Barkodi shqiptar, sekreti pas shiritave bardh e zi

1.2k 0

Një seri shiritash të zinj në hapësira të bardha të stampuara në etiketat e produkteve, për të identifikuar secilin prej tyre në një mënyrë unike. Së fundmi, edhe në Shqipëri, ai ka zëvendësuar madje edhe etiketat e zakonshme të çmimeve. Një kriptogram, që gjithsecili do të donte ta dëshifronte. Një kod, që revolucionalizoi industrinë e shitjeve.

530. Mbajeni mend këtë numër. Do të thotë Made in Albania. Pra nëse barkodi i një produkti fillon me këtë numër do të thotë ‘Prodhim Shqipërie’.

Barkodi, një numër si kartë identiteti e çdo produkti.Shumica e produkteve që qarkullojnë në hapësirat shqiptare ashtu si në të gjithë botën janë të identifikuara me numra. Përmes numrave, barkodi jep shumë informacion se çfarë produkti është, cila fabrikë e ka prodhuar dhe shteti ku ai produkt është prodhuar. Barkodet mund të lexohen nga skanera optikë e së fundmi, edhe nga aplikacione telefonike.

Barkodi funksion në bazë të një standardi që quhet GS1. GS1 është një organizatë ndërkombëtare neutrale jo-fitim-prurëse me qender në Bruksel, Belgjikë. GS1 Albania është 1 nga 112 organizata anëtare GS1 në të gjithë botën.

Nuk ka rëndësi se në cilin vend të botës është i bazuar biznesi apo cilën gjuhë përdorni, partneret tregtarë mund ta kuptojnë gjithmonë njeri-tjetrin duke perdorur standartet GS1. Standartet GS1 perdoren nga të gjitha industritë, nga shërbimet ushqimore dhe shitja me pakicë te shëndetësia e deri te muzika.

Çfarë është standardi GS1 dhe sa vjet ka që operohet në Shqipëri me këtë standard?

AgroWeb zhvilloi një intervistë me zotin Eno Dhamo, Menaxher i projekteve dhe shërbimit të klientëve në përfaqësinë e GS1 në Shqipëri.

Duke nisur me një historik të shkurtër, zoti Dhamo thotë se: ‘Në 3 Prill, 1973 përfaqësues te ndryshëm nga industria ushqimore në SHBA zgjodhën barkodin linear si standardin e kërkuar për identifikimin e produkteve, ose siç njihet sot Barkodi GS1 dhe krijuan organizatën UCC (Uniform Code Council) e cila administronte sistemin e numërimit në Amerikën e Veriut. Tre vjet më pas, 12 anëtarë Europianë fromuan shoqatën EAN (European Article Numbering Association) ne Belgjikë. Në vitin 2005 keto dy organizata u bashkuan duke krijuar organizatën GS1 dhe 1 vit më pas në Qershor, 2006 Shqipëria u pranua si anëtare e kësaj organizate.

A mund të kuptojë konsumatori diçka nga barkodi?

Nëse 530 do të thotë produkt shqiptar, çfarë do të thonë shifrat më pas? Zoti Dhamo thotë se: ‘Barkodi linear GS1 është standardi i vetëm që përdoret në Pikat e Shitjes. Ai është i përbërë nga 13 shifra. 2-3 shifrat e para përcaktojnë organizatën GS1 që ka lëshuar këtë numër identifikimi (530 ne rastin e GS1 Albania). Shifrat në vazhdim përcaktojnë Prefiksin Unik të Kompanisë dhe produktin e identifikuar. Të gjitha së bashku kur lexohen nga një skaner bëjnë të mundur lidhjen midis produktit dhe informacionit mbi të’, thotë zoti Dhamo.

AgroWeb ju ofron një listë me prefikset e barkodeve të vendeve partnere nga të cilat Shqipëria importon më së shumti. Kështu nëse barkodi i produkteve të prodhurara në Shqipëri fillon me 530, produktet që prodhohen në Itali kanë një barkod që fillon me 800 deri 839. Më poshtë lista e prefikseve kryesore.

