Banka Botërore: Finalizimi i reformave, kusht për rritje ekonomike

317 0

Kriza ekonomike që gjunjëzoi botën dhe që i tundi themelet shumë vendeve nuk la pa prekur as ekonominë shqiptare. Megjithëse sistemi ynë bankar nuk u trondit, krahasuar me vendet e tjera në rajon, sërish Shqipëria e ngadalësoi hapin e saj në rritjen ekonomike, me ulje të kreditimit, të investimeve e të remitancave. Por në vitin 2016 Shqipëria mund ta rimarrë veten. Sipas Bankës Botërore, viti i ardhshëm pritet të jetë një vit i mirë për ekonominë shqiptare. Parashikimi prej 2,7% i këtij viti mund të rritet në 3,4% në vitin e ardhshëm. Në një intervistë ekskluzive për Agroweb, Menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed është optimiste se ekonomia shqiptare do të ketë rritje nëse finalizohen disa reforma kyçe si ajo fiskale dhe territoriale, reforma që kontribuojnë direkt në hapa më të shpejtë të vendit drejt rritjes ekonomike. Banka Botërore gjithashtu sheh potencial të madh për rritje ekonomike në dy sektorë; në Energjinë e Rinovueshme dhe Bujqësi. Tahseen Sayed, shpjegon më gjerësisht në intervistën e mëposhtme këndvështrimin e Bankës Botërore mbi këto çështje kyçe.

Këtë vit Banka Botërore e uli parashikimin e saj për rritje ekonomike të vendit nga 3% që ishte në fillim të vitit në 2,7%. Ky parashikim është sërish i lartë, po ta krahasojmë me disa vende të rajonit, por është gjithsesi poshtë potencialit të saj. A mendoni se Shqipëria do t’i arrijë objektivat e saj dhe a është mjaftueshëm ambicioz si synim? Për më tepër a kanë qenë kushtet e favorshme për ta mbështetur këtë rritje?

Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në vitin 2015, pavararësisht mjedisit të jashtëm jo shumë të favorshëm. Zhvillimi i dinamikave në çmimet ndërkombëtare nuk ka qenë shumë favorizues në industrinë nxjerrëse, duke ndikuar edhe tek eksportet shqiptare. Për më tepër, situata ekonomike në vendet fqinje si Italia dhe Greqia ka ndikuar në uljen e remitancave. Gjithsesi, ecuria e investimeve mbështetur dhe nga Investimet e Huaja Direkte (FDI) po ndihmojnë që ekonomia të rritet me 2.7 përqind në vitin 2015 dhe 3,4 përqind në vitin 2016 e më tej. Kjo rritje do të kontribuojë në rimëkëmbjen ekonomike. Konsolidimi i vazhdueshëm fiskal, reforma të forta për klimën e investimeve dhe përmirësimi i sektorit financiar do të jenë faktorët kyç që do të kontribuojnë në rritje.

Por ndërkohë, treguesit e raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore për Shqipërinë janë përkeqësuar dukshëm këtë vit. Në total Shqipëria ka humbur 35 vende, për shkak dhe të një përkeqësimi që lidhet me ‘çështjen e lejeve të ndërtimit’ me një zbritje prej 65 pikësh. A është e favorshme klima në Shqipëri për të thithur investime dhe për të sjellë rritjen ekonomike?

