekord. Vitin e kaluar “plasëm “ nga vapa dhe mezi pritëm të na vinte dimri. Por u gëzuam shpejt, pasi në javën e kaluar në rrugët e Tiranës pamë sërish të na shfaqen mëngët zhapone e këmbët e zbathura. Ju kujtojmë që jemi ende në muajin shkurt, mesi i dimrit. Dhe bën vapë, shumë vapë. Për parashikuesit e motit, kjo është një verë e vogël në mes të dimrit. Temperaturat në vend kapën rekordin javë e kaluar, duke arritur në 27 gradë Celcius në zonat fushore dhe 21 gradë Celcius në ato malore, krejt të pazakonta për stinën.

Lajmi i mirë është që temperaturat pritet të ulen pak në ditët e ardhshme, por sërish i nxehti do të vijojë. Temperaturat ditore pritet të ulen në 17-18 gradë dhe ditë me shi na presin. Por përpara se të bëni gati çadrën dhe të mendoni se dimri u rikthye, bëni mirë të hiqni pallton e të uleni e të lexoni më tej. Shkencëtarët thonë se ky do të jetë një vit i nxehtë, shumë i nxehtë. Por a nuk ishte dhe viti i kaluar një vit i nxehtë, madje dhe më i nxehti në glob.

Mesa duket jo. Sipas NASA, muaji janar ka regjistruar temperaturat më të larta që janë parë ndonjëherë dhe me shkurtin që duket si verë. Për marsin meterologët thonë që do të ketë surpriza, ndërsa për verën ka shumë gjasa që të piqemi nga zhegu. Pas rekordit alarmues për temperaturat e janarit, 2016 sipas shkencëtarëve mund të jetë një tjetër vit që do të thyejë rekordet. Zyra meterooligjike britanike përshembull, thotë se bota në vitin 2016 “do të jetë po aq e nxehtë, në mos më shumë” se në vitin 2015.

Nëse 2016 do të shënojë një tjetër rekord për temperaturat e larta, atëherë do të ishte hera e parë që dy vite njëri pas tjetrit janë kaq të nxehtë. Një fenomen që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ngrohja globale është edhe si pasojë e El Niño. Fenomeni i ujit të ngrohtë në lindje të Paqësorit mendohet se ka kaluar pikun, por sërish ka qenë një shtysë e vogël në rritjen e temperaturave globale. Shkaktari kryesor janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Pavarësisht faktit nëse viti 2016 do të shënojë një rekord të ri ose jo, disa shkencëtarë besojnë se ka arritur në një nivel të ri të ngrohjes globale. Por kjo nuk nënkupton që çdo vit do të thyejë një rekord por me shumë gjasa bota ka hedhur hapin drejt një niveli të ri super ngrohje. Shqipëria, ashtu si shumë vende të globit, përjetoi gjatë 2015-tës temperatura ekstremisht të nxehta, që thyen rekorde historike veçanërisht në Korrik. Sipas të dhënave që Meteoalb vera 2015, krahasuar me verën tipike të Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë e nxehtë.

Ajo krahasohet me verën e vitit 2003, 2007 dhe 2012 të cilat janë të klasifikuara si në rajon ashtu dhe në Europë si vera shumë të nxehta. Konkretisht, në vitet 2003, 2007 dhe 2012 janë shënuar temperatura maksimale ditore mbi 41°C ndërkohë që vera e 2015-tës shënoi temperatura ditore mbi 42 °C, vlera këto të matura në hije, sipas standarteve botërore të matjeve meteorologjike. Në terrene të zhveshura nga bimësia apo në sipërfaqe të asfaltuara, temperaturat janë ngjitur disa gradë mbi 42°C.

Por përveç bezdisë, temperaturat e larta, së bashku me thatësirën dhe reshjet kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në një nga sektorët më jetikë të ekonomisë: në bujqësi. Sipas një raporti të Bankës Botërore, bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm në Shqipëri ndaj ndryshimeve klimatike dhe pa një plan të qartë të politikave bujqësore në përshtatje me ndryshimet e klimës, jetesa e zonave rurale është në risk. Falë ndryshimeve klimatike, disa zona do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e ndryshimeve ekstreme të motit si i nxehti apo breshëri. Kushtet e papritura të motit vit pas viti, e rrezikojnë seriozisht sektorin, çka reflektohet menjëherë në ekonomi, duke bërë që ajo të tkurret nga ditët e nxehta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.