• 530 Shqipëri
• 390 Kosova
• 100 – 139 SHBA
• 300 – 379 Franca dhe Monako
• 800 – 839 Itali, San Marino, Vatikan
• 380 Bullgari
• 383 Slloveni
• 385 Kroaci
• 387 Bosnje dhe Hercegovina
• 389 Mali i Zi
• 400 – 440 Gjermani
• 520 – 521 Greqi
• 531 Maqedoni
• 860 Serbi
• 868 – 869 Turqi

• 690 – 699 Kina
• 594 Rumani

A kuptohet cilësia e një produkti nga barkodi?

Zoti Dhamo thotë për AgroWeb se ‘Për 40 vjet, standartet GS1 janë përdorur për të krijuar një eksperiencë sa më të mirë për konsumatorin nëpër markete dhe dyqane në të gjithë botën. Barkodet e reja, si për shembull GS1 DataBar mund të mbartin informacion më të detajuar mbi produktet si “data e skadencës”, “data e prodhimit”, etj.

Rritja e cilësisë së të dhënave mbi produktin e ndihmon konsumatorin që të kryejë vendime më të përgjegjshme mbi produktet që do të blejë, por duhet theksuar se cilësia e një produkti ushqimor garantohet nga adoptimi i një sërë standartesh te ndryshëm në industrinë ushqimore si standardet e prodhimit dhe proçesimit, standardet e higjenës, standardet e gjurmueshmërisë, etj. Të gjitha këto standarde ndihmojnë në rritjen e cilësisë së produkteve.

Barkodi si identifikues i çmimit

Barkodi perfaqëson numrin unik që identifikon produktin dhe nëpërmjet këtij numri bëhet i mundur funksionimi i sistemeve të identifikimit automatik dhe regjistrimit të të dhënave. I gjithë informacioni mbi një produkt ruhet në databazën elektronike të prodhuesit ose të marketit. Kur skanohet barkodi, ky informacion (duke përfshirë pershkrimin dhe çmimin) mund të terhiqet nga databaza perkatese dhe shfaqet në ekranin kompjuterik.

‘Përdorimi i barkodeve, thotë zoti Dhamo për AgroWeb, u mundëson prodhuesve dhe marketeve që të menaxhojne më mirë inventarin dhe shpërndarjen e produkteve si dhe rrit sigurinë e konsumatorit. Barkodimi i produkteve ështe një nga kërkesat kryesore që ka një market kundrejt furnitoreve te tyre.

Çfarë duhet të bëjë një prodhues për t’u pajisur me një barkod për produktet e tij?

Në momentin që një prodhues ka nevojë për të marrë një numer bar kodi, duhet të kontaktojë me GS1 Albania dhe do të marrë një Prefiks GS1 të Kompanisë dhe një bllok numrash që do të formojnë numrin tregtar global të produktit. Ky numër lejon të identifikimin e produkteve me numra unike ndërkombëtare që paraqiten në formatin e bar kodit. Vendosja e bar kodit ofron përfitime për të gjitha palët në ciklin tregtar, duke çuar në uljen e kostove, kursimit të kohës dhe rritjes së saktesisë.
Për momentin ka rreth 900 subjekte te regjistruar ne GS1 Albania qe perdorin sistemin e standarteve GS1, e cila është organizata e zyrtare e autorizuar në Shqipëri për administrimin e Sistemit Global GS1.

I pari? Një çamçakëz

Në 26 Qershor, 1974 në një supermarket në qytetin Troy, Ohio, u skanua produkti i parë i barkoduar – një pako më çamçakëz Wrigley’s Juicy Fruit.

Kjo pako, së bashku me faturën tashmë gjenden të paraqitura në muzeun Smithsonian ne Washington DC si një pjesë e historisë së paketimit dhe tregtimit të artikujve – produkti i parë tregtar i skanuar nëpërmjet barkodit GS1.

Sot, më tepër se 6 miliard produkte skanohen çdo ditë nga marketet në të gjithë botën. Tashmë barkodi është një pjesë thelbësore e paketimit të çdo produkti pergjatë të gjithë hallkave të udhëtimit të tij. Sepse biznesi është më i thjeshtë kur prodhuesit, furnizuesit dhe klientët në të gjithë botën flasin të njëjtën gjuhë./AgroWeb.org