Raporti “Të bësh Binzes” mat një nëngrup faktorësh që ndikojnë në klimën e biznesin. Rënia e këtij viti në renditje ishte pjesërisht për shkak të reformës territoriale dhe moratoriumit të përkohshëm mbi lejet e ndërtimit. Ndërsa reforma territoriale është kritike për të bërë të mundur kalimin në një sistem më efektiv të administratës lokale, ajo rezultoi me një kosto afatshkurtër për qeverinë reformatore shqiptare. Reforma do të sjellë një sistem më të konsoliduar dhe efikas të administratës lokale dhe rregulla të përmirësuara në lidhje me lejet e ndërtimit. Ndërkohë që raporti “Të bësh biznes” tregon dhe për përmirësime të rëndësishme në klimën e biznesit, siç është fuqizimi i sistemit të qeverisjes së korporatave dhe përmirësimi i mbrojtjes së investitorëve të pakicave duke paraqitur kërkesat ligjore për deklarimin e menjëhershëm të transaksioneve mes palëve për publikun. Tregëtia gjithashtu është bërë më e lehtë edhe përmes implementimit të një sistemi elektronik për kontrollin e eksporteve, duke reduktuar në këtë mënyrë kohën në kufi. “Të bësh biznes” gjithashtu ka vërejtur ndryshime pozitive për sa i përket cilësisë së praktikave rregullatore në regjistrimin e pronës, në zbatimin e kontratave dhe në tregëtinë me vendet e tjera. Sfida më e madhe e Shqipërisë është që të mbajë ritmin e reformave në mënyrë që të tërheqë investitorë të huaj dhe vendas.

Duke qenë se jemi tek reformat, Banka Botërore ka mbështetur reformën e qeverisë në sektorin energjetik me këshilla dhe financime. Çfarë potenciali shihni në rimëkëmbjen e këtij sektori?

Qeveria shqiptare ka ndërmmarë një reformë shumë të madhe në sektorin energjetik, duke përshirë dhe masa shtrënguese për të ulur vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të përmirësuar vjeljen e të ardhurave. Gjatë vitit 2014 dhe 2015 situata është përmirësuar në mënyrë të dukshme përsa i përket humbjeve në rrjet dhe mbledhjes së të ardhurave. Përveç kësaj, qeveria ofroi subvencione për familjet në nevojë për të kompensuar ndryshimet në çmim. Gjithsesi, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rivendosur qëndrueshmërinë financiare të sektorit dhe për të siguruar që humbjet dhe borxhet të shkojnë në nivele të qëndrueshme, Kjo jo vetëm për të reduktuar presionet mbi buxhetin, por edhe për të mundësuar një siguri më të lartë të furnizimit me energji.

Angazhimi i Bankës Botërore në sektorin e energjisë, i bërë në bashkëpunim të ngushtë dhe me IFC, përfshin dhe mbështetjen për ta vënë këtë sektor në një rrugë financiarisht të qëndrueshme, me qëllim që të zhvendoset gradualisht drejt liberalizimit të tregut. Banka Botërore po financon me 150 milionë dollarë projektin “Reforma e Energjisë dhe Rimëkëmbja” për të mbështetur reformat në sektorin energjetik shqiptar, në mënyrë të veçantë për të siguruar furnizmin me energji dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit.

Zbatimi i Planit të Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit të Energjisë, e miratuar në shkurt të vitit 2015, është thelbësor për një kthesë të sistemit dhe për ta ndihmuar që deri në 2018-tën të jetë në gjendje të jetë i vetëqëndrueshëm. Grupi i Bankës Botërore është gjithashtu i angazhuar në një program për të forcuar sigurinë e digave mbi Kaskadën e Drinit, së bashku me partnerë të tjerë të zhvillimit.

Eshtë folur shumë për potencialin që ka Shqipëria në lidhje me energjinë e rinovueshme. A mendoni se kjo do të jetë një mundësi zhvillimi për Shqipërinë?

Shqipëria njihet tashmë për potencialin e lartë që ka në lidhje me hidrocentralet. Për më tepër Shqipëria ka dhe një potencial shumë të madh në zhvillimin e energjisë diellore (një nga më të mirat në Europë) si dhe për parqe të energjisë së erës. Në përputhje me IFC (njësia e sektorit privat të Grupit të Bankës Botërore) fokusi strategjik në lidhje me zbutjen e ndryshimeve klimatike, synon të zhvillojë tregun e energjisë së rinovueshme në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes programit të energjisë së rinovueshme, i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2010.

