Bananet – Vërtet drejt zhdukjes?

395 0

Nëse të pëlqejnë bananet apo edhe nëse thjesht i përdor ato si bazë e ëmbëlsirave të tua të shëndetshme, ka disa zhvillime shqetësuese për ty: ngjarjen që mediat e quajnë “Bananapokalipsi”, e ke te pragu i derës. Sipas lajmeve më të fundit, që prej vitit 2013, një tip kërpudhe vdekjeprurëse po shkatërron plantacionet e bananes anekënd botës, nga Azia e Jugut dhe Lindja e Mesme në Afrikë dhe Australi. Asnjë nga strategjitë e propozuara për të frenuar të ashtuquajturën Epidemia 4 Tropikale e Bananes nuk ka funksionuar, kështu që është çështje kohe deri sa të arrijë Amerikën Latine prej nga ne marrim shumicën e bananeve tona, – më saktë tre të pestën e eksportit botëror.

Diçka e tillë ka ndodhur edhe në fillim të viteve 1900 kur epidemia e parë, brenda 50 viteve çoi të vetmin lloj të eksportit të bananes të quajtur Gros Michel, pranë zhdukjes. Në atë kohë, përgjigjia e vetme për të trajtuar situatën ishte kultivimi i një lloji të ri bananeje të quajtur Kavendish3, pikërisht ajo që ne hamë sot. Fatkeqësisht, kërpudhat janë zhvilluar shumë dhe tashmë po e çojnë edhe llojin Kavendish të bananeve drejt zhdukjes. Kjo paraqet një problem serioz sepse, sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), çdo njeri në botë ha mesatarisht 10 kg banane në vit, pra rreth 100 miliardë banane të konsumuara çdo vit në total. Në Shqipëri kjo shifër shkon në rreth 5 kg banane për person në vit dhe një vëllim importi prej 17 mijë tonë çdo vit.

Nuk ka nevojë të na kapë paniku e të fillojmë të konsumojmë sa më shumë banane të mundemi sepse shkencëtarët po përpiqen të kultivojnë një farë më rezistente të bimës. E ndërsa presim, më poshtë janë 7 kuriozitete mbi bananet tona të dashura dhe 7 mënyra për të ricikluar lëkurën e mbetur të bananes, sjellë për ju nga AgroWeb.

7 kuriozitete rreth bananeve:

1. Emri shkencor i bananes është “musa sapientum” që përkthehet “fruit i njerëzve të mençur”; vetë fjala “banane” vjen nga arabishtja – do të thotë “gisht”.
2. Bima e bananes nuk është pemë – në fakt është bima më e madhe në botë. “Trungu” i bananes nuk është dru – ai përbëhet nga gjethe të mbivendosura fort pas njëra-tjetrës. Në majë të tyre, bananet qëndrojnë praktikisht si manaferra.
3. Me vetëm 95 kalori, banania siguron stimulin më të shpejtë energjitik (jo yndyrna, jo kolesterol, jo sodë) dhe të ndihmon të ndihesh më i lumtur duke qenë se përmban triptofan, një lloj proteine të cilën trupi e kthen në serotoninë, e cila është gjerësisht e njohur për kënaqësinë dhe rritjen e gjendjes emocionale të njeriut.
4. Për bananen janë bërë më shumë këngë se për çdo frut tjetër.
5. 50% e ADN-së sonë është e ngjashme me ADN-në e bananes.
6. Njeriu që ka ngrënë më tepër banane në një vakt dhe për këtë mban rekord botëror është Naader Reda, i cili në mars të vitit 2014 hëngri 30 banane brenda një vakti. Sipas disa burimeve të tjera, dikush tjetër në Indi, hëngri 81 banane në gjysmë ore.
7. Disa kultura (më e dalluara prej tyre në Japoni), përdorin fibrat e bimës së bananes për të bërë pëlhurë e ndonjëherë edhe letër.

7 këshilla si të ricikloni lëkurën e bananes:

1. Nëse e shtyp lëkurën e bananes mbi pickimin e insekteve të ndryshme në trup, nuk do të kesh enjtje apo kruarje, falë vajit që kjo lëkurë përmban.
2. Nëse e fërkon të brendshmen e lëkurës së bananes mbi nje djegie apo plagë, ajo lehtëson dhembjen, ndalon mufatjen dhe parandalon infektimin.
3. Për të zbardhur dhëmbët, fërko anën e brendshme të lëkurës së bananes në dhëmbët e tu, për afro dy minuta çdo natë. Kjo ndodh për shkak të efektit të kombinuar të kaliumit, manganit dhe magnezit.
4. Banania dhe lëkura e bananes janë plehrues të mirë (mund t’i përziesh, groposësh apo mund t’i presësh në pjesë të vogla dhe t’i shpërndash në dheun e kopshtit), për shkak të përbërjes me magnez dhe kalium.
5. Mund ta përdorësh lëkurën e bananes për të pastruar dhe lustruar këpucët prej lëkure.
6. Lëkura e bananes është një lustër shumë e mirë për argjendin – thjesht fërko diçka prej argjendi me të brendshmen e një lëkure bananeje dhe pastaj fshije me një rrobë të thatë.
7. Fërkoni gjethet e luleve të vazos në shtëpi me një lëkurë bananeje, në mënyrë që ato të shndrisin më shumë.