Ky program adreson shumë barriera për zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme. Mungesa e kuadrit rregullator të qëndrueshëm mbetet një nga pengesat kryesore të zhvillimit të këtij sektori. Përveç kësaj, struktura e sistemit energjetik shqiptar ka mungesa të kapaciteteve transmetuese, si dhe vështirësi në gjenerimin në mënyrë të vazhdueshme të energjisë së rinovueshme. Këta faktorë mund të krijojnë një pengesë shtesë për shfrytëzimin më të gjerë të potencialit natyror. Programi i ri i Energjisë i IFC-së pritet të nisë së shpejti dhe do të synojë që të rregullojë këtë situatë duke adresuar pengesat ndaj rritjes dhe të nxisë investimet në prodhimin e energjisë të pastër.

Financimi është kyç për rritjen ekonomike. Gjithsesi portofoli i kredive të këqija i ka bërë bankat që t’i shtrëngojnë kushtet e kreditimit. A ka ndonjë ‘recetë’ që Shqipëria mund të ndjekë për një rritje të kreditimit në vend dhe cili është parashikimi juaj për 2-3 vitet e ardhshme?

Që nga fundi i vitit 2014, niveli i kredive të këqija ka rënë nga 25% në 20% në fund të vitit 2015. Më shumë gjasa kjo përqindje do të vijojë të bjerë pas implementimit në vitin 2016 të dy ndryshimeve kyçe ligjore të cilat janë duke u pregatitur. E para është prezantimi i një ligji për falimentimin, i cili do të sigurojë një kuadër efektiv për ristrukturimin e borxhit, ose në rast se nuk është i suksesshëm fillimin e implementit të procedurave të falimentimit për borxhlinjtë që nuk arrijnë të paguajnë. E dyta është përmirësimi i procesit ligjor për posedimin dhe shitjen e kolateralit, e cila do t’i siguronte kreditorëve më shumë siguri në rekuperimin e kredive të papaguara. Ndërmarrja në kohë e veprimeve do të çonte në një ulje të mëtejshme të kredive të këqija.

Bujqësia është një nga dy sektorët më strategjik të ekonomisë shqiptare. Jo vetëm që punëson 50% të popullsisë, por përbën dhe 20% të PBB-së. Cila është perspektiva e Bankës në lidhje me bujqësinë? A keni ju projekte që e mbështesin në mënyrë direkte apo dhe indirekte këtë sektor?

Aktualisht Banka Botërore po mbështet dy projekte në sektorin bujqësor. Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes është projektuar për të hedhur themelet për menaxhim më racional dhe të përgjegjshëm të burimeve të ujit, dhe për të përmirësuar performancën e ujitjes dhe kullimit. Përveç kësaj, projekti synon të adresojë çështjet e menaxhimit të dobët të burimeve ujore dhe sektorëve të ujitjes, për të ndihmuar vendin që të përmbushë kërkesat që lidhen edhe me anëtarësimin në BE. Investimet kryesore të këtij projekti kanë të bëjnë me rehabilitimin e digave dhe të kanaleve të ujitjes në dy zona: Drini-Buna dhe Semani. Gjithashtu përfshihen edhe përgatitja e strategjisë së menaxhimit të integruar të burimeve ujore, krijimi i kadastrës së ujit, strategja kombëtare për ujitjen dhe kullimin dhe përgatitja e dy planeve të menaxhimit të basenit lumor.

Projekti tjetër për ‘Sherbime Mjedisore’ do të mbështesë një skemë grantesh konkuruese për masat agro-mjedisore që do të jetë e hapur për fermerët dhe grupet e përdoruesve. Kjo do të hapë rrugën për fonde në sektorin e pyjeve dhe kullotave përmes mekanizmave të financimit të zhvillimit rural dhe agro-mjedisor të BE-së, të ofruara në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural. Qëllimi kryesor është për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë në zonat rurale dhe përmirësimin e menaxhimit të tokës. Projekti gjithashtu do të mbështesë forcimin e kapaciteteve të agjencive qeveritare për të menaxhuar dhe përthithur fondet IPARD, kur ato të jenë të disponueshme.